Dënohet famulltari i Velipojës
SHKODER/ RIDVAN DIBRA
Ish-famulltari i Velipojës, Dom Marjan Ukaj u dënua dje nga gjykata me dy vjet me kusht, për pengim të ceremonive fetare. Pas 10 muajsh procesi gjyqësor, Ukaj u dënua me 2 muaj burg, por gjykata vendosi njëkohësisht pezullimin e ekzekutimit të këtij vendimi duke e kthyer atë në dënim me kusht për dy vitet e ardhshme. Arqipeshkvia e Shkodrës ka bërë kallëzim penal për ish-drejtuesin e famullisë Dom Marjan Ukajn për pengim të kryerjes së ceremonive fetare dhe ushtrim të detyrës në famullinë e Velipojës, pas dekretimit për largimin e tij nga ky post. Meshtari kërkoi pafajësi duke i cilësuar absurde dhe qesharake akuzat ndaj tij. “Në proces gjyqësor ndodhet i pandehur një meshtar. Ky është rasti i parë në historinë e kishës katolike ku një arqipeshkv kërkon burgosjen e meshtarit të tij”, deklaroi dje Dom Marjan Ukaj. Sipas tij, si meshtar ai jep llogari para dy shteteve, atij ku jeton dhe Vatikanit, por duke qenë se çështja lidhet me probleme fetare, ajo duhet të zgjidhet brenda kishës. Për Ujkajn, akuzat e arqipeshkvit Masafra, janë të rreme dhe të pabaza. Ai e ka kundërshtuar shkarkimin nga arqipeshkvi me një kërkesë drejtuar Vatikanit, të cilin Ukaj e konsideron si gjyqin suprem. “Derisa të jepet një vendim i tillë, ligjërisht jam famulltar i Velipojës dhe pse famullia administrohet nga persona të tjerë”, u shpreh ai. Dom Marjan Ukaj shpreh indinjatë edhe ndaj shtetit shqiptar, që lejoi hapjen e këtij gjyqi penal duke u përzier kështu në punët e brendshme të kishës katolike, pasi sipas kushtetutës shqiptare, ai i jep llogari Vatikanit, i cili nuk ka kthyer përgjigje. Prokuroria e Shkodrës nisi procedimin penal për Dom Marjan Ukaj pas padisë së bërë nga arqipeshkvi i dioqezës Shkodër, Pult Angjelo Masafra. Shkarkimi i Dom Marjanit sipas shkresës zyrtare të Arqipeshkvisë është për arsye se i ka mbaruar kontrata. Dom Marjani është nga Kosova dhe kishte një kontratë pune me Arqipeshkvinë e Shkodrës. Kjo e fundit nuk i bëri rinovim të kontratës. Refuzimi i Arqipeshkvisë për shtyrjen e afatit detyroi Ukajn të kërkojë qëndrimin e tij si definitiv në Velipojë. Por kjo kërkesë nuk u pranua. Në vend të tij u emërua një tjetër prift katolik. Pas këtij vendimi, rreth 60 burra të Komunës Velipojë qëndruan për një javë në grevë urie, me qëllim që të ndryshonin vendimin e Arqipeshkvisë për ta rikthyer famulltarin në detyrë, por nuk e arritën një gjë të tillë.
Peticioni kundër shkarkimit
Mbi 1 mijë persona firmosën një peticion dërguar gjykatës ku shpreheshin se Dom Marjan Ukaj kishte kontribuar në të mirë të zonës së Velipojës. Emri i tij është publikuar disa herë si iniciator i shumë lidhjeve dhe binjakëzimeve, të cilat shoqëroheshin dhe me gjetje fondesh dhe investimesh. Prej 12 vitesh numërohen rreth 10 milionë euro investim në zonën e Velipojës, si shkolla të ndërtuara, çerdhe, kopshte, ujësjellës, mjekime të sëmurësh jashtë, ndërtimi i një fushe futbolli për të cilat është kujdesur vetë famulltari me ndihmën e kishave gjermane. Rreth 60 familje me gjendje të vështirë ekonomike merrnin çdo ditë ushqim falas në ambientet e ndërtuara dhe të financuara nga vetë kisha katolike, nën drejtimin e Dom Marjanit.