Grabisnin në rrugë me armë,dy në pranga, 2 në kërkim
22/08/2011 TIRANË- Dy të rinj që grabisnin kalimtarët janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë u shpallën në kërkim. Policia e Tiranës njoftoi dje arrestimin e një grupi hajdutësh, të cilët përmes armëve të ftohta vidhnin banorët në kryeqytet. Policia njofton se në sajë të operacionit të kryer kanë rënë në pranga Nebi Selimaj 19 vjeç dhe Leonard Rexha 22 vjeç, ndërsa janë shpallur në kërkim Bledar Dida 21vjeç dhe Mikel Pjetri 19-vjeç. Grupi i të rinjve e kryenin aktivitetin e tyre kriminal në zonë të ndryshme të kryeqytetit, ku nëpërmjet armëve të ftohta realizonin vjedhjen e sendeve personale dhe të hollash. Në cilësinë e provës materiale uniformat blu kanë sekuestruar 2 thika, 4 celularë, si dhe sende të tjera të vjedhura.