E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhdukja e 6 vjecaresInterpol shtrin kërkimetedhe në Itali

TIRANë - Kërkimet për 6-vjeçaren e humbur pasditen e 22 majit në Zapod të Kukësit nuk janë ndërprerë, ndërsa hetimet janë shtrirë në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, Greqi dhe me anë të INTERPOL-it, edhe në Itali.

Drejtori i Policisë së Qarkut të Kukësit, Sadri Ramçaj u shpreh sot për ATSH- në se, “forca të shumta të Sigurisë Kombëtare të Kosovës, Drejtorisë Rajonale të Prizrenit, efektivë të kufirit tokësor , shërbime të Emergjencave Civile në Prefekturën e Kukësit janë angazhuar në kërkimet për gjetjen e 6-vjeçares së humbur". Lidhur me këtë ngjarje, Ramçaj tha se krahas angazhimit të strukturave të Policisë së Shtetit, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur edhe hetimet përkatëse.

Bleona e vogël kishte insistuar të shkonte në bjeshkë pasditen e 22 majit, ku kulltonin bagëtitë kushërirat e saj. Më pas zhdukja pagjurmë sikur mali të ishte carë, të kishte përpirë vogëlushen. Xhupi i 6 vjecares do të mbetej e vetmja provë në të cilin Bleona kishte qenë e ulur në minutat e fundit.

Gazetari i njohur investigativ Artan Hoxha në emisionin e tij Xhungël, të transmetuar në TV NEëS24 solli për herë të parë dëshmitë e vajzave të cilat vogëlushja i kishte ndjekur nga pas në mal pasditen e 22 majit.

“I thashë të kthehej në shtëpi. Kur ktheva kokën pashë Bleonën të vinte pas meje. Ajo qante dhe kërkonte që të më vinte pas. Atëherë e ndihmova të kalonte rrugën e keqe. E cova te Alketa (halla e vajzës). E ulëm tek xhupat për të pushuar dhe të gjithë zunë pozicionet e veta për të marrë bagëtitë”- dëshmoi Qamile Mata ( kushërira e Alketës) për mikrofonin e NEWS24.
“Rudina me qingjat e saj në atë caste ishte shumë afër vajzës. Ndërsa unë në cdo 5- 10 metra i bërtisja Lonës. Një moment ajo më tha pse më bërtet, se s’ të kam bërë gjë ... Për herë të dytë kur e thirra nuk më dha përgjigje“- vazhdon dëshmia.
Ndërsa Alketa ( halla e vogëlushes) thotë se i kishte parë Qamiles të mbante në dorë dhe xhupin e Bleonës dhe e kishte pyetur për të. “Bleona duhet të ketë shkuar në shtëpi”- dëshmon Alketa e cila më pas shton se pasi ishte informuar në shtëpi se 6 vjecarja nuk ishte kthyer kishte kontrolluar gjithë zonën.

Vajzat rrëfejnë gjatë emisionit Xhungël se nuk kishin parë asnjë të huaj atë ditë në zonën ku kishin dalë për të kullotur bagëtitë, madje në momentet e fundit kur kishin shkëputur kontaktet me Bleonën nuk kishin dëgjuar as të qarat e vajzës apo ndonjë zhurmë tjetër të dyshimtë.

Ndërsa një dëshmi tjetër, ajo e gjyshes së Bleonës, tregon se kishte parë një djali të ri i panjohur në zonë, i veshur me xhup të zi që kishte ndjekur pas vajzat.

Policia e shtetit në bashkëpunim me policinë e Kosovës vazhdojnë kërkimet për gjetjen e gjurmëve të vogëlushes, ndërsa ajo është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Policia ka shpërndarë foton e vogëlushes në të gjitha pikat kufitare ndërkombëtare dhe ka vënë në dispozicion shumën prej 3 milionë lekësh për këdo që jep informacione mbi fatin e Bleonës.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›