E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmia: Presionet e Aldo Bares mbi deputetin e PD-së

Procesi gjyqësor kundër anëtarëve të Bandës së Lushnjës ka vazhduar dje me leximin e dy dëshmive nga organi i akuzës. Prokurorët Gentian Trenova dhe Besnik Muçi kanë lexuar deklarimet e Zyber Meços, i cili ka ndërruar jetë vitet e fundit. Dëshmitari ka treguar para oficerëve të policisë gjyqësore se është marrë peng nga grupi në "Komisariatin Nr.2" me shef Alfred Shkurtin ku ka qenë i pranishëm edhe deputeti i Partisë Demokratike, Ilir Bano. Sipas dëshmisë së lexuar dje në gjykatë, Meço ka pohuar se disa prej anëtarëve të bandës kanë debatuar me deputetin, të cilit i kërkonin që të fliste mirë për ta në Parlament. Por dëshmitari tregonte edhe për torturat që ka pësuar nga grupi, presionet që ndërmerrte ish-kreu i bashkisë së qytetit ndaj personit të tij për t‘u tërhequr nga një tender për pastrimin e qytetit, si dhe shumë episode të tjera.

Dëshmia e Zyber Meços, i cili më parë ka qenë drejtuar i firmës "Henea": Kam vëlla Pëllumb Meçon, i cili prej vitit 2002 është i papunë dhe më parë ka punuar në Bashkinë e qytetit Lushnjë si përgjegjës i taksave.

Vëllai juaj, Pëllumb Meço, ka deklaruar se në muajin maj të vitit 1999 ju kanë marrë peng grupi i Aldo Bares. A mund të na sqaroni rrethanat e kësaj ngjarjeje?
Po, është e vërtetë që më ka marrë peng grupi i Aldo Bares. Më kujtohet që ka qenë muaji maj i vitit 1999, si datë dhe ditë nuk më kujtohet, por ka qenë ora 21:00, te shtëpia e vëllait, Pëllumbit, në lagjen "S.Starova" Lushnjë. Po ecja në këmbë, në errësirë. Rreth 200 metra pa mbërritur tek unaza, në orën 21:30, kur unë isha në afërsi të shtëpisë së Zenel Guçës, shikoj që mbas meje po vinte një makinë me dritat ndezur. Kjo makina, më parakalon dhe ndalon 2-3 metra larg meje. Ishte një makinë furgon me ngjyrë të bardhë. Sa e pashë unë e njoha që ishte benzi i blinduar që përdorte grupi i Fredi Shkurtit, në Lushnjë.

Nga e njihje që ishte makina e Fred Shkurtit?
Këtë makinë nuk e njihja vetëm unë, por e dinin të gjithë që makina ishte e "Komisariatit të Policisë Nr.2" me shef Alfred Shkurtin.
Sa ndalon furgoni shikoj që hapet dera anësore në krahun e djathtë. Nga kjo derë nxjerr gjysmën e trupit një person dhe më thotë: "O Bele hip lart se kemi punë me ty". Nuk bëra asnjë lloj kundërshtimi, pasi e dija se ata do të më vrisnin. Personi që më thirri ishte Arjan Aliçka, person që e kisha parë të lëvizte me këtë furgon. Makinën e ngiste Arben Boriçi dhe në vendin e pasagjerit ishte ulur Maksim Çela, ndërsa Arjan Aliçkaj u ul në sediljet e pasme dhe kishte në dorë një automatik. Makina përshkroi rrugën nga "klubi i morrit", te shtëpia e Ilir Banos, mori kthesën djathtas te tregu i zarzavateve dhe doli në qendër, për t‘u drejtuar më pas te Alftred Shkurti, në "Komisariatin Nr.2" të qytetit të Lushnjës. Ky "komisariat" ndodhej ngjitur me Komisariatin e Policisë. Unë sa hipa në furgon nuk thashë asnjë fjalë dhe nuk fola fare as rrugës. Isha shumë i stresuar, pasi mendoja se ata do të më vrisnin. Gjatë rrugës Arjan Aliçka i thoshte Arben Boriçit dhe Maksi Çelës se "si do ngopen krimbat me këtë, se ky ka dhjamë shumë", ndërsa ata të dy qeshnin.
Komisariati ishte një godinë njëkatëshe para shtëpisë së Idai Shkurtit, e rrethuar me një mur të lartë. Prej oborrit, futem në një korridor, ku lëviznin shumë persona të armatosur. Kam njohur njërin prej tyre, që ishte Flamur Vila. Sa hyj në një dhomë, shikoj që në fund ishte një tavolinë. Mbi këtë tavolinë ishte një aparat telefoni, ndërsa ulur në karrige në afërsi të kësaj tavoline ishin vëllai im, Pëllumb Meço, Ilir Bano, në atë kohë deputeti i PD-së për Lushnjën dhe Ylli Sefa, kryetar i PD-së për Lushnjën. Unë shkova për t‘u ulur te tavolina, ndërsa Arjani dhe Maksi nuk u ulën, por lëviznin sa në një dhomë në tjetrën. Gjatë gjithë kohës këta mbanin në dorë automatik dhe pistoleta në brez. Kur Arbeni po shkonte për t‘u ulur në tavolinë, e pashë shumë mirë që kishte pistoletë në brez. Pistoletat nuk i dalloja dot se çfarë tipi ishin. Më ulën mua në krah të vëllait tim, Pëllumbit.
Arben Boriçi i drejtohet deputetit të PD-së, Ilir Bano, duke i thënë: Ilir përse nuk flet mirë ti për ne në Parlament". Iliri i thotë që: "Unë nuk jam pjesëtar në qeveri që të flasë mirë për ju, unë nuk kam punë me ju, ne kemi punë partie, ato tuajat janë punë qeverie". Në bisedë e sipër, Arben Boriçi merrte dikë nga telefoni që ishte në tavolinë duke i thënë: "O shef, o shef i kam këtu ata". Se ç‘përgjigje mori prej atij që thërriste shef, dhe as nuk e mora vesh dhe se kush ishte shefi. Na mbajtën mbi një orë dhe gjatë gjithë kësaj kohe, Boriçi debatonte me Ilirin dhe herë pas herë merrte në telefon shefin. Rreth orës 23:00 na nxorën nga godina ku ishim. Sa dolëm ikëm në shtëpi.
Ka qenë muaji mars i vitit 2000 dhe një mëngjes unë isha duke punuar në zyrë, pranë Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike Lushnjë. Në zyrë hyjnë Arben Boriçi me Arjan Aliçkën. Sa u përshëndetën më thonë, do të na japësh botin e ujit për në lagunë dhe do të caktosh shoferin të cilin do ta paguash vetë. Unë nuk kundërshtova fare, duke e ditur se më cilët persona po merresha. U thashë merreni. Fola me shoferin dhe i thashë që do të punosh me këta të dy. Kjo makinë është edhe sot duke spërkatur rrugët e qytetit.
Dua të sqaroj se ka qenë data 17 shtator e vitit 2001. Në zyrë takoj Tan Sulën, i cili ishte ulur veti i dytë në një tavolinë të lokalit që ishte pranë zyrës sime. Sa më pa më thotë "ku je Bele, se për ty kam ardhur këtu". I them që "më prit se kam pak punë me supervizorin e bashkisë". Pasi mbaroj punë, dalë nga zyra. Tani përsëri më thotë "Bele, dale të mbarojmë punë bashkë e pastaj ik". Unë e dija përse kishte ardhur, pasi më kishte një milion e ca lekë borxh. Unë i them "m‘i jep ato dhe ik", por ai nguli këmbë që të hipja në makinën e tij dhe të hanim një drekë. Pranova dhe hipa në makinën e tij.
Në momentin që unë futem në makinë dhe ulem në sedilje, menjëherë dëgjoi një breshëri arme me zhurmë të mbytur. Në këtë kohë, hap derën e makinës, ku isha ulur dhe dal jashtë. Kur dola ndieja dhimbje në krahun e majtë dhe rrëzohem në tokë. Ngrihem dhe iki me vrap 100 metra ku ishte një makinë e ndaluar me pronar Sali Markon. Hipi në makinë dhe i them më ço në spital. Nuk kundërshtoi. Kur mbërrita në spital humba ndjenjat.

I njihje personat që të qëlluan me armë?
Po i pashë dhe këta ishin Tan Vila së bashku me një person tjetër, i cili m‘u duk si "Çibuku". Tan Vila doli nga krahu i shoferit dhe gjuajti mbi Tan Sulën. Më mbas, në Spitalin Ushtarak Tiranë, mora vesh që kishte vdekur Tan Sula dhe ishte plagosur personi që ishte me Tanin.

A keni pasur ndonjë konflikt me Dritan Vilën dhe kush ka qenë shkaku i goditjes ndaj jush dhe Tan Sulës prej tij?
Unë me Dritan Vilën nuk kam pasur asnjë konflikt. Por dyshoj se gjithë sulmi ndaj meje ishte pjesëmarrja ime në tenderin e pastrimit të qytetit, të cilin unë e mbaroja në muajin prill të vitit 2002. Në muajin nëntor të vitit 2001 ish-kryetari i Bashkisë Lushnjë, Ylli Myftiu, më bllokoi tetëmbëdhjetë milionë lekë të vjetra. Në muajin dhjetor, dhjetë milionë lekë. Në muajt janar, shkurt, mars, të vitit 2002, nga pesë milionë për çdo muaj. Kjo gjë bëhej për presion që unë mos të hyja në tenderin e pastrimit.
Fakt tjetër është se pas konfliktit të Shytajve me Grupin e Aldo Bares, nuk më kujtohet si ditë dhe muaj, por më mori në telefon Rexh Gina dhe më tha: "Bele, ne u vramë, prandaj ti po deshe mos konkurro në tenderin e pastrimit". Unë duke marrë parasysh të gjitha këto që më kishin ndodhur, nuk hyra më në tenderin e pastrimit.

Kujtime Arapi tregon edhe për vrasjen e Bashkim Shkurtit, ish-shefit të SHIK-ut në Lushnjë

"Bisedat e mia me Alfred Shkurtin"

Prokuroria ka lexuar dje edhe deklarimet e shtetases Kujtime Arapi. Ajo tregon për bisedat që ka zhvilluar me kapon e Bandës. Fillimisht tregon torturimin e burrit të saj, Ademit, i cili ishte rrëmbyer nga grupi i Shkurtit, mbasi atij i kishin vrarë vëllain dhe ai ishte shprehur se do të merrte hak. "Shkova te shtëpia e Alfred Shkurtit dhe takova babanë e tij, nënën dhe kunatën (nusen e vëllait). Aty pashë Fredin dhe i fola. Fredi më pyeti përse shkova atje dhe unë iu përgjigja se kisha dëgjuar se do marrësh hakun e vëllait", thuhet në dëshminë. Sipas saj, kreu i bandës i tha "po dhe kam marrë hak. Shko se e ke në spital burrin dhe thuaj që shyqyr që e ke gjallë, pasi unë nuk pyes për asnjë, pasi me këtë dorë do të vras Met Zenelin, Mazarin, Idajet Beqarin. Nuk ka shtet dhe nuk pyes askënd". Pas kësaj, Kujtime Arapi, u largua për te burri në spital, të cilin e gjeti të masakruar pa ndjenja dhe në gjendje kome. Sipas atyre që mësoi në spital, anëtarët e bandës kishin kërkuar që ta çonin në morg dhe mos ta mjekonin fare, megjithëse ishte gjallë. "E morëm në shtëpi dhe e kuruam. Gjatë kësaj periudhe mua më merrnin në pyetje anëtarët e bandës. Alfred Shkurti më pyeste për Gramoz Selamin dhe të gjithë njerëzit e afërt të tij. Mbasi u shërua burri më tregoi dhe më tha se e morën dhe e torturuan duke e qëlluar me bishta lopate dhe me shkelma", vijon rrëfimin, duke shtuar se burri i kishte treguar se e kanë ofenduar dhe e kanë detyruar që të fshijë gjakun e tij, pasi u kishte bërë pisë garazhin. "Siç më tha burri, kur e kishin rrahur mirë, i kishte thënë Arben Boriçi ‘hajde Adem bëhu gati se të presin shokët në pyll të Divjakës‘. Më pas e kanë marrë, rregulluar dhe e kanë hedhur në një kanal. Aty e ka gjetur dikush dhe e ka çuar në spital. Edhe në spital anëtarët e bandës kanë shkuar dhe kanë tentuar ta çojnë në morg, megjithëse nuk kishte vdekur.
Gjatë dëshmive të mia, Alfredi më thoshte se ‘ti duhet të vish këtu që të na tregosh për Gramoz Selamnin‘. Kam shkuar disa herë dhe më tregonte se kemi vrarë këtë person. Unë i thosha ‘vërtet i keni vrarë?‘, ndërsa ai më përgjigjej se ‘i kemi dërguar refugjat...‘ " thuhet në dëshmi.
Gruaja ka dëshmuar dje edhe për vrasjen e ish-shefit të SHIK-ut në Lushnjë, Bashkim Shkurti. "Po kështu di të them se për vrasjen e Bashkim Shkurtit kam dëgjuar se është vrarë nga grupi i Alfred Shkurtit. Arsyeja e vrasjes është se kur Artur Daja ka bërë një vrasje në vitin 1994, Bashkimi e ka liruar Arturin nga burgu dhe Alfredi e ka vrarë për këtë arsye. Biles për këtë goca e xhajës së Arturit ka diskutuar me shoqet dhe është shprehur se ‘çfarë bëri Bashkimi që e vrau grupi i Alfredit‘" përfundon dëshmia e Kujtime Arapit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›