E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet serbe në Kosovë, Ashton mirëpret organizimin nga OSBE

Bruksel- Duke mirëpritur marrëveshjen për rolin e OSBE-së në organizimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë, baronesha Catherin Ashton i ka bërë thirrje palëve për qetësi.

Përmes një deklarate për shtyp shefja e diplomacisë evropiane ndër të tjera ka bërë thirrje që të vijojë bashkëpunimi Kosovë-Serbi.

Unë i bëj thirrje Prishtinës dhe Beogradit të vijojnë bashkëpunimin me OSBE, në mirëbesim, në mënyrë që votimi të zhvillohet paqësisht dhe në mënyrë të rregullt. I bëj thirrje të gjitha palëve të frenohen nga çdo veprim që mund të shkaktojë tension në vend- thotë zonja Ashton.

Në deklaratën e saj diplomatja e lartë evropiane ka shtuar se siguria në vend do të monitorohet nga forcat e EULEX-it, në bashkëpunim me organizatat e tjera ndërkombëtare që do të jenë prezente gjatë zgjedhjeve.

Dje u zyrtarizua marrëveshja përmes së cilës zgjedhjet e Serbisë në Zveçan dhe Zubin Potok do të monitorohen nga OSBE-ja. Sipas një njoftimi për shtyp, kreu i OSBE-së, njëherësh zëvendëskryeministër i Irlandës, Imon Gilmor ka mirëpritur këtë marrëveshje, dhe ka deklaruar se zgjedhjet duhet të kenë një qasje pozitive.

/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›