Zhdukja e Bleonës, misteri i 3 vajzave

Bleona Mata, vajza e zhdukur në Kukës
Më 22 maj 2010, Bleona Mata, vajza shtatëvjeçare, gjendej në kullotën e fshatit Zapod, në një terren të vështirë, por jo të pamundur për fëmijë të rritur në fshat.Me të kanë qenë pesë vajza: Alketa, njëzetetrevjeçare, halla e vajzës së humbur; Qamilja, katërmbëdhjetëvjeçare, kushërirë e parë e babait të Bleonës, fqinje dhe e afërt me vajzën; Rudina, nëntëmbëdhjetë vjeç; Diana gjashtëmbëdhjetëvjeçare. Bleona nuk është nisur që në fillim në kullotë me pesë vajzat e tjera. Njëra nga vajzat, Gentiana, gjatë qëndrimit në kullotë është kujtuar se i duhej një grep qëndisjeje, të cilin atë ditë nuk e kishte marrë me vete. Për të marrë grepin, ajo i drejtohet më të voglës, Qamiles, që të kthehej drejt fshatit, ta merrte e ta sillte. Në këmbim, katërmbëdhjetëvjeçarja ka kërkuar që ti jepnin me vete një celular. Në deklarimet përpara autoritetit të hetimit, Qamilja është shprehur se celularin e ka kërkuar vetëm me qëllim që gjatë rrugës nga shtëpia në kullotë të dëgjojë muzikë. Në fshat dëshmitarja tregon se ka gjetur Bleonën me vëllain dhe i ka shoqëruar deri afër shtëpisë. Kur Qamilja është drejtuar sërish drejt kullotës, ajo ka parë se Bleona po i vinte pas. Bleona ka mbërritur në kullotë, atje është pritur dhe është ushqyer nga halla, Alketa. Kjo e fundit është shkëputur e para nga grupi i vajzave, duke hyrë në thellësi të pyllit për të marrë bagëtitë nga kullota. Të njëjtën gjë kanë bërë më pas edhe katër vajzat e tjera, secila për atë pjesë të tufës që i përkiste, duke e lënë vetëm shtatëvjeçaren. Prej atij momenti, Bleona Mata nuk deklarohet të jetë parë më prej askujt. Ne vendin ku ajo ndodhje është gjetur vetëm një xhup i hallës, me të cilën e kishin mbështjellë vajzën. Bleona Mata në momentin e fundit të bisedës me vajzat ishte e etur dhe priste që njëra prej tyre të kthehej nga kullota për ta shoqëruar në shtëpi ose drejt burimit.
Tri dëshmitaret e hetuara: Qamilja, Alketa dhe Gentiana.
Vajzat dëshmitare janë vënë herë nën dyshim e herë-herë nën vëzhgim. Babai i Bleonës, Zamir Mata, është i pari që ka hedhur mediatikisht dyshime për implikimin e tre të rejave, përkatësisht motra, kushërira dhe bashkëfshatarja e tij, që javën ë parë te humbjes së vajzës. Ndërsa nëna e fëmijës, Bukurie Mata(Veizi), është treguar fillimisht e rezervuar në formulimin e ndonjë akuze ndaj kunatave dhe bashkëfshatares. Sa kohë që ajo banonte në Zapod si anëtare e familjes me kryefamiljar Zenel Matën, në asnjë moment nuk ka lëshuar dyshime ndaj Alketës, Qamiles apo Gentjanës. Këto akuza ajo i ka formuluar duke i përcjellë në media dhe Prokurori, menjëherë pas divorcit dhe zhvendosjes së gjendjes civile nga regjistri i familjes Mata. Të tre vajzat që kanë qenë në kullotë pasditen e 22 majit dhe që janë të fundit që kanë parë shtatëvjeçaren, i janë nënshtruar një hetimi tejet kompleks duke rezultuar përfundimisht të paimplikuara dhe në padijeni me një veprim kriminal ndaj Bleonës. Surprizues ka qenë për hetuesit e çështjes volumi i bisedave telefonike mes tyre dhe personave të ndryshëm të njohur e të panjohur nga afër. Por hetimi i koordinuar nuk përkon me indice për implikim kriminal të asnjërës prej tyre.
Qamilja
Duke qenë personi që ka sjellë Bleonën në kullotë, vend ku vajza deklarohet se është parë për herë të fundit, Qamilja është një nga personat për të cilën është kushtuar vëmendje maksimale gjatë procesit të marrjes në pyetje. Me moshë miturie, gjatë gjithë kohës që është marrë në pyetje dhe në të gjitha intervistat mediatike, ajo shprehet me konsekuencë, duke i qëndruar një versioni të ngjarjes. Edhe në përplasjen e saj me vajzën tjetër Gentianën, vihet re një qartësi deklarimesh. Gjatë gjithë kohës, dëshmitarja i është nënshtruar një procesi intensiv të marrjes në pyetje, të deklarimeve dhe ballafaqimeve. Një muaj pas fillimit të hetimeve, vajza është shtruar për një ndërhyrje kirurgjike në Spitalin e Kukësit, duke dhënë qartazi shenja lodhjeje dhe vështirësie të shkaktuara nga pozicionimi dhe trajtimi si dëshmitare kyçe.
Alketa
Është më e madhja nga vajzat e grupit. Është halla e Bleonës, ndaj saj është vënë gishti për një akuzë të rëndë implikimi, akuzë e cila nuk ka përkuar me element konkret gjatë hetimit. Versioni që ajo mund të kishte marrë pjesë në eliminimin e vajzës, pasi ishte e pikasur nga mbesa në një fragment intim me një të panjohur, më shumë se një variant i bazuar, rezultoi një dyshim i hedhur në rrjetin social Facebook. Burimi anonim i këtij versioni nuk u arrit të zbardhet. Ndërsa versioni mbeti i pabazuar dhe shumë i dyshimtë mbi qëllimet e publikimit të tij.
Gentiana
Është vajza që ka kërkuar grepin për qëndisje, duke u bërë kështu iniciatorë e një grupi veprimesh që rezultojnë në finale në mbërritjen e Bleonës në kullotë. Për një kohë të gjatë është pyetur dhe mbajtur nën vëzhgim. Gjetja e një numri të madh telefonatash me persona të ndryshëm, me të cilët dukej haptazi një lloj interesi social dhe individual, ka bërë që nën sitën e hetimit të vendosen edhe persona me të cilët ajo ka komunikuar. Në përfundim, nuk ka një dyshim të bazuar se tërësia e komunikimeve, si dhe posedimi i disa aparateve celularë të saj, e implikon me fatin e shtatëvjeçares.
ARANITA BRAHAJ