Berisha, ambasadorëve: “Ndryshoni kurs, fokusohuni te diplomacia ekonomike!”
Kryeministri Sali Berisha u ka kërkuar ambasadorëve shqiptarë në botë që të fokusojnë si objektiv primar të punës së tyre diplomacinë ekonomike. Berisha, i cili ka marrë pjesë në Konferencën Vjetore të Ambasadorëve, kërkoi gjithashtu nga diplomatët shqiptarë që t’i kushtojnë një rëndësi më të madhe punës së tyre për promovimin e imazhit të Shqipërisë dhe Kosovës në botë. Por kryeministri kërkoi që ambasadorët kryesisht të fokusoheshin tek ekonomia dhe thithja e investimeve të huaja. “Misionet e diplomacisë sonë duhet të shndërrohen në misione ekonomike”, - tha Berisha. Sipas tij, Shqipëria është larg këtij objektivi, ndaj dhe ambasadorët duhet të ndryshojnë veten e tyre nga punëtorë politikë të shndërrohen në punëtorë ekonomikë. “Nuk ka rrugë më të sigurt që ju mund të kontribuoni në marrëdhëniët me vendet e tjera sesa bashkëpunimi ekonomik. Unë besoj se ju do ta përmbushni me dinjitet këtë objektiv”, - u shpreh ai. Kryeministri sugjeroi krijimin e Task Forcës në ambasadë. “Në këtë task forcë ju mund të angazhoni shumë nga shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në vendin ku ju jeni akredituar dhe që kanë arritur rezultate të larta në punën e tyre, shumë qytetarë të atyre vendeve mike për të punuar në zgjerimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”, - vijoi Berisha. Ai kërkoi nga Ministria e Jashtme që t’i japë përparësi angazhimit të ekonomistëve në diplomaci, ndërsa nga diplomatët që të zhvillojnë takime konstante me përfaqësues të botës së biznesit, pasi, sipas kryeministrit, Shqipëria më shumë se çdo gjë tjetër ka nevojë për investime të huaja”. Për kryeministrin Berisha, diplomacia shqiptare duhet të jetë shumë aktive në drejtim të promovimit të imazhit të vendit. Krahas kësaj, në fjalën e tij, kryeministri vlerësoi punën e çmuar të ambasadorëve shqiptarë dhe kontributin e rëndësishëm që ata kanë dhënë gjatë vitit 2008, të cilin e konsideroi si vitin e ndryshimit të madh, vit historik. Kreu i qeverisë veçoi me këtë rast marrjen e ftesës së anëtarësimit të Shqipërisë në NATO në prill të këtij viti dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
28 Tetor 2008