E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burgjet e 2008-s, asnjë ndryshim të kushteve

05/03/2009  Komiteti Shqiptar i Helsinkit hartoi një raport të plotë, ku u vëzhguan burgjet e paraburgimit

Mbipopullimi mbetet problemi kryesor, trajtimi i grave skandaloz, ka mungesë në higjienë

TIRANË- Viti 2008 nuk solli për të dënuarit dhe paraburgosurit asnjë kusht të mirë, përveç atyre që kanë patur vite më parë. Ky konkluzion ka dalë nga një raport vëzhgues i kryer nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit në disa institucione të vuajtjes së dënimeve dhe paraburgimeve të vendit tonë. Gjatë periudhës tetor-dhjetor 2008, KSHH ka kryer disa vëzhgime në institucionet e paraburgimit: “Jordan Misja” në Tiranë, “Mine Peza” në Tiranë, Berat, Durrës, Vlorë, si edhe institucionet e ekzekutimit të vendimeve me burgim “Shën Koll” Lezhë, Vaqar, Fushë-Krujë, Krujë, “Ali Demi” në Tiranë dhe Spitali i Burgjeve në Tiranë. Sipas raportit, monitorimi pati si qëllim vlerësimin e situatës së të drejtave të personave të paraburgosur në përgjithësi, i kushteve fizike të jetesës nëpër institucione, i atmosferës së përgjithshme që mbizotëronte në këto institucione, kujdesi social dhe shëndetësor që ofrohej në këto institucione, si edhe aspekte të tjera që lidhen me të drejtat e të paraburgosurve dhe të dënuarve në përgjithësi.

Mbipopullimi

Është një nga elementët më të rëndësishëm që ka hasur shumë diskutime kohët e fundit. Megjithatë, përsëri burgjet mbeten të ngarkuara tej mase. Një fakt i tillë shihet qartë edhe tek paraburgimit. Rrogozhina, Lushnja dhe paraburgimi i Durrësit janë gjendur më të populluara. Po kështu edhe paraburgimi i Tiranës me numër 313-të ka një problem të tillë mjaftë shqetësues. Infrastruktura gjithashtu lë për të dëshiruar. Probleme sipas raportit ka në disa institucione, të cilat kanë kaluar rishtazi në varësi të Ministrisë së Drejtësisë. Në disa prej tyre është konstatuar mungesë e energjisë elektrike dhe ujit të rrjedhshëm 24 orë dhe godinat ishin totalisht të amortizuara dhe me lagështirë (IEVP “Ali Demi” Tiranë, Durrës, Berat, Rrogozhinë “Jordan Misja” Tiranë, kryesisht kati i parë, Lushnjë), gjë që ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e personave të privuar nga liria. Higjiena e ambienteve të brendshme ishte një tjetër problem i konstatuar në disa prej institucioneve të vëzhguara, e shkaktuar nga mungesa i ujit të rrjedhshëm dhe e energjisë elektrike 24 orëshe. Në disa prej institucioneve nuk funksiononin dushet e përbashkëta. Të paraburgosurit dhe të dënuarit laheshin në kushte jo të përshtatshme. Pajisjet e përdorimit vetjak si dyshekë, jastëkë kanë qenë jashtë përdorimit. Një problem shqetësues mbetet mbipopullimi në Qendrën Spitalore të Burgjeve, i cili ndikohet nga fakti se ende në këtë spital mbahen personat me probleme mendore si edhe një pjesë e personave që kanë nevojë për kujdes të veçantë.

Seksioni i grave skandaloz

Në seksionin ku mbahen gratë dhe vajzat e dënuara, në burgun 325 tek “Ali Demi”, kushtet fizike të godinës janë tejet të amortizuara, me lagështirë dhe të papërshtatshme për të përballuar mbipopullimin e lartë me të cilin përballet ky institucion. Shqetësuese është gjendja e nyjave sanitare të këtij regjimi, mbi të cilat nuk është bërë asnjë investim tashmë prej vitesh. Është vënë re mungesa e dusheve dhe e banjave të përshtatshme për femrat e dënuara. Vet gratë kanë shprehur shqetësime për të gjitha pakënaqësitë. Ndërkohë që në raport theksohet se për sa i përket ushqimit ai gatuhej brenda normave të lejueshme. Është vënë re edhe punësimi i personave të privuar nga liria ishte në vëmendje të vëzhgimit. Në disa nga institucionet e vëzhguara kishte persona të punësuar në punë të tilla si: pastrim, mirëmbajtje, kuzhinë dhe në punë tjera. Në institucionin e ekzekutimit të dënimit me burgim “Shën Koll”, Lezhë kishte rreth 200 të dënuar të punësuar. Problem shqetësues ishte mosnjohja e ditëve të punës për efekt dënimi në Burrel, i vetmi i institucion ku nuk zbatohet ligji, si edhe pagesa e vogël e të punësuarve të privuar nga liria, e cila bazohej në sistemin e vjetër të pagesës që ende zbatohej në sistemin e burgjeve shqiptare. Deri më sot nuk është miratuar vendimi i Këshillit të Ministrave për pagesën e përshtatshme të punës së të dënuarve.

Probleme në kujdesin shëndetësor

Shërbimi shëndetësor ishte një tjetër aspekt i vëzhguar nga grupi i vëzhgimit të KSHH-së. Në institucionet e vëzhguara kishte shërbim shëndetësor funksional 24 orësh. Në disa prej këtyre institucioneve të vëzhguara problem shqetësues ishte shërbimi stomatologjik. Në Fushë-Krujë mungonin totalisht pajisjet stomatologjike, dhe medikamentet e këtij shërbimi. Personat me probleme stomatologjike dërgoheshin jashtë institucionit për të marrë këtë shërbim. Edhe në Krujë ky shërbim ishte vetëm 3 herë në javë, ndërsa në Burrel 2 herë në javë, ç’ka kufizonte kujdesin për këtë shërbim mjekësor. Mungesa e stafit mjekësor dhe sanitar të mjaftueshëm ishte një tjetër aspekt, i cili krijonte mbingarkesë të stafit ekzistues si edhe ndikonte drejtpërdrejtë në përballimin e punës së këtij shërbimi. Ky problem u evidentua në “Shën Koll” Lezhë, në të cilin punonin vetëm një mjek i përgjithshëm dhe 4 infermierë me rreth 800 të paraburgosur dhe të dënuar në Fushë-Krujë, ku përveç shërbimit mjekësor ofrohej edhe shërbim sanitar për të sëmurët me probleme dhe invalidët; në “Ali Dem” ku mungonte mjeku gjinekolog (edhe pse kishte një akt-marrëveshje që mjek gjinekolog nga ambulanca nr. 4. do të bënte së paku një herë në javë vizita gjinekologjike në institucion, kjo marrëveshje nuk ka funksionuar).

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›