Fier, mjeku del në pension, spitali, 5 muaj pa toksikolog

Spitali i Fierit
Dalja në pension e mjekut Kilo Stoja lë pa specialist toksikolog Spitalin e Fierit.Prej 5 muajsh këto nuk ka mjek për rastet e helmimit, kur njihet fakti që në këtë qytet ka shumë të prekur nga puna në sektorin e naftës apo rastet e vetëhelmimeve të qëllimshme. Në këtë mënyrë, spitali i Fierit ka ndeshur në mungesën e një mjeku profesionist duke zëvendësuar apo duke përballuar fluksin e rasteve emergjente dhe intoksikacioneve nga mjekët reanimatorë. Në një periudhë gati 5-mujore janë reduktuar vizitat e pacientëve, të cilët ndeshin problem me toksikacionet, duke iu drejtuar mjekëve të tjerë jo profesionistë. Drejtuesja e Spitalit të Fierit, Donika Alushani, është shprehur se vendi vakant i mjekut të larguar është kërkuar të zëvendësohet, por gjithçka varet nga strukturat ministrore. Është e vërtetë që vendi i mjekut toksikolog është vakant prej më shumë se 5 muajsh, qëkur mjeku i mëparshëm toksikolog, Kilo Stoja, ka dalë në pension. Ne kemi kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë të na dërgojë një mjek toksikolog, pasi funksionin e tij qysh prej disa muajsh e kryejnë mjekët gastrologë dhe ata që janë roje, patologët kryesisht. Por një mjekim të specializuar nuk mund ti japë mjeku jo profesionist dhe, në këtë mënyrë kuptohet që shëndeti i pacientit rrezikohet mjaft. Sipas drejtoreshës, Spitali i Fierit është në pritje të një mjeku të ri toksikolog, pasi dihet që qyteti i Fierit është i njohur edhe si vend me ndotje nga sektori i naftës dhe sëmundje profesionale me helme dhe fenole në gjak. Nisur nga të dhënat e spitalit, shifrat janë tronditëse. Që nga fillimi i vitit, në Fier janë shënuar 32 raste të vetëhelmimit me dashje, me metoda të ndryshme, ku në 12 prej tyre janë shënuar viktima. Ndërsa nga intoksikimi prej ushqimit dhe alkoolit mësohet se janë paraqitur në spital 200 persona, por fatmirësisht nuk ka pasur viktima. Kështu spitalit Fier, por edhe pacientëve, u duhet të presin këtë zëvendësim të vendit vakant, ndërkohë që nuk ishte menduar më parë që kjo situatë do të sillte probleme të tilla.
FIER/ MAJLINDA RAMA