E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria mund 3-2 Kosovën në festën kuqezi

PRISHTINE-Kombëtarja shqiptare ka fituar 3-2 në miqësoren me homologen e saj kosovare, në një ndeshje simbolike të luajtur dje në kryeqytetin Prishtinë. Në fakt, takimi ka qenë një festë e vërtetë dhe ndoshta në fund mund të kishte nga ata që s’e dinin fare rezultatin. Në stadiumin “Prishtina” 10 mijë vetë kanë sfiduar të ftohtin dhe shiun që nuk ka reshtur për asnjë sekondë. Kombëtarja shqiptare duket se ka një shije tjetër për këta njerëz, të cilët shpesh udhëtojnë me qindra kilometra për të parë ndeshjet e saj në Tiranë. Në fushë, futbollistët janë munduar më së miri ta respektojnë këtë interesim, duke dhuruar momente të bukura dhe një lojë që shpesh i ngjante një sfide të vërtetë. Në fund, të fituar kanë dalë shqiptarët, kanë dalë tifozët që për 90 minuta përkrahën të dyja skuadrat, por ka dalë i fituar edhe Josip Kuzhe që ka provuar disa prej elementëve të rinj të kampionatit.
Atmosfera
Në stadiumin e kryeqytetit të Kosovës, atmosfera patriotike ndjehet që në hyrje. Në rrugë nuk ka vetëm flamuj kosovarë, por edhe të Shqipërisë me shqipen dykrenare, si edhe flamuri amerikan. Festa ndjehet kudo, por më së shumti në lokalet dhe institucionet e shtetit më të ri të Evropës, të cilat në këtë ditë janë mbyllur. Megjithëse bie shi, njerëzit preferojnë të ecin në këmbë deri në dyert e stadiumit të Prishtinës. Një ndeshje e tillë ndoshta nuk ka shumë vlera të mëdha nga ana futbollistike, por për të ngrohur zemrat e njerëzve po. Ndryshe, nuk ka si shpjegohet që në fillimin e saj, shkallët kanë qenë të mbushura me mbi 10 mijë vetë. Futbollistët e kombëtares shqiptare shihen gjithandej me admirim, ndonëse preferenca e tifozëve është që të fitojë Kosova. Përpara ndeshjes, këndimi i dy himneve kombëtare nga Kastriot Tusha, në fillim ai shqiptar e më pas ai kosovar, të linte të kuptoje qartë se në fushë nuk ndesheshin dy skuadra kundërshtare. Të gjithë kanë kënduar së bashku vargjet e ASdrenit, por edhe intonimin e himnit të shtetit të ri.
Ndeshja
Përsa i përket ndeshjes, ajo nisi menjëherë me gol për Shqipërinë, pasi Ditmar Bicaj realizoi me kokë pas një goditje këndi të Elis Bakajt. Edhe pse në një stadium “kundërshtar”, të gjithë ngrihen në këmbë për të brohoritur. Minuta e 20-të, sjell një entuziazëm të rrallë në stadium, pasi Shpëtim Hasani, sulmuesi kosovar që luan në Suedi, realizoi golin e barazimit pas një insistimi të Robert Xheraj nga e djathta. Në minutën e 30-të, Gjergji Muzaka pengohet në zonë nga Papuçi dhe arbitri fishkëllen penallti. Mesfushori i Tiranës e realizon vetë dhe me këtë rezultat shkohet në dhomat e zhveshjes. Në pjesën e dytë, Kuzhe hedh në fushë të gjithë lojtarët që ka në stol, ndërsa të njëjtën gjë bën edhe homologu i tij Bunjaku. Në një ditë të tillë, askush nuk duhet të mungojë të tregojë veten në fushë. çerek ore para përfundimit, Kosova do të barazojë me një eurogol të realizuar nga i sapofuturi në fushën e lojës Dukagjin Gashi. Një gjuajtje fluturimthi që nuk i jep asnjë shans Moçkës të reagojë. Megjithatë, ndeshja u mbyll me golin e Bekim Balës, që realizoi saktë në zonë pas një krosi të ardhur nga një goditje standarte. Në këto momente, pak zhgënjim ka pasur te tifozët kosovarë, që shpresonin te një barazim nga skuadra e tyre.

NDESHJA
Kosovë-Shqipëri 2-3
Shenues: 20’ Hasani, 74’ D.Gashi / 5’ Bicaj, 30’ Muzaka, 90’ Bala
FORMACIONET
Kosova: Mushica; Xheraj (55’ Krasniqi), Hoxha (46’ Leci), Maliqi (55’ D. Gashi), Papuçi; Kukaj (55’ Duraku), Nallbani (55’ Sejdiu), Raskaj. A. Gashi (Hyseni); Hasani, Zabërxha (55’ Zejnullahu). Tr. Albert Bunjaku
Shqipëria: Lika (46’ Moçka); Pisha, Bicaj, Veliu (46’ Ferraj), Muça (46’ Sefa), Veliaj (46’ Hoxha), Muzaka (44’ Cikalleshi), Bakaj, Vila, Bala. Tr. Josip Kuzhe
TRIBUNA VIP
Në tribunën VIP të stadiumit “Prishtina” të Kosovës ndodheshin dy presidentët e federative përkatëse, ai i FSHF-së Armand Duka si edhe ai i Federatës Kosovare Fadil Vokrri. Nuk mungonin dy ministrant e sportit përkatës, ai i Shqipërisë Ferdinand Xhaferri si edhe ministri i sporteve i Kosovës Valton Beqiri.
TIFOZëT
Mbi 10 mijë tifozë kanë qenë të pranishëm dje në stadiumin e kryeqytetit kosovar. Një pjesë e vogël janë larguar për shkak të reshjeve të shiut, megjithatë pjesa dërrmuese qëndroi për 90 minuta duke parë takimin. Ajo që binte në sy ishte edhe prania jo e vogël e publikut femëror në stadium.
ATMOSFERA
Ovacione për himnin e Shqipërisë, Këngë çame e pankarta, patriotizëm në stadium
Megjithëse do të luhej një ndeshje miqësore, atmosfera e djeshme në stadiumin “Prishtina” ka patur nota të theksuara patriotizmi. Një gjë e tillë kuptohej lehtë jo vetëm nga flamujt dhe pankartat e shumta, por sidomos në momentin e këndimit të himnit kombëtar të Shqipërisë. Tenori Kastriot Tusha i emocionoi të gjithë, duke shkaktuar ovacione pas përfundimit të vargjeve të Asdrenit. Një atmosferë tjetër solli edhe grupi “Ansambli çamëria”. Këngët çame ngritën në këmbë të gjithë njerëzit, ndërsa pankarta “Pa Kosovë e çamëri, nuk ka Shqipëri”, ishte domethënia e këtij konteksti patriotik. Pritja ndaj shqiptarëve është vërtetë mahnitëse, madje edhe kur bëhet ndonjë ndërrim i futbollistëve kuqezinj, stadiumi është në këmbë. “O sa mirë me ken shqiptar”, ka qenë një refren i vazhdueshëm përgjatë 90 minutave të takimit, ndërsa thirrja “Shqipëri Etnike”, ishte vazhdimisht e pranishme në këtë impiant 16 mijë vendësh.
UDHETIMI
Kombëtarja, kafe e batuta nga Rinasi në Prishtinë
Ekipi kombëtar është nisur dje rreth orës 9.10 nga aeroporti ndërkombëtar i Rinasit. Futbollistët janë paraqitur aty një orë më përpara, duke konsumuar kafe dhe duke shkëmbyer biseda, kryesisht në lidhje me futbollin. Të fundit që kanë mbërritur në aeroport ishin presidenti i Federatës Armand Duka dhe ministri i Sporteve Ferdinand Xhaferri. Udhëtimi me çarter drejt kryeqytetit kosovar zgjat shumë pak, ndërsa në këto minuta nuk mungojnë batutat e futbollistëve. “Jemi duke kaluar mbi shtëpinë e Malotës”, i thotë Bicaj Arjan Pishës, duke nënkuptuar se avioni ndodhej mbi Lezhë. i ftohti që i priste në Prishtinë ka qenë shqetësimi më i madh për futbollistët. “Madje jemi veshur edhe me kostume”, thoshte Pisha, që gjithsesi është nga ata që e përjeton më qetë udhëtimin. Në pritje, në aeroportin e Prishtinës, kishin dalë drejtuesit më të lartë të Federatës Kosovare si edhe drejtues të tjerë të sportit e politikës në vend.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›