E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreziku i urës së Matit, firma e kromit rrezikon falimentimin

 

BULQIZE - Miniera e kromit Bulqizë, pronë e firmës koncensionare "Albanian Crom" dhe minierat e shumta private, që vijojnë aktivitetin e tyre në zonën pellgmbajtëse Mat-Bulqizë mund të mbyllen. Shkak për këtë nuk do të bëhet koniunktura e çmimit të mineralit të kromit, por bllokimi i mjeteve të tonazhit të lartë nga Policia Rrugore, e cila prej ditësh ka marrë në mbrojtje Urën e Matit. Kjo vepër e rëndësishme arti ka probleme serioze. Ndërtuesit e huaj kanë dhënë sinjalin "sos" ndërkohë autoritetet e Ministrisë së Transportit dhe Ministrisë së Brendshme kanë urdhëruar komisariatet e policisë Mat e Bulqizë të mos lejojnë lëvizjen e mjeteve me peshë mbi 24 tonë mbi këtë urë. Burime zyrtare pranë firmës koncensionare sqaruan se bllokimi i mjeteve të minierës kryesore në Bulqizë ka vënë në vështirësi financiare firmën ruso-austriake. "I jemi drejtuar me një letër Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Transporteve, dhe kemi kërkuar zgjidhje për vijimin e punës normalisht", thanë burime pranë firmës së huaj. Ata kanë sqaruar dikasteret se e vetmja mënyrë për të transportuar kromin nga Bulqiza në Portin e Durrësit janë mjetet e tonazhit të lartë. "Mjetet tona peshojnë pa krom afro 20 tonë, ndërkohë policia nuk i lejon ato mbi urën e Matit me peshë mbi 24 tonë. Me peshën e lejuar mjetet tona nuk mund të lëvizin 140 km, pasi dëmi ekonomik është i lartë", sqaruan specialistë të minierës së kromit Bulqizë. "Nëse nuk do të gjendet një zgjidhje, - deklarojnë përfaqësuesit e firmës ACR, - atëherë ne jemi të detyruar të ndërpresim punën në minierë, duke nxjerrë të papunë 660 banorë të Bulqizës". Ndërkohë për shkak të bllokimit të mjeteve të tonazhit të lartë e pësojnë dhe dhjetëra subjekte private, të cilat përveç rënies së koniunkturës së çmimit të kromit duhet të përballojnë dhe sanksionet e policisë, pasi mjetet me tonazh të lartë nuk mund të kalojnë mbi urën e Matit.                       h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›