Zhdukja e 3 studentëve çekë, policia kontroll në Theth
SHKODER - Dështon sërish aksioni i Drejtorisë së Policisë së Shkodrës për gjetjen e tre studentëve çekë, të cilët tetë vjet më parë u zhdukën në mënyrë misterioze në zonën e Dukagjinit. Gjatë gjithë ditës së djeshme forca të shumta policore zbarkuan në zonën e Thethit, duke bërë kërkime për gjetjen e tre të rinjve të pafat. Mësohet se forcat e policisë janë ndarë në 20 grupe pune. Por kërkimet e bëra nuk dhanë rezultat. Burime të sigurta nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se aksioni për rifillimin e kërkimeve të tre studentëve çekë nisi pas një informacioni për gjetjen e tyre. Informacioni më i fundit për misterin e zhdukjes së çekëve: Jan Pavelka, Michail Pavelka dhe Lenka Tuckova, mbërriti në polici pas shtimit të shumës së vënë në dispozicion për shpërblim. Burimet e mësipërme sqarojnë se shuma e shpërblimit për atë që jep informacion të saktë është shtuar nga 50 mijë në 100 mijë dollarë. Tre të rinjtë nga Çekia mbërritën në Shqipëri për turizëm malor. Ata u zhdukën në Dukagjin gjatë udhëtimit të tyre në Alpe. Jan Pavelka, Michail Pavelka dhe Lenka Tuckova janë parë për herë të fundit në Theth, në gusht të vitit 2001. Pavarësisht kërkimeve pa rezultat, policia do vazhdojë dhe sot kontrollin e zonës ku mendohet se ndodhen trupat e studentëve çekë.
(d.b/GSH/BalkanWeb)
(d.b/GSH/BalkanWeb)