E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjidhen pesë kryetarët e gjykatave

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Këshilli i Lartë i Drejtësisë zgjedh pesë kryetarë gjykatash. Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda në vend të Sandër Simonit është zgjedhur Dritan Hallunaj, ndërsa Gjovalin Përnoca, gjyqtari që ktheu në detyrë kreun e Tatimeve, Arben Sefgjini, është zgjedhur kreu i Apelit të Krimeve të Rënda, duke zëvendësuar kështu Dhimitër Lalën. Institucioni më i lartë i drejtësisë, me shumicë votash, ka zgjedhur dhe krerët e gjykatave të rretheve, të cilët do të jenë: Artur Malaj për qarkun e Vlorës, Alltun Çela për Sarandën dhe Kastriot Selita për Peshkopinë.
Kryetarët e gjykatave
Pas përfundimit të mandatit të pesë kryetarëve të gjykatave në shkallë vendi, është zhvilluar dje votimi për zëvendësuesit e tyre. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka zgjedhur në krye të Apelit për Krime të Rënda Gjovalin Nocën, i cili konkurronte për këtë post me Dhimitër Larën me një diferencë të ngushtë votash. Ndërsa nga katër kandidaturat për Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda është zgjedhur Dritan Hallunaj, i cili la pas me vota kryetarin Sandër Simoni, që rikandidoi për këtë post. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka zgjedhur gjithashtu dhe krerët e gjykatave të rretheve, të cilët do të jenë: Artur Malaj për qarkun e Vlorës, Alltun Çela për Gjykatën e Sarandës dhe Kastriot Selita për Peshkopinë. Zgjedhjet e djeshme në KLD pasuan emërimin e 16 kryegjyqtarëve të rinj në mbarë vendin, ndërkohë pak ditë më vonë përfundon mandati i kryetarit të Gjykatës së Lartë, Thimio Kondi, pasuesi i të cilët do të zgjidhet sërish nga votimet në KLD.
Presidenti
Presidenti i Republikës, njëkohësisht dhe Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, deklaroi dje se Reforma në Drejtësi është mënyra më e mirë për riorganizimin e këtij sistemi. Ndërkohë që krerët e gjykatave të zgjedhur dje pritet të marrin javën e ardhshme drejtimin e këtyre institucioneve.

Kryetarët e pesë gjykatave
Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda
Dritan Hallunaj
Gjykata e Apelit për Krime të Rënda
Gjovalin Pernoca
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë
Artur Malaj
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë
Alltun Çela
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër
Kastriot Selita
Ky lajm është publikuar: 29/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›