E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhdrella, futbollisti i vitit

Mentor Zhdrella do të zgjidhet futbollisti më i mirë për vitin 2010 nga Federata e Futbollit e Kosovës. Gani Sejdiu do të shpallet trajneri më i mirë, derisa gjyqtar, Përparim Hasani. Kampioni aktual i Kosovës, Trepça do ta marrë epitetin e klubit më të suksesshëm të vitit 2010. Express sjell emrat e më të mirëve të futbollit kosovar, tri ditë para shpalljes zyrtare. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 04 janar 2011 në ora 14:21

Mesfushori i Hysit, Mentor Zhdrella do të zgjidhet futbollisti më i mirë i Kosovës për vitin që e lamë pas, nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).

Gazeta Express ka mësuar se shumica e trajnerëve të Superligës kanë votuar për mesfushorin e Hysit, i cili epitetin e më të mirit në futbollin kosovar do ta fitojë për të dytën herë radhazi.

Shpallja e më të mirëve për vitin 2010 do të mbahet të enjten në Prishtinë, derisa gazeta Express ka mësuar se cili do të jetë futbollisti, trajneri, gjyqtari dhe klubi më i mirë i vitit që e lamë pas.

“Trajnerët e klubeve të Superligës, me votat e tyre, e kanë zgjedhur futbollist të vitit Mentor Zhdrellën. Ndërsa, pas tij, futbollisti i dytë i vitit është zgjedhur sulmuesi i Trepçës, Elvis Osmani”, ka thënë një burim brenda FFK-së.

Sipas këtij burimi, klubi më i suksesshëm kosovar për vitin 2010 do të shpallet Trepça, e cila pas 17 vitesh u shpall kampion i Kosovës dhe rrëmbeu Superkupën shtetërore.

I njëjti burim ka treguar se Gani Sejdiut do t’i takojë epiteti i trajnerit më të suksesshëm kosovar për vitin që lamë pas.

“Në ato suksese të Trepçës, një rol shumë kryesor e ka luajtur Gani Sejdiu, me të cilin trajner, Trepça në vitin e kaluar ishte i pakonkurrentë, duke i fituar dy trofe. Kështu, Gani Sejdiu do të shpallet trajneri më i mirë i Kosovës”, theksoi ai.

Gjithnjë sipas këtij burimi, gjyqtari më i mirë i vitit 2010 do të zgjidhet njëri prej referëve më autoritativ në vend, Përparim Hasani. “Kur janë nxjerrë notat mesatare të referëve për gjithë vitin 2010, Përparim Hasanit i ka dalë nota më e lartë, andaj ai do të zgjidhet sërish gjyqtari i vitit”, përfundoi ky burim.

Shpallja e këtyre laureatëve do të bëhet të enjten në një ceremoni të organizuar nga FFK-ja. Nënkryetari i këtij institucioni, Agim Ademi ka paralajmëruar se kjo ceremoni do të jetë madhështore, si asnjëherë më parë.

“Deri më tani, pjesëmarrjen në këtë ceremoni e kanë konfirmuar zyrtarë të Federatës së Futbollit të Turqisë dhe drejtues të klubit turk, Bursaspor. Po ashtu, pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe zyrtarë të Federatës së Shqipërisë dhe Maqedonisë”, tha Ademi për Express, i cili i prinë Komisionit Organizativ të kësaj ceremonie.

“Të tjerët që i kemi ftuar akoma nuk na kanë konfirmuar pjesëmarrjen, për shkak të festave të fundvitit. Por, të martën sigurisht se do të marrim edhe konfirmime të tjera”, pohoi ai.

Ademi kujtoi se bashkë me kolegët e tjerë të tij të FFK-së tash e një kohë goxha të gjatë kanë punuar intensivisht për ta organizuar sa më mirë këtë ceremoni.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›