E Diel, 1 Nëntor 2026

Kokrrat me glukozë po më bëjnë të njoh “shokët e idealit” që po na mbajnë të ngujuar

Ditari online i deputetit disident të çadrës së jugut

Moj grua, këto ditët e fundit më kujtohet veç ajo greva e urisë, për të cilin flisnin ata dy aktorët e Shkodrës, në atë skeçin e para 15 vjetëve. S’ka si të mos më kujtohet, pas presioneve që po na bëhen prej Ilir Beqjes dhe Artan Gaçit, që të hamë edhe me zor, pasi tashti po planifikohet një fushatë mediatike, me ne barktharët e çadrave, dhe s’duhet assesi të dukemi të pafuqishëm, por siç thotë kryetari, plot energji, pasi, ashtu duhet të na bëjë të ndihemi kauza e kutive. Po ç’kuti, moj mjaltëz, me ato kokrrat me glukozë që na shpërndajnë dhe me atë lëndën e trashë si shërbet që na shërbejnë në vend të ujit, jo 9 ditë, por 99 ditë durojmë... (lëre se këtë numrin 99 kam frikë ta përmend, se në njërën anë kam Erion Veliajn, që pretendon se ka copyright-in, e në anën tjetër Besnik Baren, lidhjen e të cilit me 99-shat, ti e ke parasysh, apo jo?)...
Mjaltëz, ditëve të para kujtoja se ato kokrrat ishin vetëm për diabetikët, prandaj isha katandisur kockë e lëkurë, por nga një bisedë të rastësishme që pata me Shegushin (nuk është e rrezikshme, mos u tremb, moj grua), mësova sekretin dhe tani jam si dem. Syrin pishë e kam gjithë ditën (edhe natën, por për rrëfenjat e natës do të të them kur të kthehem, pasi, siç e di, i trembem asaj censurës së Koços), dhe tani po i shoh tamam se ç’qenkan këta shokët e mi të idealit. Secili është ndryshe nga sa i mendoja, mjaltëz... E ke parasysh Arben Ahmetajn, atë djalkën babaxhan, që thoshte se ishte i gatshëm të merrte përsipër të gjitha punët e partisë e të gjitha hallet e simpatizantëve? Negocion me grevistët kuksianë për të rregulluar krevatin e për ndonjë punë tjetër të vogël, pasi thotë se kapitalizmi e ka kthyer në borgjez dhe e ka bërë me para... Po Fatmir Xhafën e kujton, atë labin që bën si pogradecar? E pra, ai gjithë ditën s’bën gjë tjetër, veç ankohet për katundarët e jugut e të veriut që thotë se na kanë mbushur çadrat, bile akuzon edhe Ledi Shamkun, se shërben si frymëzuese me ato sjelljet e saj arroganto-katundareske alla-Nexhmije. Mos të të flas për Besnik Baren apo Ilir Beqjen, dy të moralshmit e Asamblesë së partisë, shndërrimi i të cilëve më ka lënë pa mend dhe karakteri bezdisës i lëvizjeve dhe i “miqësisë” që të ofrojnë, më ngjall me të vërtetë krupën.
Mjaltëz, mos u shqetëso fare për mua, pasi, sa të kem atë lidhjen e shkurtër me Shegushin, s’mbetem pa kokrrat e glukozës e pa bërë kokrrën e qejfit (jo xheloze, moj grua, se qejfin e kokrrave e kam shtyrë për kur të dal).
Më fal e dashur, por jam bërë si Erion Veliaj, ç’më ka barku, ma nxjerr bardhaku dhe tek kjo greva e urisë, bardhaku më ka veç fjalë e gjëra të ndyra, pasi veç gjëra të tilla po dëgjoj...
Për problemet që shkaktoi ardhja e asaj këngëtares, do të të flas nesër, nëse do të mund të gjej fjalë për të treguar, pasi gjithçka pashë e dëgjova, s’mund të tregohet me fjalë që mund të thuhen.
A presto, mia topolina!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›