Industria dhe shërbimet, të ekspozuara ndaj krizës globale
Në veçanti, sektorët e industrisë dhe të shërbimeve paraqesin pritshmëri negative për performancën e tyre në vitin 2009, ndërkohë që gjendja në sektorin e ndërtimit paraqitet relativisht më optimiste. Rezultatet disi pesimiste janë nxjerrë nga një anketim që Banka e Shqipërisë u ka bërë ndërmarrjeve të biznesit. Nisur nga kjo situatë, vështirësitë e bizneseve dhe zhvillimet e ekonomisë reale gjatë vitit 2009, do të ndikojnë në nivelin e punësimit duke kufizuar rritjen e të ardhurave të familjeve. Pritjet më të ulëta për kushtet ekonomike gjatë këtij viti, mund të ndikojnë sjelljen e biznesit dhe të konsumatorit në drejtim të uljes së investimeve dhe të konsumit. Nga ana tjetër, ngadalësimi i ekonomisë ndërkombëtare, rënia e çmimeve të lëndëve të para të energjisë dhe të produkteve ushqimore, si dhe pritjet për një rënie të kërkesës nga ana e sektorit real të ekonomisë pritet të ulin vëllimin e tregtisë dhe të mbajnë në kontroll deficitin e bilancit tregtar për pjesën më të madhe të vitit 2009. Kështu, sipas parashikimeve, viti 2009, në kushtet e thellimit të mëtejshëm të krizës ndërkombëtare, do ta përballë ekonominë shqiptare me disa sfida të reja. Rritja ekonomike vjetore pritet të jetë pozitive, por ndjeshëm më e ulët se në vitin 2008. BSH-ja rekomandon se, politikat monetare dhe ato fiskale duhet të përshtaten në vazhdimësi, në përputhje me ecurinë e objektivit për të siguruar qëndrueshmërinë e treguesve makroekonomikë dhe financiarë të vendit.
OSSH-ja pajis konsumatorët me kartën e azhurnimit
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes po e shtrin në të gjithë vendin procesin e pajisjes me kartelën e azhurnimit për rreth 1 milion abonentët e tij. "Procesi që ka nisur në janar, po shtrihet në të tre sektorët; privat, ku përfshihen abonentët e vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj, abonentët familjarë, buxhetorë dhe jobuxhetorë", - tha dje drejtori i Departamentit të Shitjes në OSSH, Ilirjan Shkëmbi. Sipas tij, në kartelën e azhurnimit përfshihen adresat e abonentëve, të dhënat teknike për sistemin e matjes në terren si pika e lidhjes, matësi, vula dhe transformatori. "Me regjistrimin e abonentëve do të bëhet i mundur verifikimi dhe kryerja e ndërprerjeve të energjisë elektrike në rast se abonentët rezultojnë debitorë, apo nuk janë të pajisur me dokumentacionin përkatës", - tha Shkëmbi.
Për këtë proces, OSSH-ja ka përgatitur formularët "Raport azhurnimi", ku grupet që janë në terren, një kopje me të dhënat për abonentët.
8 Prill 2009