E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjerohet terminali i pasagjerëve në aeroportin “Nënë Tereza”

Terminali i ri i pasagjerëve në Aeroportin Ndërkombëtar "Nënë Tereza" në Rinas, pritet të inagurohet nesër, duke shënuar kështu përfundimin e investimit për fazën B, për zgjerimin dhe modernizimin e këtij aeroporti. Investimi gjatë kësaj faze nga ana e konçensionarit Tirana International Airoport shkon në rreth 20 milionë euro, duke arritur në total 70 milion euro, dhe falë tij, tashmë mund t’ju shërbehet me një cilësi më të lartë me shumë se 1 milion e gjysëm pasagjerësh në vit, ndërsa pothuaj janë dyfishuar sportelet e pritjes dhe të trajtimit të bagazheve. Sipas burimeve zyrtare të TIA-s, do të jenë 14 sportele të reja pritjeje, banke dhe agjenci këmbimi valutor. Ndërsa në pjesën mbrapa, pas kontrollit të dokumentave, do të jenë 3 porta të reja për daljen e pasagjerëve në pistë, bar të ri dhe një hapësirë të madhe dyqanesh. Volumi i objektit është afërsisht 40,000 m³. Këtu përfshihet dhe një sallë biznesi e cila nga 130 m² do të arrijë një sipërfaqe prej 300 m² . "Ky terminal mund t’ju shërbejë të paktën 1 milionë e gjysëm pasagjerëve në vit", thanë burimet, duke shtuar se "vitin e kaluar ne arritëm të rregjistrojmë 1,3 milionë pasagjerë, pra duke parë këtë ecuri ne po vijojmë me programin e zgjerimit". Sipërfaqja e zgjeruar në terminalin e pasagjerëve shkon në rreth 4 800 metra katrorë, 890 prej të cilave i takojnë pajisjeve për transportin e bagazheve. Ndërkaq është mëse 2-fishuar edhe hapësira e sallës biznes. Burimet shtuan se pasagjerëve do t’u ofrohen shërbime më cilësore. Struktura me një kat dhe kanale shërbimi nëntokësore të pajisura me sistem kondicionimi dhe ngrohjeje do të ofrojnë shërbime më cilësore për pasagjerët me të gjitha lehtësirat e duhura. Punimet të cilat përfaqësojnë Fazën B të modernizimit të aeroportit i shtojnë 40 përqind sipërfaqes së tij ekzistuese, dhe në këtë mënyrë do të shtojnë kapacitetin operativ të aeroportit. Faza e parë e ndërtimit të terminalit për pasagjerët ka filluar në maj 2005 e që kushtoi rreth 50 milion euro, e cila përfundoi në pranverën e 2007, duke mundësuar një kapacitet prej 1 milion pasgjerësh në vit, ndërkohë që me zgjerimin e ri kjo shifër rritet edhe me 500 mijë pasagjerë.  Edhe gjatë fazës B të modernizimit, të gjitha projektet  janë zbatuar nga kontraktori shqiptar: Trema Engineering 2 SHPK në përputhje me standardet ndërkombëtare (Britanike). Kompania ndërtuese gjermane DIËI Consult International ka kontrolluar projektet dhe mbikqyri ndërtimet. Fluturimi i parë nisi më 21 mars 2007 nga Terminali i ri në Aeroportin "Nënë Tereza", i ndërtuar nga "Tirana International Aeroport" (TIA). TIA e ka marrë me konçension të tipit BOOT Aeroportin "Nënë Tereza" në prill, 2005, duke u bërë kështu, përgjegjëse ligjore e aeroportit, që ka detyrime për të planifikuar, financuar dhe modernizuar atë deri në vitin 2024, kohë kur i mbaron kontrata konçensionare me qeverinë shqiptare. Aeroporti "Nënë Tereza" u ndërtua në vitin 1957. Numri i fluturimeve ishte i ulët dhe linjat e vetme ajrore ishin "Aerflot", "JAT" "Malev", "Tarom", "Interflug". Pas vitit 1960, fluturimet u kufizuan akoma më shumë, ndonëse në vitin 1974 u bënë disa punime për përmirësimin e lehtësirave në këtë aeroport. Pas vitit 1992, kohë kur nisën transformimet politike në Shqipëri, u rrit ndjeshëm si numri i udhëtarëve, ashtu dhe e linjave të fluturimit.Nisur nga rritja e kërkesës për udhëtime përmes linjave ajrore, në vitin 2005 Këshilli i Ministrave zhvilloi tenderin për ndërtimin e terminalit të ri, ku fituese u shpall "Tirana International Airport". 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›