KLD, hetim procedurës gjyqësore për masën ndaj 18-vjeçarit të dhunuar
Gjykata la në burg agjentin e antidrogës, keqtrajtoi të riun
Avokati i Popullit, kritika ndaj prokurorit dhe gjyqtares
Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) është duke verifikuar procedurën gjyqësore të ndjekur nga Gjykata e Sarandës ndaj 18-vjeçarit Aristidh Glluçaj, i arrestuar pak ditë më parë, si i dyshuar për “kalim të paligjshëm të kufirit”. Fakti bëhet i ditur nga burime zyrtare pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të cilat pohuan se inspektorët e KLD-së janë duke verifikuar seancën për masën e sigurisë dhënë ndaj këtij shtetasi nga gjykata e Sarandës, i cili humbi ndjenjat në gjykatë si pasojë e dhunës fizike të ushtruar ndaj tij në policinë e Sarandës. Megjithëse në një gjendje të rëndë, gjykata vendosi ndaj tij masën e sigurisë "30 ditë burg". Pas kësaj ngjarjeje, reagoi Avokati i Popullit, i cili denoncoi dhunën e ushtruar në polici ndaj këtij shtetasi, si dhe kërkoi nga prokuroria hetim të çështjes. Madje, Avokati i Popullit nuk ka lënë pa kritikuar edhe prokurorin dhe gjyqtaren e çështjes, duke iu drejtuar organeve kompetente, KLD-së dhe Prokurorisë së Përgjithshme për ta. Dobjani ka kritikuar prokurorin për masën “burg me afat” kërkuar për 18-vjeçarin, si dhe gjyqtaren për vazhdimin e seancës dhe caktimin e masës “burg me afat 30-ditor”. Ndërkohë që gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-agjentin e seksionit të luftës kundër krimit të organizuar në komisariatin e policisë së Sarandës, Ardit Hasanbega, i cili do të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve për akuzën që rëndon tashmë mbi të. Polici akuzohet për “përdorim dhune” ndaj 17-vjeçarit vlonjat të ndaluar ditë më parë me akuzën “favorizim të kalimit të paligjshëm të kufirit kundrejt përfitimit”. Në dhomat e paraburgimit, sipas Avokatit të Popullit, në këto mjedise është përdorur tortura nga policia. Në sallën e gjyqit të ndaluarit të keqtrajtuar i ra të fikët para trupit gjykues. Për disa ditë ai u mjekua në spitalin e Sarandës, por sipas drejtorit të spitalit, dy ditë më parë ai u përcoll “për analiza të plota në Tiranë, pasi në spitalin e Sarandës nuk ka radiografi, skaner”.