PDI: Çështja çame, kryefjala e diskutimeve me Berishën
Çështja çame duket se do të jetë kryefjala e bashkëpunimit midis PD-së dhe PDI-së. Kjo bëhet e ditur nga kryetari i PDI-së, Tahir Muhedini, i cili në një deklaratë për mediat theksoi se PDI-ja i ka idetë e qarta për sa i përket zgjidhjes së çështjes çame. Kreu i PDI-së, Muhedini, theksoi dje se në marrëveshjen që do të diskutohet me Kryeministrin Berisha për krijimin e qeverisë së re, minimalisht kjo parti do të kërkojë përfaqësimin e saj në delegacionin parlamentar shqiptar në Asamblenë e Këshillit të Europës. Qëllimi? Ndërgjegjësimi i komunitetit ndërkombëtar për çështjen çame. Sipas Muhedinit, "deputetët e Parlamentit shqiptar, sa herë që shkojnë në seanca plenare në Parlamentin Europian diskutojnë çështje të minoritetit grek dhe asnjëherë nuk kanë diskutuar për këtë problem madhor që ka popullsia shqiptare çame. Edhe deputetët e Parlamentit Europian kanë mbetur të habitur, se si ka mundësi që vijnë këta deputetë këtu në seancë plenare dhe diskutojnë vetëm për çështjen e minoritetit grek. Kështu, me hyrjen e partisë sonë në Parlamentin shqiptar kjo do të jetë pika numër një e jona, do jetë çështja kryesore. Do kërkojmë që në grupin që do caktohet, të përfaqësohet me një deputet që të ngrejë çështjen kaq madhore, çështjen çame". Kryetari i PDI-së theksoi më tej se kjo forcë politike po harton edhe një rezolutë, e cila do të kërkojë votimin e saj në Kuvend. Sipas tij, "rezoluta do ketë problematikën që ka popullsia shqiptare çame, të drejtat e njeriut në radhë të parë, atë gjenocid dhe atë të dëbimit. Nuk ka rezoluta për të hyrë në luftë me shtetin grek. Rezoluta ka ato pikat që ka kjo popullsi shqiptare çame. Popullsia shqiptare çame sot është 300 mijë banorë dhe, akoma më keq, është që këtu ka një parti për të drejtat e njeriut, që vetëm ka emrin në mënyrë simbolike, sepse në qoftë se ka në gjithë kufirin e Shqipërisë popullsi që i janë mohuar të drejtat elementare, është popullsia shqiptare çame". Për sa i përket pjesës politike, Muhedini thotë se "PDI nuk lëviz nga marrëveshja paraelektorale që nënshkroi me PD më 1 maj dhe denoncoi si të pavërtetë një rast sporadik të një poste elektronike të shpërndarë nëpër media, ku thuhej se PDI do të kalonte në aleancë me PS-në. Në zgjedhjet e 28 qershorit, ashtu siç kishte deklaruar gjatë fushatës, PDI-ja ka qenë surpriza e këtij Parlamenti. Aktualisht PDI-ja ka një mandat deputeti të konfirmuar zyrtarisht, ndërkohë që edhe mandati i dytë është shumë pranë zyrtarizimit.