“Zgjidhja është vetëm dorëzimi i Edi Ramës!”- Ish-deputeti Azgan Haklaj: Berisha po përpiqet të rrëmbejë protestën! Studentët ta mbajë larg
Ish-deputeti Azgan Haklaj, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, se po bashkëpunojnë për të marrë nën kontroll protestën studentore dhe për ta zhvendosur zgjidhjen politike mes tyre.

I ftuar në News24, ai ka deklaruar ndër të tjera se zgjidhja e krizës politike në vend është dorëheqja pa kushte e kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie teknike me një kod të ri zgjedhor.
“Ka një marrëveshje të qartë të Berishës me Ramën. Berisha po përpiqet të rrëmbejë protestën me mbështetjen e Ramës, që zgjidhja të jetë mes atyre të dyve”, u shpreh Haklaj.
Më tej Haklaj tha se mbështet studentët dhe qëndresën e tyre, por shtoi se në protestë janë infiltruar persona të lidhur me Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike, me qëllim krijimin e incidenteve.
Ish-deputeti u bëri thirrje studentëve të mos lejojnë përfshirjen e partive politike në protestë, duke kërkuar në mënyrë të veçantë që Sali Berisha të mbahet larg lëvizjes studentore.
“Përjashtojeni Sali Berishën nga protesta, sepse po përpiqet ta marrë peng protestën me ndihmën e Ramës. Protesta është thirrur nga studentët dhe diaspora. Larg politika nga protestat! Nuk kanë nevojë për duar politike ato”, deklaroi Haklaj.
Azgan Haklaj: Media juaj ka qenë përçuese e së vërtetës së protestës studentore. Bëhen thuajse pesë muaj nga nisja e protestave. Shohim një hipokrizi të kryeministrit Edi Rama. Nga njëra anë vendos karriget për dialog dhe nga ana tjetër shpërblen policët me 2500 euro për të rrahur protestuesit. Ka një marrëveshje të qartë të Berishës me Ramën. Berisha po përpiqet të rrëmbejë protestën me mbështetjen e Ramës, që zgjidhja të jetë mes atyre të dyve. Zgjidhja është vetëm dorëzimi pa kushte i Edi Ramës dhe një qeveri teknike me një kod të ri zgjedhor. Ku ishte opozita? Çfarë aksioni ka bërë? Ka bërë aksion të maskuar: paradite aksion, pasdite koncesion.
Aleanca e kullave është bashkë. Rama dhe Berisha janë bashkë. Ata janë bashkë. Janë autorët e konstruktimit të republikës së korrupsionit. Dyshja Rama-Berisha, binomi Rama-Berisha, në vijimësi kanë bashkëpunuar. Kanë burgosur votën e lirë dhe sot duhet të çburgoset vota e lirë, gur themeli i institucioneve dhe shtetit të së drejtës. Marrëveshja e palëve ka qenë kundër SPAK-ut, i cili është investim i ndërkombëtarëve. E votuan me imponim 140 deputetët SPAK-un dhe kanë bërë marrëveshje për ta goditur atë. Nuk pranuan heqjen e imunitetit të Ballukut. Është e gjithë qeveria nën akuzë. Kryetarë bashkish nën akuzë. Janë 31 deputetë pa certifikatë sigurie në Parlament. Kjo është e rëndë. Nuk kanë reshtur duke na prekur në sedër me patriotizëm. Patriotizmi nuk është ndaj qeverisë, por ndaj atdheut. Kemi parë Berishën duke thënë që do ta rrëzojë Ramën me çdo kusht. Ndjekim vetëm dy momente: selinë e PS-së dhe selinë e PD-së.
Bëjmë një krahasim me goditjen e selisë së PD-së në vitin 2022. Çfarë masash mori Rama? Tha se e kanë me njëri-tjetrin. Tri orë luftë atje për ta marrë me dhunë dhe, pasi nuk e mori me dhunë, ia dha vulën Sali Berishës. Prandaj rrihen studentët, se nuk ka opozitë morale. Se po të kishte, nuk do të guxonin të ngrinin dorë mbi studentët. Ndaj studentët kanë protestuar ndaj të dyja partive, këtyre që kanë mbajtur pushtetin për kaq dekada. Unë jam në mbështetje të protestës dhe kam marrë pjesë. Jam kundër akteve të dhunës, por nuk e bëjnë studentët atë. Janë njerëz të infiltruar nga PS-ja dhe PD-ja për të ushtruar dhunë. Shikoni goditjet: djegin katin e parë dhe kthehen e djegin katin e dytë apo të tretë të një ndërtese. Pastaj shkojnë te ministritë me radhë. Janë grupe të ndryshme. Shkuan te Bashkia e Tiranës, e gjetën derën hapur. Janë zinxhirët të trashë, nuk hiqen aq kollaj. Qëllimi i tyre është prishja e identitetit kriminal disavjeçar, amnistimi dhe shkuarja në një marrëveshje Rama-Berisha.
Ky binom ka rënë dhe u bëj thirrje studentëve: Përjashtojeni Sali Berishën nga protesta, sepse po përpiqet ta marrë peng protestën me ndihmën e Ramës. Protesta është thirrur nga studentët dhe diaspora. Siç kanë dhënë kontribut, do të japin kontribut sërish. PD-ja e Sali Berishës bëri një protestë me 100 veta para Parlamentit. Duke parë se nuk kanë njerëz, u futën te protestat e studentëve, që janë të pastra. Larg politika nga protestat! Nuk kanë nevojë për duar politike ato.