E Diel, 1 Nëntor 2026

Në qelinë e Rizait, aty ku nisi dhe përfundoi arratisja e tij

Megjithëse kanë kaluar ditë tashmë nga arrestimi i bujshëm i të shumëkërkuarit shqiptar, Alket Rizai, dhe të dashurës së tij, Aspasia Mitropia, duket se opinioni publik në Greqi nuk mund t‘i harrojë lehtë këto dy personazhe. Ata i takojnë botës së paligjshme, por "joshin" me hollësitë nga jeta e tyre e re, pas hekurave të burgut. Madje, pse ta fshehim, janë të shumtë ata reporterë të mediave që ëndërrojnë një intervistë me të njohurin "Alki", ky i burgosur që sipas tyre, nuk rresht së menduari për arratisje. Këtu qëndron edhe fakti që çdo ditë publikohen grimca, imtësi, çaste të ndryshme të jetës së tij, si dhe të protagonistëve të tjerë, të cilët marrin pjesë në serialin real të botës përtej ligjeve. Dy fotografi të reja, pikërisht dy qelitë e Alket Rizait dhe të shokut të tij, Vasilis Paleokostas, me të cilin u arratisën në datën 22 shkurt të këtij viti, shkaktojnë kërshëri të madhe, përderisa janë nxjerrë, veçse një orë pas arratisjes së tyre të dytë me helikopter nga burgu famëkeq i Koridhalosë.
Qelitë e arratisjes
Ishte pikërisht pasditja e së dielës, kur është kryer "arratisja e madhe" dhe këto dy foto dëshmojnë për atë çka kishte ndodhur deri në atë çast. Në të dyja qelitë ekziston rrëmujë e madhe. Diçka e pazakontë për aq pak metra katrorë, që ka në dispozicion një i burgosur. Krevatet e pashtruara tregojnë padurimin për çastin e "madh", por edhe shprehin vetëbesimin se asgjë nuk do të shkojë keq. Qelitë janë ngjitur njëra me tjetrën dhe të dy të dënuarit me shumë vite burgim, kanë dalë në minutat e fundit në oborrin e burgut, disa minuta para se helikopteri të fluturonte mbi kokat e tyre, në momentin që sipas policisë, e dashura e Alketit, Sula, i ka çuar atij një sms.
Vasilis Paleokostas duket se ndiqte deri në minutat e fundit televizorin në dhomën e tij, siç duket për të dëgjuar nëse do të ndodhte diçka në lajme, nëse policia do të mësonte se një helikopter ishte rrëmbyer. Por asgjë nuk ka dëgjuar dhe ky ishte ogur i mirë. Në anën tjetër të murit, Rizai përshkonte me ankth ato pak metra, derisa të dëgjohej tingulli specifik i mesazhit telefonik. Ajo që ka konkluduar pas arratisjes është se rojet e burgut kanë pasur urdhër për të qëlluar helikopterin dhe për të penguar arratisjen. "Por një prej rojave që e kishte këtë mundësi, në një prej kullave ajrore të burgut, duket se ka preferuar të fshihet dhe jo të qëllojë. Dy roje të tjerë kanë qëlluar njëri me 7 fishekë dhe tjetri me 25", thuhet në deponimin e dëshmitarëve, por askush nuk ka mundur të pengojë arratisjen spektakolare, të dytën me të njëjtën mënyrë, që arriti të kryente i shumëkërkuari shqiptar, Alket Rizai.
Në qelinë e Sulës
Tashmë, pothuajse disa qindra metra larg vendit, ku helikopteri ka marrë dy të burgosurit 9 muaj më parë, në një prej qelive të burgut të grave në Koridhalo, ndodhet ajo që akuzohet pikërisht për atë akt, se ka marrë me forcë atë ditë të shkurtit, mjetin fluturues dhe ka ndihmuar në arratisjen e të dashurit të saj dhe të shokut të tij. Nga "burime" brenda burgut, thuhet se është vazhdimisht e nervozuar dhe se vuan nga pagjumësia. Flitet se kontakton me anë të avokatit të saj me Rizain, si dhe me nënën e saj dhe me dy vajzat, të cilat e vizitojnë në burg. Është hera e parë që ajo provon shijen e hidhur të humbjes së lirisë. Aspasia Mitropia, ose më mirë Sula e Rizait, siç është tashmë e njohur në mbarë Greqinë, përballon me vështirësi jetën e burgut, paguan atë që me dijeninë e saj shkaktoi. Paguan jetën që ajo zgjodhi pas atij takimi në kafenenë e Peristerit me Alket Rizain dhe dashurinë e menjëhershme që lindi midis tyre. Ishte pikërisht ai që e bëri të ndihej se jeta e saj kishte kuptim dhe se nuk kishte humbur çdo gjë pas divorcit me bashkëshortin e saj. Ishte ai që i dha forcë, jetë, dashuri, që e nxori nga monotonia e përditshme, por që në vazhdim do ta udhëhiqte drejt burgut. Nga shtëpia e saj e varfër në Santorini, më pas në shtëpinë akoma më të varfër të lagjes së Athinës, Sula zgjodhi të jetonte bashkë me Alketin, në fillim, në apartamente luksoze, duke qarkulluar me "Mercedes", ndërsa tashmë ndodhet në një qeli me 20 të burgosura të tjera, përballë një realiteti krejt të ndryshëm dhe tepër të ashpër siç është ai burgut. Ankohet për zhurmën që bëhet deri në orët e vona të natës, por edhe për problemet psikologjike që përballon vajza e saj e vogël, pas publikimit të gjithçkaje që ka të bëjë me zgjedhjen që kreu nëna e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›