Modernizimi i ushtrisë, Oketa takon homologun maqedonas
Marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i dyanëshëm mes dy vendeve në fushën ushtarake, në veçanti bashkëpunimi në kuadër të Kartës së Adriatikut, mes tri vendeve: Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni, ishin në qendër të takimit të zhvilluar dje në Ohër, mes ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, dhe ministrit të Mbrojtjes së Maqedonisë, Zoran Konjanovski. Ky takim vjen një ditë para Takimit Vjetor të Ministrave të Mbrojtjes të Vendeve të Evropës Juglindore (SEDM-it). Ministri Oketa siguroi homologun e tij se Maqedonia do të gjejë tek qeveria shqiptare dhe Ministria e Mbrojtjes një mbështetje të plotë dhe një bashkëpunim shumë të mirë. "Ne besojmë se ngërçi i krijuar për Maqedoninë, që të marrë ftesën për anëtarësim në NATO, do të zgjidhet shpejt nga politika dhe ju do të jeni pjesë e Aleancës me të drejta të plota", - u shpreh ministri shqiptar i Mbrojtjes, Oketa. Të dy homologët u ndalën dhe në ecurinë konkrete të bashkëpunimit mes dy ministrive homologe, në veçanti për modernizimin e ushtrive dhe përmbushjes së reformave, në përputhje me standardet e kërkuara nga NATO-ja. Në vështrimin e ministrit të Mbrojtjes së Maqedonisë, Konjanovski, “Maqedonia dhe Shqipëria janë dy vende të njëjta, të vogla dhe pothuaj me të njëjtat problematika, por që kanë pasur një bashkëpunim të mrekullueshëm mes tyre”. Ai u shpreh se rruga e reformave midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, që nisi njëherësh në Kuadër të Adriatik 3 (A3), do të vazhdojë më tej me bashkëpunimin dhe ndihmën e ndërsjellë ndërmjet ministrive dhe ushtrive të dy vendeve.