Shqiptarët, të sëmurë për celularin e fundit
Më ndikuese është tek të rinjtë të cilët priren më tepër drejt përdorimit të opsioneve më të fundit dhe ndërrojnë aparat sa herë që kanë mundësi
Në vend të dhuratave simbolike, si unazë, byzylykë, veshje, shqiptarët zgjedhin të dhurojnë telefona celularë, sa më të ngarkuar dhe me sa më shumë funksione. “Do blej për të dashurën një celularë të ri dhe modern, me shumë opsione. Sot është ditëlindja e saj dhe unë kam vendosur t’i bëj një dhuratë një celular”, - thotë Gëzimi, i cili ka ardhur enkas në Tiranë me të fejuarën e tij për t’i blerë këtë dhuratë. “Erdha këtu sepse kam më shumë mundësi zgjedhjeje për telefona celularë se në qytetin tim. Jam kaq i fiksuar pas tyre”, - shprehet ai. Ata të dy zgjedhin një “Nokia”, të zezë me të kuqe të pajisur me opsionet të ndryshme, e cila u kushtoi 15 000 lekë (të reja).
Shqiptarët janë të pushtuar nga mania e telefonave celularë kur kompanitë e prodhimit të tyre shtojnë opsione dhe forma të reja. Sipas statistikave, gati një milionë e dyqind mijë shqiptarë përdorin telefona celularë, shifër kjo mjaft e konsiderueshme, duke marrë parasysh faktin se celularët hynë në vendin tonë vetëm nëntë vjet më parë.
Nëse je kalimthi në rrugë duke ecur dhe hedh instinktivisht ose në mënyrë të qëllimshme sytë tek kalimtarët rreth teje, do vëresh se pothuajse të gjithë janë duke përdorur celularët e tyre. Dikush ka vendosur kufjet dhe hedh ndonjëherë ritmikisht këmbët, dikush tjetër flet gjatë dhe reagon me gjeste, dikush që flet ëmbëlsisht. Dhe për ta gjithmonë vlen një “alo” pavarësisht kostos së saj.
“Nuk mundem ta kuptoj ditën time pa përdorur celularin tim. Më duket sikur humbas kur nuk e kam. Më është bërë çështje psikologjike. Me celularin nuk ndihem asnjëherë vetëm. Për të shpenzoj më shumë se çdo gjë tjetër dhe nuk e lë asnjë orë pa e përdorur”, - pohon Elvira, studente e degës së historisë.
Të gjitha moshat në Shqipëri janë të mbërthyera nga mania e celularëve, por të rinjtë bëhen gjithmonë e më tepër të varur prej tij. Është e pamundur që një i ri/ e re shqiptare të mos ketë përdorur në jetë një telefon celular. Edhe pse të kushtueshëm, ata mbeten gjithmonë të preferuar dhe të domosdoshëm.
“Shes në ditë rreth pesë celularë të çmimeve të ndryshme dhe më të pëlqyeshëm janë celularët që përmbajnë foto, video, mp3, card memory”, - thotë një administratore e një dyqani celularësh që ndodhet pranë qendrës së Tiranës. Hyrjet e reja në teknologjinë e celularëve rritin gjithnjë e më tepër përdoruesit. Më ndikuese është tek të rinjtë të cilët priren më tepër drejt përdorimit të opsioneve më të fundit. “Ndihem në merak për vajzën time sepse ajo dëgjon muzikë të regjistruar në celular pothuajse 24 orë në ditë. Në të shumtën e rasteve natën ia heq unë kufjet pasi fle me to. Është vetëm 16 vjeçe dhe është kaq shumë e varur nga celulari i saj”, - shprehet e shqetësuar një nënë që ndërkohë po nxitonte për të hipur në urban për të shkuar në shtëpinë e saj.
Shumica e telefonave celularë nuk po përdoren vetëm për thirrjet telefonike siç ndodhte dikur. Kjo ndodh për arsye të mënyrës dhe zgjedhjes së prodhimit të tyre. Celularët tashmë po përdoren gjithmonë e më tepër për të fotografuar peizazhe, personazhe, duke realizuar koleksione fotografish. Në anën tjetër, nëpërmjet opsionit “radio” celularët të bëjnë të informohesh dhe pse jo të shijosh tingujt e muzikës, përmes një celulari mund të hysh në internet dhe po të shpenzosh pak më shumë se normalja, mund të kesh televizorin tënd të lëvizshëm.
“Të rinjtë blejnë më tepër telefona celularë megjithëse ka dhe mosha të mesme, zakonisht të veshur mirë, të cilët ndërrojnë pothuajse një herë në dy javë celularin e tyre. Ndërsa të rinjtë, kryesisht studentë, blejnë celularë të pajisur me mp3 dhe kamera. Çmimet e këtyre variojnë nga 10 000 deri në 15 000 lekë (të reja)”, - pohon Visi, administrator i një servisi dhe një dyqani celularësh përballë Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Fillimisht, telefonat celularë hynë në vendin tonë përpara nëntë viteve, atëherë të thjeshtë në funksion dhe strukturë, ndërsa sot me hyrjet e reja kanë pushtuar një numër të konsiderueshëm përdoruesish. Nëse dikur me ta thuhej vetëm “alo”, sot kanë një mori opsionesh për të zgjedhur, madje së fundmi edhe wirles, për të përmbushur masivisht nevojat e përdoruesve. Mania për ta vazhdon të jetë në rritje sepse një telefon celular nuk i njeh kufizimet në hapësirë si një telefon fiks. Në anën tjetër, kompanitë e celularëve në botë investojnë për t’i ndryshuar çdo ditë e më shumë.
Studime të ndryshme në botë, të realizuara nga mjekë specialistë, tregojnë rreth rrezikshmërisë së celularëve dhe përdorimit të tyre pa frena, por kjo nuk i ndalon konsumatorët të jenë të varur nga telefoni i tyre i xhepit. Për më shumë, kjo nuk e pengon asnjë prej të rinjve që të ndërrojnë sa herë të jetë e mundur telefonin e tyre, me një më të vogël, më të modës dhe më modern.