Zhduket 15-vjeçarja shqiptare në lagjen e të pasurve të Athinës
Nën ankth janë familjarët e 15-vjeçares shqiptare, Kristina Pasho, pasi ajo është zhdukur në rrethana të mistershme dhe asgjë nuk dihet për fatin e saj, me gjithë kërkimet ku është përfshirë edhe policia greke si dhe ajo shqiptare. Lajmi u konfirmua për mediat nga burime zyrtare të Policisë së Shtetit në Athinë. Ato sqaruan se Kristina Pasho, 15 vjeçe që ju shihni edhe në foto, lindur në Tiranë dhe banuese me leje të rregullt qëndrimi në Athinë, Greqi, është zhdukur që prej datës 12 nëntor 2009. Denoncimi për zhdukjen e Kristit, është bërë nga i ati, Arben Pasho, më 16 nëntor, katër ditë pas zhdukjes së mistershme, pas përpjekjeve të shumta që familja dhe të afërm të tjerë bënë për ta gjetur. Policia e Athinës tha se pranoi denoncimin për zhdukjen e të miturës dhe urdhëroi nisjen e menjëhershme të kërkimeve, ndërsa kanë nisur edhe hetimet. Nga të dhënat e para që janë mbledhur, policia tha se zhdukja e vajzës së mitur shqiptare ka ndodhur në zonën Glifadha, që njihet edhe si lagjja më e pasur e kryeqytetit grek, Athinë. Rastet e zhdukjes së të miturve shqiptarë janë bërë problematike në Greqi. Ende edhe sot, prej më shumë se një viti, familja Dullia nga Tirana e cila jeton prej vitesh në Athinë, është e shokuar për faktin se djali i tyre Mateo që duhet të jetë rreth dy vjeç, është zhdukur pa lënë asnjë gjurmë dhe çdo përpjekje e deritanishme ka qenë e dështuar. Marrë nga NOA