E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpëtohet jeta e Sadamit, transplanti kryhet të enjten

 

TIRANE - Shpresë më në fund për jetën e Sadam Dekovit. Për 13-vjeçarin nga Shkodra, i cili prej tetorit të shkuar ka jetën në rrezik, është hapur drita jeshile për të kryer transplantin e veshkës së vetme. Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Shëndetësisë bëri dje të ditur se të enjten që vjen, ndërhyrja kirurgjikale do të kryhet në spitalin amerikan të Tiranës. Në bazë të një marrëveshjeje me këtë spital privat, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur dhe datën për të kryer transplantin për të miturin. Pas sensibilizimit të këtij rasti tragjik të nxënësit të liceut të Shkodrës, dikasteri i Shëndetësisë ka dhënë ndihmën e tij përcaktuese për fatin e Sadamit. Ai prej lindjes kishte vetëm një veshkë në trup, ndërsa tjetra i kishte dalë prej kohësh jashtë funksioni. Prej 4 muajsh, 13-vjeçari u shkëput totalisht nga familja e tij në Shkodër dhe nga shkolla "Prenk Jakova", pasi gjendja e rëndë shëndetësore detyroi mjekët ta mbanin të shtruar në Qendrën Spitalore "Nënë Tereza" në Tiranë. Tri ditë më parë, doktorët i kishin komunikuar familjarëve se asgjë nuk kishin më në dorë për të shpëtuar Sadamin, nëse nuk i transplantohej atij një veshkë e shëndetshme. Peripecitë për familjen nisën kur Ministria e Shëndetësisë u kërkoi që të gjenin dhuruesin e veshkës e më pas qeveria të akordonte fondet përkatëse, pasi transplanti kushtonte rreth 50 mijë euro. Veshka që duhej u gjet te tezja e 13-vjeçarit, por mungonin paratë. Një komunikim me Ministrinë e Financave u hoqi shpresat, pasi ky institucion u pohoi se nuk kishte buxhet tani, por pas 6 muajsh. U desh sensibilizimi publik i këtij rasti që të vihej në lëvizje vetë Ministria e Shëndetësisë, e cila shfrytëzoi marrëveshjet e saj me spitalet private në Shqipëri, ku i vetmi që mundëson realizimin e transplanteve është ai amerikan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›