E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet nga Italia i dënuari përjetë për vrasje të dyfishtë

TIRANE – Arben Gjokeja, i dënuari përjetë për vrasje të dyfishtë dhe tentativë vrasjeje ka mbërritur dje më pranga nga Italia. 

Burime zyrtare të Policisë së Shtetit pohojnë se, efektivët e Interpol-Tiranës sollën dje në Rinas të dënuarin përjetë dhe ia dorëzuan atë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Sipas vendimit të gjykatës, Gjokeja 37-vjeç, nga fshati Derven i Krujës është gjetur fajtor se më datë 18 qershor 2005, pranë fshatit Gjyricë të komunës Ishëm të Durrësit, së bashku me dy vëllezërit e vet Kastriot dhe David Gjokeja kanë vrarë për probleme hasmërie kushërinjtë e tyre Eduard e Oligert Gjokeja si dhe kanë plagosur rëndë Simon Gjokejan. Sipas vendimit të gjykatës tre vëllezërit Gjokeja kishin organizuar pritë ndaj kushërinjve të tyre dhe në momentin që ata ishin afruar i kanë qëlluar me breshëri automatiku. Tashmë, veç Arbenit në qeli ndodhet edhe vëllai i tij Kastrioti, ndërsa Davidi është shpallur person në kërkim dhe ende nuk ka rënë në pranga.            f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›