E Diel, 1 Nëntor 2026

Katër dëshmi kundër mjekut



Armand Bajrami

Në Gjykatën e Tiranës u dëgjuan dje dëshmi shkencore që fajësonte mjekun Xhevahir Hoxhallari për vdekjen e 17-vjeçares së operuar vjet në bajame, Matilda Petriti. “Ndërhyrja fatale ka qenë ajo e datës 15 prill 2008. Ena e gjakut ishte qetësuar pas qepjes në spitalin e Korçës. Nuk kishte indikacion për ndërhyrje të re”. Pozitat e Xhevahir Hoxhallarit, mjekut të akuzuar për “mjekim të pakujdesshëm” me pasojë vdekjen e 17 vjeçares Matilda Petriti në vitin 2008, u rënduan së tepërmi dje në Gjykatën e Tiranës. Një komision ekspertësh të mjekësisë ligjore pohuan para gjykatës se ajo që ka çuar në përfundimin fatal të jetës së minorenes ka qenë një ndërhyrje e gabuar nga ana e të pandehurit. Ekspertët kanë dhënë dje 68 përgjigje për pyetje të palëve, duke dhënë mendim të specializuar mbi rrethanat e vdekjes së Matilda Petritit, e cila ndërroi jetë si rezultat i hemorragjisë pas një operacioni bajamesh. Nga ekspertët u pohua se e mitura i ishte nënshtruar në total tre ndërhyrjeve kirurgjikale. Sipas tyre, “goditja përfundimtare” ishte ndërhyrja e tretë, e cila ishte kryer nga mjeku Hoxhallari.
EKSPERTET
Gjykata e Tiranës dëgjoi dje përgjigjet e 68 pyetjeve të palëve drejtuar ekspertëve mjeko-ligjorë Admir Sinamati, Fatos Sinani, Gjergji Syko dhe Elmaz Shaqiri për ngjarjen e vdekjes së Matilda Petritit. Në një gjuhë të tej mbushur me terminologji të specializuar mjekësore ekspertët sqaruan “një më një” etapat në të cilat kishte kaluar minorenia Petriri nga operacioni i bajameve deri sa ndërroi jetë. Sipas ekspertëve, në ndërhyrjen e parë për heqjen e bajameve në 6 prill 2008, të miturës i ishte dëmtuar ana e jashtme e një ene gjaku të fytit. Në vazhdim pas shfaqjes së komplikacioneve të theksuara të hemorragjisë, e mitura është mjekuar nga mjekë të spitalit të Korçës. Sipas ekspertëve, mjekët e Korçës kanë bërë ndërhyrjen e dytë tek e Mitura, duke qepur venën e dëmtuar të gjakut. Në 14 prill 2008 ajo është dërguar në QSUT në Tiranë për një ndihmë më të specializuar mjekësore, ku nga ana e të pandehurit i është bërë dhe ndërhyrja e tretë. Ekspertët thanë dje se të nesërmen në Tiranë e mitura është futur në sallën e operacionit nga mjeku Hoxhallari ku, i janë hequr qepjet e venës të bëra në spitalin e Korçës dhe i janë bërë qepje të reja. “Janë hequr tre qepjet djathtas dhe tre qepjet majtas të venës dhe janë bërë pa arsye, të reja”, u shprehën ekspertët. Sipas tyre, heqja e pajustifikuar e qepjeve të spitalit të Korçës ka qenë një ndërhyrje operatore e gabuar. Para gjykatës, ekspertët pohuan se ena e gjakut në fytin e së ndjerës nuk ishte prerë gjatë operacionit. “Gjatë operacionit të bajameve, ena e gjakut vetëm është dëmtuar në pjesën e jashtme, por dëmtimi përfundimtar ka ardhur në datë 15 prill”, thanë ekspertët. Gjithashtu ekspertet dje pohuan dhe mungesën e kartelës mjekësore për Petritin nga data 15 prill deri në ditën që ajo ndërroi jetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›