E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjerimi i BE-së, Bregu në forumin e Kransmontanës

Ministrja e Integrimit, znj. Majlinda Bregu, para forumit të Kransmontanës në Sarajevë bën prezent progresin e Shqipërisë në kuadër të integrimit evropian. Ajo mbajti një fjalim dje në forumin e Kransmontanës të zhvilluar në Sarajevë, i cili nisi me diskutime rreth procesit të zgjerimit të BE-së dhe bashkëpunimit rajonal. Znj. Bregu njohu të pranishmit me rezultatet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, në reformat e tjera të ndërmarra nga qeveria, si dhe në bërjen të mundur të krijimit të ‘track record’ për reforma të pakthyeshme në rrugën drejt BE-së. Në diskutimet rreth kësaj çështjeje, theksi u vu në të ardhmen e përbashkët të Ballkanit Perëndimor në Evropë dhe në faktin që bashkëpunimi rajonal është faktor kyç për të përcjellë një perspektivë të re të ndryshimit të rajonit në rrugën drejt BE-së. “Ky bashkëpunim, i shprehur në fillimet e tij në termat e kondicionalitetit me qëllim përafrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet evropiane, me kalimin e kohës, rezultoi si një instrument i fuqishëm dhe i pazëvendësueshëm, jo vetëm për arsyen që ishte krijuar, por në përgjithësi në procesin e integrimit të plotë të këtyre vendeve në Bashkimin Evropian”, - tha ministrja në fjalën e saj. Më tej, ajo u ndal hollësisht në elementët ligjorë dhe teknikë të këtij procesi, si në planin rajonal, ashtu dhe në atë të Unionit, duke vënë theksin në marrëveshjet e Stabilizim-Asociimit dhe vendin që zë bashkëpunimi rajonal në to si dhe në projektet konkrete rajonale të shprehura nëpërmjet programeve të mëdha komunitare. Në mënyrë specifike, ministrja Bregu u ndal në rolin e Shqipërisë, jo vetëm si faktor i pazëvendësueshëm i stabilitetit dhe paqes në rajon, por edhe si partner i qenësishëm në çdo projekt konkret të këtij bashkëpunimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›