Zhbogar: BE me tre prioritete në Kosovë

Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar dhe shefi i EULEX-it, Ksavier De Marnak kanë prezantuar tri prioritete të angazhimit të BE-së në Kosovë gjatë këtij viti.
Kthimi i normalitetit në veri, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit sëbashku me liberalizimin e vizave, janë paraqitur si top prioritetet e strukturave të BE-së të angazhuara në Kosovë.
Këto komente, Zhbogar dhe Marnak i kanë bërë gjatë një konference të përbashkët për media.
Kështu Përfaqësuesi i BE-së, njëkohësisht dhe Shefi i Zyrës së BE-së, Samuel Zhbogar ka nisur dhe zyrtarisht punën e tij në këtë post.
Ai tha se do të mbështesë në vazhdimësi dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit si dhe do të angazhohet që të ndihmojë institucionet në procesin e liberalizimit të vizave.
Zhbogar ka theksuar gjithashtu se BE do të ndihmojë në vazhdimësi edhe në procesin e kthimit të rendit dhe ligjit në veri. Të njëjtën gjë ka theksuar edhe shefi i misionit të BE-së për sundim të ligjit, EULEX, Ksavier de Marnak.
"Ndihmesa e EULEX-it për institucionet në procesin e liberalizimit të vizave, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe vendosja e rendit dhe ligjit në veri janë tri prioritetet e EULEX-it", ka thënë Marnak.
Ministri i Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Samuel Zhbogar, u emërua në krye të Zyrës së BE-së në Kosovë, më 21 dhjetor 2011. Të martën ai pritet të nisë edhe takimet e para me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.