E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhduket 10-vjeçari, policia nis hetimet

Autori i Lajmit: red.
Një djalë rreth dhjetë vjeç, nga Mirdita, është zhdukur në rrethana të mistershme. Familjarët kanë njoftuar policinë, e cila ka nisur menjëherë verifikimet. Fëmija është Elson Lleshi, i biri i Petritit dhe Lirisë, i datëlindjes 4 shtator 1999. Djali i vogël është denoncuar nga prindërit më 29 janar, ora 17.00, ndërsa rezulton i humbur, sipas dëshmisë së familjarëve të tij, nga paraditja e 28 janarit. Fëmija e ka vendbanimin në fshatin Dardhas të komunës Fan në Mirditë ku edhe është lindur. Pas njoftimit të marrë janë angazhuar të gjitha shërbimet policore për kërkimin dhe gjetjen e personit të humbur, por deri tani nuk është bërë e mundur gjetja e tij. Drejtoria e Policisë së Qarkut Lezhë, tha se u bën apel të gjithë banorëve të qarkut dhe jashtë tij, të njoftojnë pranë Drejtorisë apo pranë Komisariatit Mirditë, për çdo informacion me vlerë për gjetjen e fëmijës. Elson Lleshi është i gjatë rreth 1 metër, i shëndoshë, me flokë dhe sy gështenjë, ka të veshura një palë pantallona dhe një triko me ngjyrë blu.
Ky lajm është publikuar: 31/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›