Gjinushi: PSD, program për bujqësinë
TIRANË- Kreu i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi, ka vijuar turin e tij elektoral me takime në Komunën e Pojanit dhe në qytetin e Korçës.
Gjinushi ka theksuar se reformën në bujqësi, Partia Socialdemokrate e kupton duke përfshirë edhe rininë në fshat, e cila duhet të përgatitet si kontingjent i domosdoshëm për qytetet e ardhme.
"PSD-ja është e përgatitur për këto zgjedhje, sepse vlerëson se më 28 qershor duhet të bëhet ndryshim i madh, duhet që Shqipërisë t'i jepet alternativa më e mirë, duhet që të largohet qeverisja e mbrapshtë", - tha Gjinushi.
Veliaj: Ndryshimi do të vijë nga të rinjtë
TIRANË- Kreu i G99-ës, Erion Veliaj, inkurajoi dje studentët që të investojnë tek e ardhmja dhe edukimi.
Në një takim në sheshin "Demokracia", në Qytetin Studenti, duke theksuar simbolikën e vendit të tubimit nga ku kanë nisur dhe lëvizjet demokratike në fillim të viteve '90-të, Veliaj tha se çdo ditë e më shumë po bëhej e qartë se kush është grupi më i rëndësishëm në këto zgjedhje.
"Ky nuk është momenti i gjyshërve tanë, as i prindërve tanë, por është momenti ynë. Të gjithë flasin se do ta ndryshojnë Shqipërinë.
Ajo që unë do të thosha, është se ka vetëm një grupim, që mund ta ndryshojë Shqipërinë, ata janë të rinjtë e Shqipërisë dhe studentët e Shqipërisë", - theksoi kreu i G99-ës, Veliaj