E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjerohet harta e rrëshqitjes së tokës në vend

FIER/VLORE- Rreshjet e shumta në vend të cilat kanë shkaktuar shkarje masive të tokës kanë krijuar shumë probleme në disa fshatra të komunës Frakull në Fier. Më serioze paraqitet gjendja në fshatin Peshtan Bregas . Si pasojë e shkarjes së tokës në rreth 50 hektarë janë shëmbur totalisht 7 banesa ndërsa dëme kanë pësuar dhe hektarë toke bujqësore të mbjella me pemë. Në momentin e shkarjes së tokës fatmirësisht nuk ka patur të lënduar në njerëz por dëmet materiale janë të konsiderueshme. Në shtatë banesat e shembura, banorët janë shpërngulur dhe janë strehuar tek bashkëfshatarët dhe të afërmit e ttyre. Shtëpitë e tyre janë të pabanueshme ndërsa bëjnë apel për ndihmë pasi kanë mbetur në qiell të hapur.
Shkarja e tokës e cila vazhdon ende, rrezikon edhe disa banesa rë tjera ndërsa të rrezikuara janë edhe varrezat e fshatit si dhe një shtyllë të tensionit të lartë e cila furnizon jugun e Shqipërisë me energji elektrike.
Në vendngjarje kanë shkuar edhe përfaqësues të komunës Frakull të cilët po merren dhe me verifikimin e dëmeve.

Rrëshqitje dheu ka patur edhe në aksin Vlorë-Sarandë në zonën e Radhimës disa kilometra larg qytetit të Vlorës. Rruga ka pësuar rënie të nivelit dhe për pasojë rrezikon të përfunojë në det. Aktualisht një nga akset rrugore ka dalë jashtë funksionit ndërsa qarkullimi po kryhet vetëm në njërin aks. Nga Drejtoria e Rrugëve janë marrë masa përmes vendosjes së shenjave sinjalistike për të mos lejuar kalimin. Rreth 1 km rrugë mbetet e dëmtuar nga carjet e krijuara në të ndërsa bllokimi i këtij aksi rrugor paralizon krejtësisht lëvizjen duke nisur nga Orikumi deri në Sarandë përgjatë gjithë gjatësisë së bregut.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›