E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flokë 2010 Ide, mbrojtje, ngjyra



Tezat janë të ndryshme. Dëgjohen të dyja variantet, edhe ai që kripa dielli, e klori i pishinës t’i dëmton flokët, edhe tjetri që përkundrazi, dielli e kripa janë ushqyes të mirë nëse merren në dozat e duhura. Edhe pse, pohimet më të shpeshta shkojnë në favor të variantit të parë. Sidoqoftë, ne kemi pyetur dy specialistë që janë marrë me flokët, që kur se kujtojnë që kanë bërë një punë. Monika Brahja dhe Ardi Borova, edhe pse takohen në të njëjtat pika, sa u përket nuancave e ngjyrave të flokëve të këtij sezoni, kur vjen puna te kripa e te dielli, nuk janë në një mendje. Megjithatë, të shohim të plota sugjerimet, këshillat dhe trendet që propozojnë specialistët për këtë verë, të para në këtë rast nga syri i një stilueseje flokësh femër dhe nga një mashkull.

Eksperimentimet që të shohin sytë në sallonin e Monikës janë gjithfarëshe. Patjetër që klientët që tentojnë pamjet e reja, krejt të ndryshme nga ajo me të cilën shfaqen kur hyjnë në sallon, duhet të jenë të gatshëm ta lënë veten në dorë të fantazisë së saj… Pas këtij aprovimi mirëbesues, nis puna për një vete krejt të re… Shohim çfarë propozon Monika për këtë verë…

Ngjyrat e verës

Ngjyrat që mbizotërojnë gjatë kësaj vere janë ato të tokës, në nuanca të ngrohta dhe të ftohta. Ndryshe nga më parë, këtë verë nuk do të shihet dendur përdorimi i fijeve. Edhe në rast se do të jenë të dëshiruara nga klienti, nuk do të jenë me shumë kontraste, pra do të aplikohen ton mbi ton (colpo di sole). Ngjyra e fijes do të jetë e përafërt me atë të bazës. Kjo lojë nuancash pa tepri ngjyrash është e përshtatshme thuajse për të gjitha lëkurat.

Si të mos i dëmtoj?
Mbrojtja e flokëve është më e rëndësishmja gjatë këtij sezoni, sepse ndikimi i diellit, kripës dhe klorit të pishinave është shkatërrues për to. Në këtë rast bëhen të domosdoshëm një sërë produktesh që duhet t’i ketë gjithsecila me vete në valixhen e pushimeve. Disa prej tyre janë: maska pa shpëlarje, vaji i cili luan rol edhe si kurues edhe si zbutës e mbrojtës. Duhet shampoja e posaçme për t’u përdorur para dhe pas diellit. Këshillë e dobishme është edhe përdorimi i kapuçit gjatë kohës që notojmë, apo zhytemi në det a pishinë.

Prerjet
Vazhdon të jetë tendencë e kohës prerja kare e prerë dhe e stiluar në mënyra të ndryshme, me apo pa shkallëzime. Edhe balluket këtë verë do të jenë preferenciale, në secilin rast, nëse i mbajmë ose jo, nuk rrezikojmë të jemi jashtë modeleve ‘in’ të kësaj vere. Natyrisht që secila prerje dhe preferencë nga të mësipërmet është në varësi të karakterit të gjithsecilës. Prerjet më të shpeshta vijojnë të jenë ato të gjatësisë mesatare me shkallëzime të sipërfaqshme, të krehura këto me onde të lehta ose të çrregullta.

E reja verës: Gërsheti
Krehja apo në këtë rast stilimi më trend i këtij sezoni është gërsheti. Mund të jetë ai te pjesa e balukes, i shoqëruar me një krehje të lëshuar, apo i stiluar në mënyra të ndryshme. Të gjithë flokët mund të kapen gërsheta të vogla, mund të preferohet gërsheti klasik. Pra sidoqoftë, me gërshetin këto dy muaj të nxehtë je brenda. Mos kujtoni se nëse vendosni të kapni flokët gërshet, duke i parashikuar ata për një periudhë dy javore nuk do të mund të vishni fustanin e preferuar në mbrëmjet e programuara të pushimeve. Gërsheti është i preferuar edhe në këtë rast, natyrisht jo i shoqëruar me veshjet klasike. është model komod, trendi dhe stil. Një tjetër mënyrë të stiluari është efekti i flokëve të lagur që është i përshtatshëm gjatë ditës dhe që është më i përshtatshëm për flokët me onde.

Ngjyrat
Këtë verë rikthehen biondet. Ngjyrat e lëkurës pas plazhit dhe flokët biondë nxjerrin sytë më në pah. Rikthehet gjithashtu kombinimi i ngjyrave të forta si bakri, vjollca dhe moka. Mund të bëhet kombinimi me fije i tyre. Dinamika e ngjyrave të kombinuara me prerjet, jep një imazh të freskët e të rinovuar.

T’i lyej flokët
përpara plazhit?
Pjesa më e madhe e njerëzve mendojnë që lyerjen ta bëjnë pasi të kthehen nga pushimet. Në këtë rast më duhet t’iu kujtoj që jeni duke shkuar në plazh e jo në funeral, e mira do ishte të dukeshit në gjendje të mirë. Po përtej humorit, lyerja përpara plazhit i krijon flokut mbingarkesë pigmentesh, strukturë solide, dhe e vesh atë me një shtresë mbrojtëse. Pra përveç se do dukeni bukur, do keni edhe flokë të mbrojtur. Gjatë darkave të pushimeve nuk është pamja e duhur ajo me bojë të dalë e flokë të çakërdisur. është tjetër gjë nëse jo të gjithë munden a duan ta lyejnë sërish pas kthimit, sepse domosdo që gjatë 2 javësh a më tepër boja do të bjerë.

Modelimet
Për flokët e gjatë të drejtë, prerja që do ju rrinte më mirë gjatë kësaj vere është shkallëzimi i lehtë përpara, duke luajtur me balluket. Në pjesën e pasme të jenë të derdhur pa ndërhyrë me shkallëzimet, sepse janë të përshtatshëm edhe për t’u kapur kollaj, ndërkohë që stilohet pjesa përpara. Arrihet kështu një look i ndryshëm dhe praktik. Gjatësia mesatare këshillohet të jetë e drejtë por asimetrike, pra mund të luhet me fijet në pjesën e përparme dhe të pasme të jetë kush më e gjatë, kush më e shkurtër. Ndërsa flokët e shkurtër kanë si përherë tendencat e detajeve, siç mund të jenë aksesorët apo favoritet e gjata, ose të rruara dhe me balluke të gjatë asimetrike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›