E Diel, 1 Nëntor 2026

Sa vlen liria vetjake pa integrimin social…?

Jeta sociale e shoqërisë tonë po përballet me paradokset e natyrshme të interpretimit të njëanshëm të raportit social që është bërë shumë delikat, midis lirisë së individit dhe shoqërisë. Nga një shoqëri me "qytetar modular", të indoktrinuar, me jetë private të kontrolluar, po kalojmë me shpejtësi në një shoqëri me dimension të theksuar anomik, në të cilën liria e individit ka filluar të shfaqet përtej çdo detyrimi social, jashtë çdo kufiri të arsyeshëm për një shoqëri moderne e demokratike. Në emër të lirisë pa kufi të individit, në jetën tonë po zgjerohen në mënyrë të frikshme qëndrime dhe veprime individuale ekscentrike, sjellje sociale amorale dhe anormale. Vendi po inondohet nga krime e vrasje, dhunime të jetës private e përçudnime të relacioneve jetës publike, deformime të jetës morale që ndikojnë në dobësimin e rolit koheziv të shoqërisë, të institucioneve sociale të domosdoshme për jetën e qytetëruar.

Çfarë po ndodh, pse po zgjerohen kaq shumë këto dukuri asimetrike me qytetërimin, pse po zgjerohen sjelljet asociale përtej limiteve të lirisë? Kush e ka fajin dhe çfarë duhet të bëjmë, për normalizimin demokratik të raportit të qytetëruar midis lirisë së individit dhe përgjegjësisë sociale për të qenë të integruar në rrjedhat e përbashkëta të shoqërisë, i inkorporuar në strukturat e institucioneve bazë të saj? Zhvillimi i shoqërisë tonë në shtratin liberal, ka krijuar problem sociale me individë dhe grupe sociale të ndryshme, të cilët shfaqin ekzibicione individuale të jetës private, duke e konsideruar lirinë individuale si të vetëmjaftueshme për të jetuar të shkëputur nga strukturat sociale bazë si familja, komuniteti social apo shoqëria në tërësi. Ndërkaq, të margjinalizuar nga shoqëria, të veçuar prej saj, të shkëputur nga marrëdhëniet institucionale janë edhe një varg njerëzish që jo aq për faj të tyre se sa për mundësitë e kufizuara të shoqërisë liberale për të krijuar kohezion social, mbeten jashtë strukturave të saj, të vetmuar, të deprimuar, të paorientuar nga pikëpamja sociale. Si rezultat ata krijojnë grupe që jetojnë sipas nënkulturave të tyre duke qenë të varfër, të braktisur nga familja, të papunë, të varur nga droga alkooli apo sëmundje të tjera sociale që i izolojnë nga rrjedhat e shëndetshme sociale. Dobësimi i marrëdhënieve të këtyre individëve dhe grupeve sociale me familjen, komunitetin dhe shoqërinë, nuk është shprehje e lirisë individuale, por tregues i pamundësisë individuale për të qenë të integruar në strukturat sociale. Pavarësisht kaheve të ndryshme të "lirisë", largimi i njerëzve nga jeta sociale nuk është në dobi as të shoqërisë dhe ca më pak të individit. Aq më pak kjo nuk është fare shprehje e lirisë. Shteti dhe shoqëria jonë nuk mund të "lajnë duart", duke gjetur si justifikim faktin që njeriu është i lirë të sillet si të dojë me veten dhe t‘i ndërtojë si të dojë në raportet e tij në marrëdhënie me shoqërinë. Trajtimi me mendje të shkurtër dhe pa përgjegjësi i këtij aspekti midis lirisë së individit, përgjegjësive të shtetit dhe shoqërisë është një mënyrë për të fshehur realitetin tonë social, i cili kështu si po zhvillohet kaotikisht, nuk është në "shinat e qytetërimit" normal.

Pa dyshim, ka shumë faktorë që determinojnë këtë situatë anormale dhe amorale. Shumë shkaqe janë me natyrë ekonomike, historike, rajonale apo si shprehje të natyrës emocionale të karakterit tonë shqiptar. Mund të ketë edhe faktorë të tjerë ekstramaterialë dhe ekstrapsikologjikë. Por sipas meje, në tërësinë e tyre ndikimin më të veçantë e ka fakti që tashmë në shoqërinë tonë ka dy dekada që një pjesë e njerëzve tanë kanë kuptim të deformuar të raportit midis lirisë individuale dhe detyrimit që për të jetuar në shoqëri si njeri, si qenie sociale dhe humane. Ndaj duhet të ndalim ca vrapin kaotik të liberalizmit në mënyrë që njerëzit tanë në shkollë, në familje, në komunitet dhe përmes medias të mësojnë, të njohin dhe të respektojnë në mënyrë detyruese, rregullat morale e sociale të shoqërisë dhe ligjet e shtetit. Këto dy anë në një shoqëri moderne nuk janë në kontradiktë. Në një shoqëri normale ata janë faktorë komplementarë. Pa rregullimin e këtij mekanizmi të integrimit të të drejtave individuale dhe detyrimeve sociale, do të jetë e vështirë të ribëjmë ekuilibrin demokratik të shoqërisë tonë.

Realiteti ynë është i mbushur me fakte tronditëse, që tregojnë një ndarje metafizike, madje mekanike të aspektit midis lirisë individuale dhe përgjegjësisë sociale. Nuk ka dyshim që realiteti ynë social është bërë i vështirë. Në të ka një zhbalancim të dukshëm të raportit delikat midis të drejtës së njeriut për të qenë sa më i lirë nga "vargonjtë" e institucioneve sociale dhe nevojës së domosdoshme që si qenie të jetë dhe të sigurojë bashkëveprimin organik me shoqërinë, me rregullat e përbashkëta të qytetërimit nëpërmjet instrumentit të domosdoshëm të kohezionit dhe integrimit social. Ky raport delikat, dialektik, i lëvizshëm midis lirisë individuale dhe detyrimit të integrimit social, është një nga realitetet më paradoksale të shoqërisë dhe njeriut tonë. Analiza e realitetit momental të dukurive, veprimeve dhe perceptimeve kaotike e anarkike të kësaj dikotomie organike, midis lirisë së individit dhe detyrimit të rregullave të shoqërisë në realitetin e ditëve tona, të krahasuar me atë të dy dekadave më parë, tregon se sa i rëndësishëm është kuptimi dinamik i raportit midis individit dhe shoqërisë, lirisë individuale dhe detyrimit shoqëror. Koha po tregon se rregullimi demokratik i këtij raporti, është kusht i domosdoshëm me shumë vlerë, për të mbrojtur formatin demokratik të shoqërisë shqiptare nga deformimet e mundshme, të njëanshme të kaosit individual anarkik apo determinizmit të ngurtë të jetës private, nga një sasi e tepërt apo e panevojshme e rregullave sociale. Dëmet e kësaj njëanshmërie ne i kemi të freskëta qoftë nga historia jonë e së kaluarës apo nga realiteti aktual.

Në një hark kohor prej dy dekadash kemi një proces revolucionar të kalimit nga një shoqëri e ndërtuar mbi determinizmin dhe autorizmin social, në një shoqëri me liri të pakufizuar të jetës individuale të njeriut, deri në kufijtë kritikë të anomisë sociale dhe kaotizmit individual. Në se dy dekada më parë gjithçka ishte shoqërore dhe individuale pothuaj asgjë, tashmë ka një tendencë individualizmi ekstrem, një prirje anarkiste gati, që po zgjeron kufijtë e lirisë personale përtej mundësive që ka shoqëria. Madje duke mos përfillur ose duke nëpërkëmbur rregullat dhe vlerat paradigmatike të saj. Në konceptin teorik sociologjik thuhet shpesh se ekstremet herë bashkohen dhe herë të tjera ndërrojnë vendet midis tyre. Këtë formulë të veprimit paradoksal të njerëzve, të kalimit nga qenie totalisht e determinuar nga pikëpamja sociale, aspak e lirë nga pikëpamja individuale, në një shoqëri që po hipertofizon vetëm njërën anë, që ka të bëjë me liritë dhe të drejtat individuale të njeriut, duke kaluar çdo kufi social, e ndeshim përditë në jetën e njerëzve tanë. Vlerësimi i individit dhe rolit të tij në shoqëri është në të vërtetë kuintesenca e shoqërive moderne dhe demokratike të kohës tonë. Zgjerimi i pavarësisë dhe sovranitetit të njeriut në raport me familjen, institucionet publike dhe shoqërinë të marrë në tërësi, është një hap i madh i emancipimit të njëkohshëm të shoqërisë dhe të individit. Sepse liria nuk është vetëm vlerë sociale, por në radhë të parë një cilësi individuale që lejon që çdo njeri të jetë i dallueshëm në shoqëri, të ketë identitetin e vet social, pavarësinë nga determinimet e tepërta sociale të shoqërive të vjetra. Në një farë mënyre liria e individit në shoqërinë tonë është zgjeruar, sepse janë zbehur kontrollet sociale të jetës individuale, sepse janë hequr shumë pranga sociale të cilat e kishin reduktuar njeriun në një atom social që vërtitej i determinuar në orbitat fikse të shoqërisë, e cila diktonte sjelljen, punën, martesën, mënyrën e jetesës, pothuaj çdo gjë. Natyrisht duke parë vlerën e madhe të zgjerimit të lirive dhe të drejtave të njeriut në shoqërinë tonë, nuk mund ndërkaq të mos jemi të shqetësuar për shumë dukuri ekscentrike të individualizmit ekstrem, të mohimit të vlerës së shoqërisë dhe të integrimit social të individit, pasojat e të cilave janë tejet negative dhe penguese për stabilitetin demokratik të shoqërisë shqiptare. Nuk është ekuacion i lehtë social për shoqërinë shqiptare që të mund të realizojë unitetin midis koherencës individuale dhe kohezionit shoqëror, sepse si asnjëherë më parë vatrat e kundërshtive midis njeriut dhe strukturave sociale nuk kanë qenë kaq intensive dhe të koklavitura. Ndaj është koha të ndikojmë me të gjithë mjetet edukative dhe institucionale që të ruajmë raportet optimale midis lirisë së njeriut për të qenë në të njëjtën kohë i pavarur nga shoqëria, por njëherësh pjesë e jetës sociale të përbashkët…Nuk është rastësi që shoqëria njerëzore sot është përballë dilemës ekzistenciale se si mund të gjenden ato mekanizma që bëjnë të mundur pajtimin e "socializimit me lirinë e individit". Që në fakt nuk është problem i lehtë…


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›