E Shtunë, 31 Tetor 2026

“ǒmë thanë shqiptarët e San Paolos”

 

Pirro Andoni

Ishte fundi i marsit kur me ftesën e MPJ të Brazilit vizituam San Paolon. Ai i ngjan një gjiganti si Nju Jorku apo Tokio. Shëtitorja e famshme Paoliste, si një arterie, e përshkon qytetin nga njëra anë në tjetrën. Dikur në të dyja anët e saj ishin ngritur kafene, ndërsa sot ato janë zhdukur, duke u zëvendësuar nga kullat gjigante prej xhami.  Në 20 vjet, San Paolo u shtua nga 2 në 12 milionë banorë. Ky eksplozion i menjëhershëm demografik krijoi metropolin më të madh të Brazilit, e bashkë me të, qytetin më të zhurmshëm e më të ndotur që ekziston në botë. San Paolo është simbol i historisë së Brazilit, që nga plantacionet deri te potenciali industrial i këtyre viteve, që nga kolonizimi portugez, deri te kozmopolitizmi i një kombi, ku përzihen gjermanët me japonezët, çifutët, italianët dhe turqit. San Paolo është një Nju Jork i vendosur në një kontinent tjetër. Aty vëren ekstremet e shoqërisë së sotme, padrejtësinë shoqërore, ku të pasurit në polin e tyre bëjnë një jetë përrallore, ndërsa varfëria mundon pothuajse gjysmën e popullsisë. Ai është i ndarë në dysh nga shoqëria e konsumit. Një San Paolo i pasur dhe një tjetër i varfër. Në aeroportin e San Paolos kanë dalë të na presin autoritetet e qytetit, deputetë të PK të Brazilit, anëtarë të shoqërisë së miqësisë Brazil-Shqipëri, si dhe një grup i vogël shqiptarësh me banim në këtë vend. Ndonjëri më kujtohet dhe sot. Ishte Aqifi, që ishte arratisur nga Fieri. Donte të kthehej në shtëpinë e tij, të shikonte djemtë dhe të afërmit. Pastaj, një burrë i imët, me një të folur gjysmë shqip gjysmë portugalisht, mu afrua, duke thënë se ishte Ludovik Deda, i afërm i muzikantit të njohur, Ferdinand Deda, me të cilin dikur kishim punuar bashkë në Radio-Televizion. Ishin edhe dy-tre të tjerë, të cilëve ua mora emrat shënim, bashkë me kërkesat.  Këta burra të larguar në kushte të veçanta e të renda, e përfytyronin ndryshe nga realiteti Shqipërinë. Duke qenë larg, pa asnjë lidhje, në mungesë të plotë të informacionit, ata kishin gjetur si rrugën më të përshtatshme për të marrë vesh diçka për vendin e tyre shoqërinë e miqësisë Brazil-Shqipëri. Ishin frekuentues të rregullt të saj dhe ndihmonin me të gjitha mënyrat dhe mundësitë. Kryetarja e kësaj shoqërie, Vania Santos, na tha se janë njerëz shumë të mirë, të përkushtuar, që e duan vendin dhe kontribuojnë në të gjitha aktivitetet që kryen shoqëria. Duke u ndarë me ta, bëra një fotografi. E ruajta në sirtarin e veçantë, se mos ndonjë nga ata që i njihte e bënte problem. Më mbeti në mëndje ajo që më thanë gati me një zë të gjithë: Na ndihmo të kthehemi, të takohemi me njerëzit tanë e pastaj të vuajmë dënimin sipas ligjit shqiptar!"
Në San Paolo u vendosëm në një nga hotelet më të mirë. Dhoma ku do të qëndroja unë ishte po ajo ku kishte fjetur presidenti i Portugalisë. Sa e pashë, më shkoi menjëherë mendja se çmimi i saj do të ishte i kripur dhe se padyshim me ata të financës në ministri, por edhe me drejtuesit, do të kishim debate. Kërkova andej-këtej se mos gjeja çmimet në ndonjë vend, por nuk ishin. Mendova se për të tilla raste nuk i afishojnë çmimet. Ku pyeste presidenti i Portugalisë, Suarez, për pagesën! Mora në telefon Kudretin dhe e pyeta  si ishte apartamenti i tij. I zakonshëm, më tha. Iu luta të vinte pak në apartamentin ku do të qëndroja unë. Pas pak erdhi. Sa hyri te dera, e lëshoi batutën e parë të humorit: "Bëni gati 500 jeshile për një natë!". Nuk kishte gabuar shumë, vetëm me 100 dollarë. Çmimi ishte 400 dollarë. U nxehëm dhe po mendonim se si duhet të shpëtonim nga kjo që na zuri. Në çast bie zilja e telefonit. Përgjegjësi i hotelit na pyeti nëse jemi kënaqur me dhomat dhe nëse dëshirojmë ndonjë gjë. E falënderuam. Pastaj, ndoshta ngaqë për herë të parë kishte mysafirë nga një vend "ekzotik"- siç e quanin ata Shqipërinë- na ftoi për një kafe. Shkuam, por tensioni nuk na kishte zbritur. Mendja na kishte mbetur te çmimi i dhomës. Zoti e dha që kur do të ndaheshim, ai na u drejtua me politesë dhe gjithë respekt: "Për çdo gjë mund të më drejtoheni mua, do të dëshiroja të keni rehati dhe kënaqësi. Shpenzimet janë për llogari të qeverisë braziliane"...
Po televizori i San Polulo shpalos përditë kronika me greva, arrestime të trafikantëve, vjedhje të turistëve, krime në zemër të Rio de Janerios, favelat dhe papritur, të shfaqet përpara Marakana, ku mbi 100.000 spektatorë këndojnë e vallëzojnë para se të fillojë ndeshja, ndjen në  shpirt një dhembje, diçka që na mungon, liria e njeriut. Thua me vete: të varfër por të lirë.
Pasditen e kalova me Aldo Ferrante, deputet i Brazilit. Dolëm me makinën e tij. Kalonim përmes rrugëve të gjera e të mbushura me njerëz. Rastisi të kalojmë afër një vendi, ku ishte ngritur një mur i lartë që vazhdonte gjatë.
E sheh këtë mur- më pyeti Aldo. Është burgu i San Paolos. Aty ka më shumë se 20.000 të dënuar. Por nuk ka asnjë të burgosur politik.
Më drejtoi shikimin me nënkuptim. Pastaj, ngaqë nuk reagova, shtoi:
Po qe se do të dënoheshin njerëzit për politikë, unë nuk do të isha këtu me ty, por atje brenda, ndërsa Amazona, kryetari ynë, duhet të kishte shkuar në atë jetë. Aldo Ferrante ishte burrë i mençur dhe tepër i hapur në bisedë. Gjatë një vizite që bëmë me Amazonën në Shqipëri- më tha ai- kryetari ynë i tha Enverit se duhet të hiqni dënimin politik. Socializmi për ne nuk mund të kuptohet në mungesën e lirisë së fjalës, të mendimit dhe të inisiativës.
Për ti dhënë bisedës një farë reagimi i thashë se te ne liria është e pakufizuar.
Aldo u ndal këtu dhe më tha: - Ju keni një fshat në rrënim. Kam parë njerëz që rropaten gjithë ditën në punë e në darkë nuk kanë asgjë për të ngrënë. Përkthyesi ynë na tregoi një rast, ku ata që prodhonin qumësht e gjalpë nuk kishin për vete dhe detyroheshin të blinin në dyqanet e qytetit. Veshja e njerëzve tregon nivelin e jetesës. Duken tepër të varfër. Ne jemi miqtë tuaj dhe Shqipërinë e marrim si pikë referimi për të ndryshuar sistemin në vendin tonë. Për disa gjera, nuk mund të mos ta them, nuk jam dakord me politikën tuaj. E kemi diskutuar edhe në partinë tonë. Në hapëm frontin e luftës në Araguaja dhe shokët tanë shkuan në radhët e luftëtarëve, atje ku ranë edhe dëshmorë. U premtuam fshatarëve tokë dhe ata na përkrahën në veprën tonë. Por nëse nesër do të lexojnë në një gazetë se socializmi që ne e marrim si model i lë pa bukë, ata do të na braktisin menjëherë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›