E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punësimet stinore, ofrohen 80 mijë hyrje

05/03/2009  ITALI /Sipërmarrjet italiane përcaktojnë kuotat e punësimit sezonal, prioritet edhe vendi ynë

Pjesa dërrmuese e vendeve i përkasin sektorit të bujqësisë, gati nënshkrimi i tekstit

Përcaktohen kuotat e pranimit për punësimet sezonale në shtetin fqinj, Itali. Kjo e fundit ka parashikuar për 2009-n një numër të lartë vendesh të lira pune për shtetas të huaj. Konkretisht bëhet fjalë për rreth 80 mijë hyrje që do të realizohen për këtë vit në sferat e ndryshme të kërkuara nga sipërmarrjet italiane. Aktualisht është hartuar teksti përkatës, që specifikon hyrjen për punësime sezonale dhe pritet vetëm të miratohet nga organet përgjegjëse. Procedurat e aplikimit, ashtu si dhe vitin e shkuar, do të ndiqen nëpërmjet internetit, ku do të publikohen ofertat e punës dhe kualifikimet apo kriteret e nevojshme që duhen plotësuar nga personat e interesuar për to. Burimet zyrtare të Ministrisë së Punës bëjnë të ditur se prioritet në këtë rast do të kenë ato shtete që tashmë kanë marrëveshje bashkëpunimi me Italinë, çka do të thotë se dhe vendi ynë do të ketë përfitime të konsiderueshme. Në këtë dekret do të trajtohen me përparësi shtetas nga shtete me të cilat Italia ka marrëveshje bashkëpunimi, mes cilave edhe Shqipëria.

Pranimi

Për këtë vit qeveria italiane ka programuar 80 mijë hyrjeje për punëtorë stinorë nga shtete joanëtare të BE-së. Pjesa dërrmuese e kuotave të përcaktuara për kategori punësimesh i përkasin sektorit të bujqësisë, ku janë evidentuar dhe nevojat më të mëdha për flukse punëtorësh. Sipas monitorimeve, edhe këtë vit punëdhënësit duhet të paraqesin kërkesa për punësim përmes internetit, vetë apo duke iu drejtuar shoqatave të kategorisë. “Sidoqoftë, këtë mund ta bëjnë pas botimit të dekret-fluksit të posaçëm. Të mos harrojmë se më shumë se 50 për qind e fuqisë punëtore për bujqësinë vjen nga shtete joanëtare të BE-së dhe sektorë të tërë varen nga punëtorët imigrantë, që nga vjelja e frutave dhe perimeve e deri në blegtori”, - pohohet nga burimet zyrtare italiane. Megjithatë, miratimi i këtyre hyrjeve do të bëhet në një kohë të shkurtër, duke marrë parasysh këtu edhe kërkesat e bëra nga vetë sektori i bujqësisë në këtë vend për punësimet emergjente që duhen bërë për rimëkëmbjen e këtij sektori. Presidenti i Konfederatës Italiane të Bujqve (CIA) Xhiuzepe Politi i ka kërkuar ministrit të Punës së këtij shteti që të nxisë botimin e dekretit. Kjo për shkak edhe të vonesave që duhen bërë në përzgjedhjen e këtyre punonjësve nga ndërmarrjet përkatëse, duke mbarsur rrezikun që punëtorët të vijnë jo në kohën më të volitshme për këtë lloj punësimi apo aktivitetet për të cilat kërkohen.

Flukset jostinore

Përveç sektorit të bujqësisë një pjesë e konsiderueshme e profesioneve të kërkuara janë edhe ato të shërbimeve dhe kujdesit shtëpiak për kategori të caktuara si dhe kuota për mekanikë të fushave të ndryshme. Ende nuk ka një vendim të saktë se çdo të ndodhë këtë vit me flukset jostinore, si dhe sa do të jetë numri i hyrjeve, nëse do të ketë për 2009-n. Sipas njoftimeve zyrtare, deri tani nuk ka ende asnjë njoftim për punë jostinore. Ndërsa për rastet kur qytetarët duan të hyjnë në Itali me vizë “D” për motive punësimi si punëmarrës, nuk është e nevojshme që të paraqiten më parë mjetet financiare. Kjo sepse kontrata e qëndrimit e ofruar dhe pranuar, sigurisht edhe e miratuar, garanton të ardhurat e punëtorit të huaj.

Leja e qëndrimit për motive familjare

Leja e qëndrimit për motive familjare i lëshohet:

• Të huajit që ka hyrë në Itali me vizë për ribashkim familjar apo me vizë shoqëruese të familjarit, apo me vizë hyrjeje për ribashkimin me fëmijën e mitur.

Kërkesa për lëshimin apo ripërtëritjen e lejes së qëndrimit refuzohet dhe anulohet leja e qëndrimit, nëse provohet se martesa apo adoptimi janë bërë me qëllimin ekskluziv për t’i mundësuar të interesuarit qëndrimin në territorin e shtetit.

• Të huajit (qoftë edhe në situata të parregullta) që bashkëjeton me të afërmit e brezit të katërt apo me bashkëshort/e italian/e, për të cilët nuk zbatohet një masë dëbimi (neni 19 i Tekstit Unik mbi Imigrimin). Kjo leje qëndrimi nuk shndërrohet (konvertohet) në leje të titullit tjetër, të ndryshëm.

• Familjarit të huaj të një refugjati. Në këto raste përjashtohet zotërimi i një lejeje të vlefshme qëndrimi nga ana e familjarit.

• Familjarit të huaj që qëndron rregullisht dhe plotëson kërkesat për ribashkim me shtetasin e huaj që qëndron rregullisht në Itali. Në këtë rast leja e qëndrimit të familjarit konvertohet në leje qëndrimi për motive familjare. Konvertimi mund të kërkohet brenda një viti nga data e skadencës së titullit të qëndrimit, që zotërohet si fillim nga familjari.

• Prindit të huaj dhe natyror të të miturit italian që qëndron në Itali. Në këtë rast leja e qëndrimit për motive familjare lëshohet edhe duke dalë nga detyrimi i zotërimit të një lejeje të vlefshme qëndrimi, me kusht që prindi kërkues të mos jetë i privuar nga pushteti familjar, sipas ligjit italian.

Përfitime që lidhen me lejen e qëndrimit për motive familjare

Leja e qëndrimit për motive familjare mundëson:

• qasjen ndaj shërbimeve socio-sanitare dhe të asistencës;

• regjistrim në kurse studimi apo formimi profesional;

• regjistrimin në listat e qendrave të punësimit, kryerjen e punës si punëmarrës apo i vetëpunësuar (të gjitha këto duke respektuar moshën minimale për ushtrimin e aktiviteteve të punësimit).

Refuzimi dhe anulimi i lejes së qëndrimit për motive familjare.

Në miratimin e vendimit të dëbimit (kufizuar me masa administrative për hyrje të paligjshme apo në mungesë të lejes së qëndrimit) apo të vendimit për refuzimin e lejes së qëndrimit, lëshimit, anulimit apo refuzimin e ripërtëritjes së lejes së qëndrimit ndaj të huajit që ka ushtruar të drejtën e ribashkimit familjar, apo të familjarit të ribashkuar, sipas nenit 29 merren parasysh natyra dhe efektiviteti i lidhjeve të familjarit të interesuar dhe të ekzistencës së lidhjeve familjare dhe sociale me vendin e origjinës, si dhe të të huajit, tashmë të pranishëm në territorin kombëtar, por edhe kohëzgjatja e qëndrimit në territorin kombëtar.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›