E Diel, 1 Nëntor 2026

PD fitoi politikisht, LSI "ngushëllohet" ekonomikisht

Sekretari i përgjithshëm i PBDNJ-së, Leonard Solis, në një intervistë për "Shqip" komenton zhvillimet e fundit politike, konkretisht kalimin e LSI-së nga krahu i djathë, duke pranuar publikisht bërjen e një koalicioni të përbashkët qeverisës me Berishën. Për Solis, bashkëpunimi i Metës me Berishën duhet të ketë kushte të forta, siç është përgatitja e kuadrit të drejtë zgjedhor, me qëllim kalimin e vendit në zgjedhje të parakohshme. Solis thekson se vota e shqiptarëve duhet vlerësuar dhe respektuar, ndaj partitë nuk duhet të tregohen mosmirënjohëse ndaj saj. Ai shprehet i zhgënjyer nga sistemi zgjedhor, i cili e katandisi PBDNJ-në në një deputet dhe në këto pozita kjo forcë politike është e pafuqishme për të vënë kushte politike, për t‘u përfaqësuar në qeveri.

Zoti Solis, si e vlerësoni lëvizjen e kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, i cili pranoi ftesën e Kryeministrit Berisha për koalicion të përbashkët qeverisës?

Me superekuilibrin e krijuar pas zgjedhjeve aktuale, ku e djathta ka 70 mandate dhe e majta si bllok 66, LSI 4 mandate, kemi një ngërç qeverisës. E drejta për formimin e qeverisë i takon koalicionit të djathtë dhe në qoftë se ai dështon, kjo i kalon së majtës. Gjasat janë vetëm që nga e majta të ofrohen individë apo forca politike drejt së djathtës. Meta ka vetëm një mundësi, të bashkëpunojë me kushte të forta e me një mandat të limituar në kohë e hapësirë me Berishën. Të formojë një qeveri që do të ketë si prioritet organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, duke ndryshuar Kodin Elektoral, e përsosur administrimin zgjedhor, të paracaktojë datën dhe kushtet e qeverisjes e jo të qeverisë sikur votat i janë dhënë nga e djathta normalisht. Duhet justifikuar me kushte "kalimi i ylberit" të votave. Vota e shqiptarëve duhet respektuar, sepse nëse mosmirënjohja do të klasifikohej si vepër penale, nuk do të kishte njeri jashtë burgut. Sa për Berishën, ai për mua ka ngadhënjyer mbi të gjithë, e ka arritur çdo objektiv ndaj të gjithëve. Ai është menaxheri më i mirë i veseve njerëzore, njeh mirë orekset dhe dëshirat e gjithsecilit! Hallall!

Pas një jave amullie politike, tashmë duket se po kristalizohet mozaiku politik, hapi i parë ishte i Metës, i cili pranoi bashkëpunimin me Berishën. Ju si PBDNJ, keni një ofertë bashkëpunimi me PD-në dhe nëse ju bëhet, do ta pranoni?

I përmbahem katërçipërisht deklaratës që kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, bëri në konferencën për shtyp. Kështu si u apo na katandisën me një deputet, nuk bëhet fjalë për PBDNJ, për vendosje kushtesh, apo politika të mëdha!

Keni vite në politikë dhe zhvillimet politike tashmë arrini t‘i matni mirë. Mund të na thoni se ku do ta çojë vendin bashkëpunimi Meta-Berisha. Sa efikase dhe jetëgjatë do të jetë kjo qeveri?

E thashë dhe më lart, duhet mandat i limituar dhe me pika objektive precize. Veçse në qoftë se Metës nuk do t‘i bashkëngjiten dhe deputetë-individë nga PS-ja që do të duan të "shpëtojnë" fatet e vendit! Rama është humbësi i madh edhe me këtë barazim në fushën e vet, ndaj duhet të tërhiqet e ta lërë një parti të fuqishme si PS të mbledhë forcat e të fitojë në zgjedhjet e ardhshme! Politika është krejt e ndryshme nga administrimi i bashkisë. Bëri gafa të rënda, politike, personale, flaku shumë vlera, formoi lista jo me vlerat më të mira të kësaj partie dhe ka vulën e tij në këtë humbje.

Çfarë do të ndodhë me të majtën tani, si i parashikoni cilat do të jenë lëvizjet e Ramës, a duhet të japë ai dorëheqje, mund të lexohet si humbje ky rezultat?

Rama duhet të tërhiqet në Bashki. Ishte gabim ardhja e tij në PS! Me një të rënë të lapsit "amputoi" qindra kuadro të sprovuar e me përvojë në PS, mbi të cilët kjo parti ka investuar! U zëvendësuan nga anonimë, miq të kryetarit e pa kontribute! Një kryetar që nuk pranon dhe sot të jetë anëtar i PS, do ta çojë partinë përtej së majtës e së djathtës, pra askund!

Pretendimi i partive të voglave, këtu përfshij edhe PBDNJ, është se ju janë vjedhur votat në këto zgjedhje. Ku e bazoni këtë deklaratë?

Sistemi ishte proporcional rajonal, pra një votë për kuti në Qarkun e Tiranës përkthehet 850 vota në qark. Nuk më ka shqetësuar vota ime, por standardet skandaloze prapa formave të përmirësuara. Le të hapet kutia në qendrën 1992 te shkolla "Avni Rustemi" p.sh. dhe do të rezultojnë të paktën 20 vota të sigurta. Procesverbali shënon zero. Kam shumë argumente se partitë e mëdha grabitën në heshtje partitë e vogla brenda koalicionit dhe bërtitën kur u erdhi radha për të vjedhur njëra-tjetrën! Kanë marrë respektivisht të aleatëve, si më të pambrojturat. Duhet që për të parë shkallën e devijimit të vullnetit të popullit, rregullisht të bëhet rinumërim total paralel në KQZ, pa ndryshuar përbërjen, por komisionerët duhet të dënohen. Askush nuk është dënuar për vjedhjen e votës në Shqipëri! Ashtu si Kontrolli i Lartë i Shtetit rikontrollon procedurën, le të bëhet rregull kontrolli i rezultateve, për efekt verifikimi e dënimesh. Pa penalitete nuk ka e nuk do të ketë administrim normal të votës, boll me tabu të mosverifikimit të kutive të votimit!



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›