E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtëpia e Bardhë publikon foton Obama-Berisha

30/09/2009  Publikohet fotografia e kryeministrit Berisha me Presidentin Obama

Kreu i qeverisë ftoi zyrtarisht Presidentin për të vizituar Shqipërinë

Shtëpia e Bardhë ka publikuar ditën e djeshme në faqen e saj në internet foton zyrtare të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, me kryeministrin shqiptar Sali Berisha. Kjo foto u realizua gjatë pritjes që Presidenti amerikan mbajti në Nju-Jork me krerët botërorë të shteteve dhe qeverive që morën pjesë në sesionin e 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në këtë fotografi ka dalë çifti presidencial i SHBA-ve, Barak dhe Midhel Obama, së bashku me çiftin kryeministror shqiptar Sali dhe Liri Berisha. Për shkak se kjo ishte një pritje private e organizuar nga çifti presidencial amerikan, mediet nuk u lejuan të merrnin pjesë në ambientet ku u zhvillua pritja. Shtëpia e Bardhë vetëm ditën e djeshme ka bërë publike fotografitë zyrtare të takimit. Gjatë pritjes ceremoniale të organizuar në Muzeun Metropolitan të Arteve, kryeministri Sali Berisha e ftoi Presidentin Barak Obama për një vizitë në Tiranë, duke e siguruar se kurdo që ai të vijë do të gjejë në Shqipëri kombin më miqësor dhe më mirënjohës ndaj SHBA-ve dhe popullit amerikan. “Ju, zoti President, do të gjeni kombin më miqësor ndaj kombit amerikan, ndaj vendit tuaj dhe ndaj Jush dhe unë shpresoj shumë se Ju do të vini në vendin tim”, - iu drejtuar kryeministri Berisha Presidentit Obama në atë takim të shkurtër. Nga ana e tij Presidenti Barak Obama u shpreh se në Çikago, ku ai kishte punuar për një kohë, kishte pasur rastin të takohej e të punonte me disa shqiptarë dhe kishte nga ata mbresat më të mira.

Takimi me Obamën

Shefi i ekzekutivit Sali Berisha ka rrëfyer në konferencën për shtyp takimin e tij me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barak Obama dhe zonjën e tij, Mishel Obama. “Në takimin e shkurtër dhe të përzemërt që pata me Presidentin Obama, ishte kënaqësi të merrja urimin dhe vlerësimin për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si dhe të dëgjoja prej tij se në Çikago kishte njohur e punuar me miq shqiptarë”, - tha Berisha. Ai tha se premtimet janë shumë shpresëdhënëse, pasi u nda me shpresën e realizimit të kësaj vizite.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›