E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ledi Muka, një ushtarake me “Harley Davidson”



Sonila Merolli

Teksa nis rrëfimin mbi pasionin e saj, një ‘vogëlushe’ e re e parkuar para lokalit të motoristëve ja tërheq vëmendjen. Megjithatë arrin të vetëpërmbahet e nis të tregojë për pasionin e saj për motorët e stërmëdhenj, “Harley Davidson”. Për pak Ledi Muka feston 32-vjetorin e lindjes, por ndryshe nga femrat e tjera që do të shqetësoheshin për moshën, shqetësimet e saj nisin e bitisin tek “Road King ” apo “mbreti i rrugës”, motor që nuk e ndërron me asgjë në botë. Prej disa vitesh ajo bën pjesë tek shoqata e Harley-stave, edhe pse si suport. Për këtë shkak ka edhe nga ata që e shohin shtrembër, aq më tepër kur profesioni i saj është ushtarake pranë Qendrës së Koordinimit për Mbështetjen e Vendit Pritës, kërkon disiplinë. “Në punë koleget femra, por edhe meshkuj më shohin shtrembër. Jeta profesionale është larg jetës sime sociale, por të dyja kanë rregulla dhe uniforma”, shprehet ushtarakja që çdo mëngjes pret të huajt me uniformën lara-lara, ndërsa në mbrëmje vesh xhupin e lëkurës. Magjepsja e saj me “përbindëshat” zë fill 13 vite të shkuara, kur shoku i fëmijërisë e ftoi për një xhiro me motor, pa i dhënë detaje të mëtejshme, duke e ditur pasionin e hershëm të shoqes së tij. Që nga ajo ditë zhaurima e motorit “Harley Davidson” i vjen në mendje si kolona zanore e jetës e saj. “Nga zhurma e fuqishme që ndjeva, e kuptova se joshja karshi tyre do të zgjaste më shumë sesa një xhiro. Dhe kështu ndodhi! çasti i parë kur e preka dhe u ula mbi një “Harley”, aty ndjeva sesi ishte dashuria e vërtetë. Provova ndjesi që as tek një mashkull nuk kisha ndjerë. Ishte një ndjenjë e pastër, e plotë, që vijon ende ta përjetoj sa herë që gjendem pranë atij”, shprehet Ledi, duke shpjeguar se marrëdhënia me motorin i kalon kufijtë e një objekti të ftohtë metali. Sipas saj, secili nga tipat e “Harley Davidson” dallohet qartazi, por më i shtrenjti mbetet vetëm një prej ‘përbindëshave’. “Mua më ka “rënë në kokë” për një tip motori që quhet “Road King” i viteve 1974. Nuk e ndërroj me asgjë tjetër”, thotë 32-vjeçarja, e divorcuar disa vite më parë. Kjo dashuri nuk iu venit as pas një aksidenti, nga i cili shpëtoi për mrekulli me disa dëmtime që sot e kësaj dite ua ndjen jo pak pasojat. “Kur e mëson të kap një panik përzier me euforinë. Gjëja më e vogël ta shpërqendron vëmendjen. Nuk e mbaj mend se çfarë ndodhi në fillim, por e di që kam bërë disa salto”, kujton Muka. Megjithatë, atë ngjarje Ledi e hodhi pas krahëve, dhe nuk mendoi për asnjë moment të mos i hipte më një ‘përbindëshi”, as kur u bë dëshmitare e një vdekjeje tragjike. Pranon se ajo ngjarje e kobshme, e ka traumatizuar, por dashuria karshi motorëve nuk iu zbeh edhe pse paniku e shoqëron gjithnjë. “Mendova se mund të më ndodhë dhe mua, por kur kam para një të tillë, diçka më e fortë se logjika, më tërheq drejt tij. është shpirtërore nuk e komandon dot, ashtu sikurse dashuria, edhe unë nuk e kam më veten në dorë”. E megjithatë, në një moment të dytë të jetës u detyrua ta braktiste. Ishte ardhja në jetë e vajzës së saj, Soenit. “U shkëputa me vite, krijova familjen time. Kur bëhesh prind, çdo gjë kalon në plan të dytë. Megjithatë, nuk arrita ta mbaja larg vajzën, pasi ajo çmendet pas motorëve. Ndërsa te Stelwings, iu desh një kohë për t’u afruar. është i vetmi vend që e konsideron si shtëpi. Të qenit motorist ka rregullat e veta, sepse asaj i është dashur jo pak, por dy vjet për t’u pranuar në grup. Në këto dy vite pretendoi për t’u bërë pjesë, qoftë edhe si suport, pasi të drejtosh një motor të tillë nuk lejohet nga ‘ligjet’ dhe rregullat e tyre. Përpos këtyre kushteve, Ledi shprehet se një guidë me motorë nën shoqërinë e tyre, nuk harrohet aq lehtë. “Një guidë me motorë është një mrekulli. Herën e fundit ishim në Korçë, si krushq, pasi martuam një shokun tonë. Të veshur me xhupa lëkure, nusja me vello me xhup të bardhë, ndërsa dhëndri me kostum. Udhëtimi në grup ka një ndjesi të jashtëzakonshme, je me njerëz që i do, me një përbindësh që e adhuron dhe të duket vetja, jo thjesht i lirë, aty ke arritur maksimumin e gjërave që ke dëshiruar. Nuk e mohoj, frika më shoqëron në çdo moment, më kapi pasiguria dhe mu kthyen kujtime të hidhura. Por do vijë një moment që do ta blej motorin tim, por po e shtyj sa të më rritet vajza ime, Soen”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›