Zhgënjehet Jeremiçi

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Vuk Jeremiq, është ndarë i zhgënjyer me Këshillin e Sigurimit për shkak të anulimit të mbledhjes së jashtëzakonshme për Kosovën, të cilën e kishte kërkuar Serbia. Një pjesë e ambasadorëve të vendeve të KS të KB-ve nuk pranuan që të debatohet deri në mbledhjen e rregullt që do të mbahet nga fundi i muajit gusht.
Pas daljes nga takimi me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-Mun, shefi i diplomacisë serbe është shprehur i zhgënjyer me vendimin e Këshillit të Sigurimit për të mos u mbajtur mbledhja për Kosovën, në të cilën do të debatohej rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë.
“Me sa e kuptuam ne, tre anëtarë të Këshillit të Sigurimit nuk e pranuan kërkesën tonë edhe pse shumica e tyre ishin të pajtimit që të bëhej mbledhja e jashtëzakonshme ku Serbia do t`i adresojë këtij këshilli. Është shumë zhgënjyese dhe kjo ishte një tentativë që të fshihej nga opinioni ndërkombëtar dhe nga anëtarët e OKB-së një debat rreth asaj se çfarë ndodhi në tre ditët e fundit në Kosovë”, ka thënë Jeremiq.
Ai ka shtuar se mbledhja e KS të KB-ve për Kosovën do të mbahet në muajin gusht, kur do të paraqitet raporti i rregullt i shefit të UNMIK-ut.
“Serbia beson se vetëm përmes dialogut mund të zgjidhen problemet, mirëpo disa njerëz mendojnë ndryshe dhe disa nga përkrahësit e unilaterizmit duket se po e përdorin tërë fuqinë e tyre institucionale që të vazhdojnë me këtë situatë”, ka thënë Jeremiq.
Jeremiq ka shtruar një sërë pyetjesh, të cilat sipas tij duhet të marrin përgjigje: Kush është personi që urdhëroi inkursionin e militantëve të armatosur në veri të Kosovës, a e ka ditur dikush nga komuniteti ndërkombëtar se çka do të ndodhë, pse EULEX u largua nga veriu, pse aktorët e mandatuar me Rezolutën 1244 kanë dalë jashtë mandatit dhe a duhet të përdoren veprimet e njëanshme që të përparojnë negociatat.
“Është shumë zhgënjyese, por kjo është bota në të cilën ne jetojmë dhe do të vazhdojmë të kërkojmë një rezolutë për këtë krizë aktuale dhe për problemin e Kosovës në përgjithësi”, ka thënë Jeremiq.
Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj nuk u lejua që të deklarohej para medieve dhe nuk pranoi të prononcohej as përmes telefonit duke e konsideruar si zgjidhje më të mirë qëndrimin larg opinionit.
Ditën e premte Hoxhaj do të ketë një takim më sekretarin e përgjithshëm Ban Ki-Mun ku do të bisedohet rreth gjendjes se krijuar ditëve të fundit në veri të Kosovës. (Q.Doda/ KosovaPress)