E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërhiqet KQZ: Nuk do të djegim fletët e votimit

TIRANE-Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të djegë fletët e votimit që ndodhen në kutitë e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Lajmi konfirmohet për “Gazeta Shqiptare” nga zëdhënësi i këtij institucioni, Leonard Olli. Në një prononcim të djeshëm për gazetën, ai ka bërë të ditur se “nuk kemi thënë asnjëherë që do i asgjësojmë. Kemi thënë, nëse do jetë e nevojshme”. Ndërkohë në datën 6 tetor, në një deklaratë për mediat kreu i KQZ-së, Arben Ristani tha mes të tjerash se, “sigurisht që do të marrim një vendim për asgjësimin e fletëve, pasi kemi përpara zgjedhjet lokale dhe na duhen kutitë e votimit. Kjo vendimmarrje pritet të merret në një nga mbledhjet e KQZ-së, sipas ligjit të miratuar për këtë qëllim”, - deklaroi ai. Tërheqja e këtij institucioni nga ky qëndrim i shprehur më parë duket se vjen pas presionit në rritje të Partisë Socialiste për të mos cënuar ato që i cilëson si “prova të krimit elektoral të 28 qershorit”. Në datën 7 tetor, kryesocialisti Edi Rama, në një konferencë të posaçme për shtyp kërkoi që të mos merrej vendim nga KQZ-ja për djegien e votave që ndodhen në kutitë e votimit edhe pse për këtë proces e parashikon ligji. “I bëj apel Sali Berishës të kuptojë se prekja e kutive të votimit, apo largqoftë, për të e për ushtarin e tij fanatik në krye të KQZ-së, asgjësimi i kutive ndërkohë që ne kërkojmë hapjen e tyre, do të konsiderohet prej nesh si një shprehje e patolerueshme e dhunës ndaj opozitës”, - tha ai.
Por, në bazë të Kodit Zgjedhor, KQZ-ja është e detyruar të marrë një vendim për djegien e fletëve të votimit, duke lënë në Arkivën Shtetërore vetëm procesverbalet që përmbajnë rezultatet e çdo qendre votimi.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›