E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhaklina Dhimojani: "Mimoza Llastica, magjia që ëndërroj edhe sot"

TIRANË- Cilës vajzë nuk i ka shkuar një herë mendja si nëpër ëndërr të jetë një llasticë si Mimoza në film? Madje jo vetëm fëmijët e viteve '70 apo '80, të cilët ishin të kufizuar në mundësi për të realizuar dëshirat e tyre…të kufizuar edhe në vetë dëshirat e tyre, por edhe më vonë, në kohën e kukullave lloj lloj modelesh, të lodrave shumëngjyrëshe, të përkëdheljeve në familje… kudo! Edhe sot një fëmijë e ëndërron Mimoza Llasticën, për qendrën e vëmendjes, në të cilën ajo u vendos: Në fillim gjatë xhirimeve e më vonë, deri më sot e gjatë kohës dhe viteve në të cilat ky film ka mbijetuar.

"Mimoza Llastica" është fëmija më e llastuar e pallatit. Gjithë teka dhe kapriço, ajo nuk do që me lodrat e saj të luajnë fëmijët e tjerë të pallatit. Edhe kur luajnë ndonjëherë, gjithmonë do të gjejë një shkak për ta prishur lojën. Fëmijët mërziten vazhdimisht me këto sjellje të shoqes së tyre dhe nuk pranojnë t'i flasin dhe as të luajnë me llasticën. Mimoza fillon ta ndjejë vetminë. Ajo kupton se as gjyshja dhe as prindërit nuk ja plotësojnë dot gëzimin e shoqeve dhe shokëve bashkëmoshatarë. Me ndihmën e nënës Mimoza afrohet me fëmijët dhe u kërkon falje.

Çfarë ka mbetur sot nga protagonistja e dikurshme, çfarë bën sot ish Mimoza Llastica, Zhaklina Dhimojani, ndërsa ëndrrat, kryesisht për hir të mentalitetit, ia prenë në mes. Nuk është egoiste, sepse pavarësisht talentit që trashëgon e bija, kurrë nuk e ka parë këtë të fundit si një zgjerim të vetes….nuk e ka nxitur në mënyrë të imponuar; thjesht po bën atë që prindërit e saj nuk e bënë me Zhaklinën: Po mbështet të bijën në zgjedhjet e saj! Edhe sot do ishte kthyer me vrap në sheshet e xhirimit, sepse Zhaklina Dhimojani nuk pati kohë të "nginjej" me shesh-xhirimet, kamerat, dritat….edhe pse për disa kohë provoi studion televizive, nën drejtimin e një cikli emisionesh për fëmijë.
Ke mbetur një nga fëmijët më të dashur të historisë… Të "llaston" ende ky fakt?
Kjo më emocionon shumë. Do të thosha që më shumë se më llaston, më bën të ndihem e privilegjuar sepse të jesh një nga personazhet më të dashur të një publiku kaq selektiv që kalon më shumë se një brez, nuk është fati i shumë personazheve të kinemasë.
Ndërsa e sheh portretin tënd sot, nuk e ke aspak të vështirë të të identifikosh si Mimoza Llastica. Si ke mundur ta ndalosh kohën?
Nëse do ta merrnim si të vërtetë, unë do të thosha që një pjesë e mirë është për t'u lidhur me moshën e shpirtit. Është e vërtetë, kam mbetur për disa aspekte ajo adoleshentja ëndërrimtare. E dëgjoj shpesh këtë shprehje prej vajzës sime Alexit, që sot është 16 vjeç. Ajo më konsideron si shoqen e saj më të mirë.
Të kujtohet mënyra se si je "rekrutuar" për rolin e protagonistes?
E kujtoj shumë mirë .Kaloja përpara sheshit të ish mapos së Tiranës së Re. Dikush që bënte pjesë në një grup prej 4-5 personash më bëri shenjë të ndalesha. Nxora gjuhën për t'i përqeshur dhe bëra te largohem duke vrapuar, por një nga burrat që bënte pjesë në grup, arriti të më ndalte. Më pyetën si quhesha, sa vjeç isha, në cilën shkollë shkoja dhe nëse dija të recitoja. Më kujtohet që duke gënjyer u thashë që nuk dija të recitoja. Para se të shkoja, më bënë disa fotografi. Pak kohë më vonë, pashë përsëri të njëjtin grup në shkollën time .
Çfarë kishte të vërtetë jeta e Mimozës me atë të Zhaklinës, apo t'u desh të mësoje gjithçka nga fillimi?
Jo shumë, por megjithatë nuk e kisha aspak të vështirë të hyja në atë rol, ndonjëherë edhe duke improvizuar sepse Mimoza ishte në një farë mënyre brenda meje.
Të kujtohen vendet e xhirimit? Ke shkuar ndonjëherë vite më vonë?
Kam kaluar shumë shpesh, kjo edhe sepse sheshi i xhirimit, për pjesën jashtë, ishte në qendër të Tiranës, prapa bankës.
A i kujton mënyrat me të cilat stafi i filmit të orientonte drejt një interpretimi të caktuar?
Shpjegohej çdo gjë me imtësi nga regjisorja e talentuar dhe shumë e durueshme, Xhanfize Keko. Ndodhte ndonjëherë, që për shkak të kapriçove të mia të bëheshin ndryshime të vogla në ndonjë tekst ose edhe tek kostumet që përdoreshin, sepse për mua, unë duhet të kisha më të bukurat nga të gjitha vajzat e tjera.
Si e ke përjetuar herën e parë kur ke ndjekur filmin? Me kë ke qenë? Kush të uroi i pari?
Këtu do të të zhgënjej pak, sepse çuditërisht atë mbrëmje në Pallatin e Kulturës ku u bë premiera e filmit, unë nuk kujtoj shumë detaje. Më kujtohet vetëm që teta Xhana më prezantonte me shumë kolegë e miq të saj, duke përdorur shprehjen ¨aktorja ime".
Jam kurioze të di… a ke mbajtur ndonjë kontakt me ish shoqet e vogla të lagjes së filmit?
Kontakte shumë pak edhe për faktin që në vitet më vonë ato do të humbnin sepse jeta na shpërndau kudo nëpër botë, por në mes të miqve të mi në facebook, kam edhe Elona Dilon, vajzën që asokohe ¨ më lëpiu gjalpin". (qesh)
A ishin projektuar ëndrrat për të ardhmen në kinematografi? Pas "Qortimet e vjeshtës", ju nuk u patë më. ..
"Qortimet e vjeshtës" e kam xhiruar në moshën 17 vjeçare. Pas atij roli për mua ishte mëse e qartë që e ardhmja ime nuk ishte në kinema edhe për një fakt që s'duhet injoruar. Për të pasur role pas një moshe të tillë, në përgjithësi duhet të ishe studente e Akademisë së Arteve. Ndërsa mua nga ana e familjes time, kjo shpresë për të studiuar në këtë shkollë më ishte prerë prej shumë kohësh, si pasojë e mentalitetit të prindërve që të merresha me art.
Nëse do të mundnit të ktheni kohën pas, çfarë do të bënit ndryshe?
Natyrisht shumë por Mimozën do ta lija tek gjërat për t'u bërë përsëri.
Po shihja fotot e vajzës në facebook…. Ngjani si dy pika uji… a ka ajo të dhëna njësoj si mami Zhaklina? A ke ndikuar sadopak për ta përfshirë atë në projekte artistike?
Alexi është me të vërtet shumë e talentuar dhe kjo është vënë re nga regjisorët me të cilët ajo ka punuar. Gati gjithmonë i kanë dhënë role kryesore në pjesët teatrale në të cilat ajo ka interpretuar. Alexi bën pjesë në seksionin e të rinjve pranë teatrit të qytetit të Bernës, qytet ku ne jetojmë. Unë e kam mbështetur gjithmonë, por nuk e kam shtyrë.
Ndërsa u larguat nga filmi, moderuat disa programe televizive…. E donit vërtet apo e patë si të vetmen mënyrë për të qenë përpara kamerave?
Për mua, televizioni ishte diçka që kam bërë me pasion. Është diçka tjetër nga kinemaja, por për mua ka qenë dhe është gjithmonë diçka që më ka tërhequr dhe më tërheq edhe sot.
Çfarë i keni treguar familjes, bashkëshortit e vajzës, për fëmijërinë tuaj?
Flas shpesh për fëmijërinë time duke marrë shkas nga gjëra që jeta e përditshme dhe roli i nënës me sjell përpara dhe krahasoj shpesh fëmijërinë time me atë të sime bije. Ata e dinë që vendi im ishte një vend i varfër, por dinë edhe që në atë vend familja, fëmijët ishin nga pak gjëra që kishim dhe si të tilla ishin të shenjtë. U kam treguar që në të kundërt me Mimozën, unë nuk isha një fëmijë që llastohesha dhe ime bijë e di që unë kam pasur vetëm katër lodra dhe mbi të gjitha që ato nuk i kishte sjellë Plaku i Krishtlindjeve, por Plaku i Vitit të Ri.
Nëse sot do t'ju ofrohej një rol, a do të ishit e gatshme të ktheheshit në shesh xhirimi kaq vite më vonë?
Natyrisht!
Dhe e fundit Zhaklin'… Çfarë u këshillon atyre që kanë ëndrra? Të luftojnë deri në fund për t'i ndjekur ato?
Sot jetojmë të tjera kohë dhe do të thosha që kur ti vetë beson me të vërtetë në diçka, në një ëndërr, duhet të dish t'u imponohesh të tjerëve me forcën që vetëm një ëndërr jep.
(Intervista është botuar sot në Gazeta Shqiptare)
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›