E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrau gruan me thikë, “burg pa afat” për 39- vjeçarin

Autori i Lajmit: red.
Gjykata e Tiranës vendosi dje masën e sigurisë së "arrestit me burg" ndaj shtetasit 39-vjeçar. Ky i fundit masakroi për vdekje me thikë gruan e tij në gjendje të dehur. Vendimi për lënien në qeli të Shpëtim Zhllimit është marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, me kërkesë të Prokurorisë. Shpëtim Zhllima është arrestuar dy ditë më parë si autor i dyshuar në vrasjen me armë të ftohtë, thikë, të bashkëshortes së tij, Nafije Zhllima, brenda banesës së tyre në Tiranë, pranë Spitalit Ushtarak. Pak pas ngjarjes, Policia konfirmoi se Zhllima në momentin e kryerjes së krimit ka qenë në gjendje të dehur. Gjatë arrestimit, forcat e policisë i gjetën dhe bllokuan atij, me cilësinë e provës materiale, armën e krimit. Sipas të dhënave hetimore, shkak i këtij krimi brenda familjes mendohet të jetë bërë një grindje mes dy bashkëshortëve.
Ky lajm është publikuar: 21/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›