E Diel, 1 Nëntor 2026

Benda në takim me Topin: Pavarësia e institucioneve e rëndësishme për integrimin



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje një takim në Pallatin e Brigadave me kryetarin e Komisionit për Kushtetutën dhe Çështjet Ligjore të Parlamentit çek Marek Benda dhe delegacionin që e shoqëronte në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë. Në këtë takim, presidenti Topi mori nga z. Benda urimet më të përzemërta për anëtarësimin e Shqipërisë me të drejta të plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, çka është, ndër të tjera, një vlerësim për ecurinë e reformave të gjithanshme të ndërmarra nga shteti shqiptar dhe “një moment shumë i rëndësishëm jo vetëm në drejtim të sigurisë, por edhe një vulë certifikimi nga bashkësia ndërkombëtare për Shqipërinë, si një vend me të vërtetë demokratik”. Në vijim të bisedës dy personalitetet janë ndalur në zhvillimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Çekisë, të cilat i vlerësuan si cilësisht dhe tradicionalisht shumë të mira. Presidenti Topi dhe z. Benda shprehën interesimin e përbashkët për zgjerimin, thellimin dhe intensifikimin e mëtejshëm të tyre, sidomos në spektrin ekonomik. Kryetari i shtetit vuri në dukje klimën e përshtatshme që ofron vendi ynë për investimet e huaja dhe ftoi për më tepër investime në Shqipëri nga bizneset prestigjioze çeke. Gjithashtu, presidenti Topi bëri dhe një panoramë të zhvillimeve më të fundit në Shqipëri për reformat kryesore të ndërmarra, po ashtu dhe të parapërgatitjes për procesin zgjedhor më 28 qershor. Presidenti i Republikës shprehu bindjen në vullnetin dhe angazhimin e klasës politike shqiptare për realizimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të pakontestueshme, si një garanci më shumë për të ardhmen e Shqipërisë në familjen e madhe europiane. “Ne jemi të bindur, - u shpreh presidenti Topi, - se integrimi i vendit në Bashkimin Europian është një sfidë që ne do ta përmbushim me përkushtim dhe përgjegjshmëri të lartë, për të siguruar për qytetarët shqiptarë më shumë alternativa dhe mundësi zhvillimi dhe mirëqenieje”.
Nga ana e tij, z. Benda vlerësoi arritjet e deritanishme të bëra nga vendi ynë për integrimin euroatlantik, që kulmuan para pak ditësh me anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Pasi është informuar lidhur me ecurinë e reformave për përmirësimin dhe konsolidimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, z. Benda shprehu mbështetjen e shtetit çek në këtë drejtim, duke theksuar se “reformat në Drejtësi, në funksion të rritjes dhe konsolidimit të pavarësisë së Gjyqësorit, përbëjnë standarde të vërteta integruese”. Benda vuri në dukje se një kontribut i rëndësishëm në këtë drejtim është dhe intensifikimi i lidhjeve dhe kontakteve mes strukturave parlamentare të dy vendeve, duke shprehur mbështetjen dhe gatishmërinë e ndarjes së përvojës integruese dhe ligjore të Parlamentit çek me vendin tonë si duke rritur bashkëpunimin ndërparlamentar, ashtu edhe në ndihmesën përsa i përket hartimi të ligjeve.
Në lidhje me integrimin e ardhshëm të Shqipërisë në gjirin e familjes së madhe europiane, Benda theksoi se “përparësia e presidencës çeke të radhës është pikërisht përmbushja e synimit të zgjerimit dhe integrimit të vendeve të reja, gjithmonë pasi të jenë plotësuar të gjitha standardet e kërkuara, standarde për të cilat vendi ynë është në rrugën e mbarë të përmbushjes me sukses”.

8 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›