“S’ka hapje të kutive, opozita të marrë përgjegjësitë e integrimit të vendit”
Kryeministri Berisha apel kreut të PS-së: “Dil nga kutia shih përparimin e Shqipërisë”
Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje dje kreut të PS-së Edi Rama që të nxjerrë përfaqësuesit e opozitës nga kutia dhe të dalin të shohin realitetin e Shqipërisë së ndryshuar, falë reformave dhe punës së qeverisë demokratike. Gjatë ceremonisë së përfundimit të punimeve për segmentin e parë të unazës së Paskuqanit dhe përfundimit të fazës së parë të ujësjellësit po në këtë zonë, Berisha i kujtoi drejtuesve të opozitës se është në të mirë të tyre të marrin përsipër përgjegjësitë e integrimit të vendit, në këto momente të rëndësishme, kur Shqipëria pret aprovimin final nga Brukseli, për liberalizimin e vizave dhe statusin e vendit kandidat në BE.
“Dilni nga kafazi, dilni nga kutia dhe njihni Shqipërinë tjetër, Shqipërinë që zhvillohet, Shqipërinë që ecën çdo ditë drejt idealit të saj evropian” – iu drejtua kryeministri Berisha përfaqësuesve të opozitës, duke shtuar se Shqipëria Evropiane, është ideali i të gjithë shqiptarëve, rrugëtim ky që s’do mund ta pengojë askush.
“Rrugën drejt Evropës e cila kalon vetëm nga Shqipëria Evropiane dhe përmes Shqipërisë Evropiane, të jeni të sigurt, sot në mbarë vendin janë në ndërtim dhe rindërtim qindra e qindra e kilometra rruga qindra e qindra shkolla, qendra shëndetësore, qendra kulturore. Sot sërish ka nga ata të cilët që nga mëngjesi gjer në darkë iu bien sirenave të krizës. Le t’u themi bashkë këtyre shokëve apo zotërinjve: Me çfarë ndërtohen këto rrugë more zotërinj? Me çfarë ndërtohen këto shkolla? Urdhëroni dhe shikoni! Mos bëni rolin e atyre që kanë sy dhe nuk shikojnë se ajo është absolutisht marrësi. Urdhëroni shikon rrugët që asfaltohen, shkollat që ndërtohen, ujësjellësat që ndërtohen dhe do të kuptoni se Shqipëria është në ndërtim dhe jo në krizë. çfarë do t’u thoni qytetarëve të Paskuqanit, qytetarëve shqiptarë, kur më 1 korrik do të njohin rritjen më të madhe të rrogave dhe pensioneve në tërë historinë e vendit. A e kuptoni ju se kriza zhvillohet vetëm në psikikën tuaj. Shqipëria reale është Shqipëria që ecën e sigurt drejt Shqipërisë evropiane; Shqipëria reale është Shqipëria e rrugëve të reja, shkollave të reja, e rrogave të rritura, e punësimit të ri, e investimeve të reja. Shqipëria reale është Shqipëria e qytetarëve të saj, që së shpejti do të lëvizin pa viza në mbarë Evropën. Shqipëria reale është Shqipëria që ecën e sigurt drejt statusit të kandidatit”, u shpreh kryeministri Berisha në fjalën e tij para banorëve të Paskuqanit.
Duke iu referuar ditës së 9 majit, ditës Evropës, kryeministri u shpreh i sigurt për realizimin e idealit evropian të Shqipërisë. Në këtë kuadër, Berisha tha se qeveria dhe kabineti që ai drejton do të realizojë të gjitha reformat dhe kushtet e kërkuara nga ndërkombëtarët.
“Rruga jonë drejt Europës nuk ka qenë e lehtë, por me shumë mund dhe shqiptarët kanë derdhur djersë pasi kjo rrugë është rrugë nderi, dinjiteti dhe suksesi. Më shumë se mund dhe djersë anë derdhur shqiptarët në këtë rrugë, se lumi sjell ujëra në shtratin e tij. Ndaj dhe unë ju ftoj, i ftoj shqiptarët, sot më shumë se kurrë të përkushtuar ndaj vlerave evropiane, sot më shumë se kurrë të përkushtuar ndaj idealit evropian, sepse sot janë më afër se kurrë shndërrimit të tyre në realitet”, tha Berisha.
Duke iu referuar pretendimeve të opozitës për hapjen e kutive, Berisha tha se me asnjë çmim nuk do dilet mbi vendimet e gjykatave, duke e konsideruar këtë si një kapitull të mbyllur. Përgjigjja definitive e kryeministrit Berisha, vjen në një kohë kur Edi Rama ka ngujuar në bulevardin ndërmjet selisë së Kryeministrisë dhe asaj të Kuvendit 22 deputetë dhe 170 socialistë të thjeshtë. Vendosmëria e palëkundur e ekzekutivit për të mos dhunuar gjykatat dhe vendimet e tyre për procesin elektoral të vitit të kaluar, tregon edhe njëherë se shpresat e Edi Ramës për marrje të qeverisë në tavolinë janë gjithnjë e më të zbehta, për të mos thënë plotësisht të pamundura. Tentativa për përdhosjen e ligjshmërisë së procesit elektoral, për të cilin Shqipëria mori notën më të lartë nga institucionet e administrimit të votës si në Shqipëri ashtu edhe në rang ndërkombëtar kujto këtu raportin e OSBE/ODIHR, 50 faqet e të cilit flisnin për një proces të rregullt, normal dhe pa tentativa manipulimi.
Më 1 korrik 2010, do regjistrohet një tjetër rritje e madhe e pagave dhe e pensioneve
Qeveria pritet të miratojë vendimin për rritjen më të madhe të pagave dhe pensioneve në 1 korrik të këtij viti. Pas rritjes 2 shifrore të realizuar një vit më parë, ekzekutivi ka vendosur një tjetër suport për pagat dhe pensionet duke filluar nga dita e parë e korrikut. Zotimi solemn i qeverisë dhe vetë kryeministrit Berisha për rritje progresive të pagave dhe pensioneve ka gjetur terrenin më të përshtatshëm për t’u realizuar, pas kapërcimit me sukses të efekteve të krizës financiare botërore. Në një kohë kur vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, të cilat aplikojnë monedhën euro, ndodhen në kushte të vështira financiare dhe si pasojë kanë vendosur masa drastike për të rikuperuar defiçitet disa-shifrore në buxhetin e shtetit, qeveria shqiptare ka tagrin e plotë, për mbajtjen e një premtimi madhor para shqiptarëve, për rritjen më të madhe të pagave dhe pensioneve më 1 korrik 2010. Vendimi i radhës i qeverisë, pritet të shërbejë si një mesazh i qartë për të gjithë ata që iu bien kambanave të alarmit për deficit buxhetor dhe krizë ekonomike, pasi realiteti flet të kundërtën; qeveria rrit pagat dhe pensionet, opozita e Edi Ramës vetë- ngujohet në bulevardin e ngushtë, ndërmjet selisë së Kryeministrisë dhe asaj të Kuvendit...