E Diel, 1 Nëntor 2026

Rregullorja, si do të ndryshojnë dhe jepen licencat për institucionet e mikrokredisë

Afatet, dokumentet dhe procedurat për institucionet jobankare. Këto institucione kanë kredituar rreth 50 mijë klientë

Ervin KOÇI

Licencimi dhe ushtrimi i veprimtarisë së institucioneve jobankare është rregulluar së fundi me një rregullore që ka hyrë në fuqi prej disa ditësh. Në të përcaktohen kushtet, kërkesat, afatet, dokumentacioni dhe procedurat për licencimin e subjekteve financiare të mikrokredisë, miratimin e agjentit të subjekteve financiare jo banka, si dhe dhënia e miratimeve paraprake apo detyrimet për njoftime në Bankën e Shqipërisë gjatë ushtrimit të veprimtarisë nga ana e subjekteve financiare jo banka dhe institucioneve të mikrokredisë. Këto institucione të mikrokredisë mund të japin shuma jo më të mëdha se 600.000 lekë ose të njëjtën vlerë në valutë. Kështu, rregullorja përcakton: “Institucion financiar i mikrokredisë do të quhet subjekti financiar jo bankë që ka si objekt të aktivitetit të tij vetëm kredidhënien dhe shërbimet këshilluese për veprimtarinë e kredidhënies, që ka vlerë mesatare të kredisë për një kredimarrës jo më të madhe se vlera e mikrokredisë dhe të paktën 50 për qind e portofolit të kredisë përbëhet nga mikrokredi”. Kapitali fillestar minimal i kërkuar për të ushtruar veprimtarinë financiare të transferimit të parave si agjent i një subjekti jo bankë është një milion lekë. Licenca ndërkaq përfshin emrin tregtar të subjektit, aktivitetet për të cilat është licencuar, numrin dhe datën e lëshimit të saj, si dhe emërtimin “institucion financiar mikrokredie”.

Institucionet jobankare

Në vendin tonë funksionojnë aktualisht rreth 130 shoqëri kursim-krediti, 3 institucione financiare jobankare dhe 4 fondacione krediti me një tepricë rreth 100 milionë dollarë amerikanë. Kundrejt totalit të kredisë, duke përfshirë edhe sistemin bankar shqiptar, kredia nga institucionet mikrofinanciare zë rreth 5.2 për qind të saj. Ndërsa nisur nga sasia e klientëve që ajo mbulon zë rreth 50 mijë klientë, të cilët përbëjnë shtresën më të varfër të popullsisë. Institucionet mikrofinanciare, sipas qëllimit të tyre të krijimit, financojnë kredi në biznese të vogla dhe shumë të vogla, për të ndikuar në zbutjen e varfërisë dhe zhvillimin e mikrobiznesit në tërësi. Këto institucione e kanë filluar aktivitetin e tyre që nga viti 1993, me iniciativën e Bankës Botërore, nëpërmjet financimit në formën e grandeve ose kredive të buta të saj. Gjatë një periudhe 13-14-vjeçare, këto institucione janë konsoliduar dhe sot veprojnë në përputhje me ligjet e komercializmit, si pjesë e tregut bankar financiar. Të gjitha këto institucione i nënshtrohen ligjit të sistemit bankar dhe rregulloreve të Bankës së Shqipërisë. Në këtë sistem bëjnë pjesë edhe unionet e shoqatave të kursim kredisë, të cilat kanë ligjin e tyre të veçantë. Ndërsa pjesa tjetër i nënshtrohet rregullores së Bankës së Shqipërisë për subjektet financiare jobankare.

Kushtet e reja

Në listën për titujt ekzekutivë janë përfshirë edhe akteve për dhënien e kredive nga institucionet financiare jobankare, që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e dhënies së kredive, dhe që janë themeluar si persona juridikë, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Shtesa është realizuar në Kodin e Procedurës Penale, me qëllim eliminimin e burokracive që lindin gjatë marrëdhënieve huamarrës-huadhënës. Në këto marrëdhënie ka edhe raste të cilat përfundojnë me zgjidhje ligjore nëpërmjet vendimeve të gjykatës, për marrjen e titullit ekzekutiv, gjë e cila e detyron debitorin të shlyejë kredinë ose zyrat e përmbarimit të ekzekutojnë titujt e garancisë. Ndryshimi u bë pasi në Kod, për sistemin bankar, marrja e titullit ekzekutiv ishte e qartë, ndërsa për institucionet mikrofinanciare, shpesh nga gjyqtarë ose gjykata të rretheve ky titull nuk jepej për arsyetim, duke arsyetuar se ky nen ishte vetëm për bankat dhe jo institucionet bankare. Kjo gjë është sanksionuar në rregulloren e Bankës së Shqipërisë për institucionet financiare jobankare.

Depozitat në institucionet jobankare do të mbrohen me ligj

Depozitat e qytetarëve në shoqëritë e kursim-kreditit do të përfshihen në skemën e sigurimit pas 3-6 muaj. Ky është afati që deputetët e Komisionit të Ekonomisë u lanë ekspertëve të Bankës së Shqipërisë për të përgatitur kuadrin ligjor për rregullimin e veprimtarisë së këtyre institucioneve financiare jobankare. Kjo ka ardhur pas miratimit të projektligjit të qeverisë për rritjen e kufirit minimal të sigurimit të depozitave në rast të falimentimit të bankave, nga 700 mijë lekë në 2,5 milion lekë. Por shoqëritë e kursim kreditit janë lënë jashtë këtij ligji, meqë e gjithë veprimtaria e tyre do të rregullohet me ligj të veçantë. Ka qenë deputeti i Partisë Socialiste dhe ish-ministër i Financave, Arben Malaj, i cili kërkoi rregullimin e kësaj pjese sa i përket shoqërive të kursim kreditit. “Fjala depozita apo forma të tjera të grumbullimit nga institucione që në profilet e tyre nuk janë bankare, por nga problematika që krijojnë kanë efekt negativ zinxhir ky është rasti për t’i përfshirë”, - theksoi deputeti Malaj. Lënia jashtë kësaj skeme e shoqërive të kursim kreditit bëhet për shkak se ajo është një nga rekomandimet që na kanë lënë FSFC-ja, Banka Botërore dhe FMN-ja.

8 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›