Zhurma për krizë ekonomike, një qëndrim sharlatanësh, të vënë në shërbim të atyre që thërrasin për ‘kriz뒔
Kryeministri Berisha mbledh grupin parlamentar të PD, reagon për sulmet ndaj ekonomisë
Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje se opozita shqiptare e frymëzuar nga disa sharlatanë, kanë udhëhequr një sulm agresiv ndaj ekonomisë së vendit, në një kohë kur kjo ka demonstruar stade pozitive zhvillimi drejt një ekonomie të konsoliduar. Kreu i qeverisë e cilësoi këtë si një qëndrim të paskrupullt nga ana e atyre që thërrasin nga mëngjesi deri në darkë, për krizë dhe vetëm krizë.
“Ekonomia shqiptare ka një stad pozitiv. Ata, të cilëve nuk u del ndonjëherë kriza nga koka dhe që flasin nga mëngjesi deri në darkë për krizë shqiptare, në qoftë se do t’u referoheshin fakteve të institucioneve ndërkombëtare, ekspertëve më të mirë dhe jo sharlatanëve, do të ndjeheshin të turpëruar me sulmet e paskrupullta dhe të pa principta që bëjnë çdo ditë ndaj ekonomisë shqiptare. Dhe tani së fundi, në mënyrën më amorale dhe më të ulët, po ndërmarrin sulm ndaj bankave. Kjo është e turpshme. Unë do t’ju them ju se në rast se në vendet e tjera ish komuniste dhe në vendet e zhvilluara investimet kanë pasur një rënie të madhe nga 25-50 për qind, në rast se ekonomia ka pasur një rënie nga 4-14 për qind, në rast se shumica e tyre janë detyruar të ulin dy herë rrogat, në Shqipëri investimet janë rritur me 59 për qind. Ka pasur një rënie kalimtare të eksporteve, e cila u shoqërua në këtë tremujor me rritjen e tyre 140 për qind, çfarë është ‘Made in Albania’. Ka pasur një rënie kalimtare të të ardhurave, por ky mars ka shënuar rritje me 22 për qind krahasuar me marsin e kaluar”, u shpreh kryeministri.
Në këtë aspekt, përtej zërave hileqarë, kryeministri Berisha premtoi edhe njëherë se rritja e pagave dhe pensioneve do të vazhdojë. Në këtë aspekt, kryeministri tha se ish Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim çani, ka mbajtur një qëndrim sharlatan për të sulmuar financat dhe bankat në vend.
“Këtë e ka bërë pa u trembur nga një propagandë mjerane që thotë nga mëngjesi në darkë kriza, kriza. Këto deklarata janë të turpshme. Në mënyrën më amorale po marrin sulm edhe ndaj bankave. Të turpshme. I kanë mashtruar shqiptarët në mënyrë cinike duke i thënë se nuk do merrni rroga dhe pensione. Në një takim konspirativ që zhvilluan me një kryesharlatan, që tani ka ndërmarrë sulme kundër bankave, u deklaroi se në maj qeveria nuk do japë rroga dhe pensione. Sado që mund t’ju duket e çuditshme kjo është e vërtetë”, tha Berisha.
Shefi i ekzekutivit, deklaroi se qeveria do të vazhdojë punën e saj, në mbajtjen e premtimeve përballë shqiptarëve, duke rritur së shpejti pagat dhe pensionet, duke shtuar se nga e gjithë kjo opozitës i mbetet vetëm sindromi i krizës.
“E vërteta është se qeveria në maj jo vetëm që do të japë rrogat dhe pensionet, siç i ka dhënë çdo muaj, por qeveria do të rrisë ndjeshëm dhe sipas parashikimit të gjitha rrogat dhe pensionet në këtë vend. E çfarë u mbetet këtyre, përveç se sindromit të krizës në kokën e tyre që rrinë dhe deklarojnë nga mëngjesi deri në darkë kriza, kriza, kriza; që bazojnë sindromin e krizës së tyre në kokë me akuza monstruoze mbi 20 mijë komisionerë socialistë, të cilët sipas tyre paskan kryer krimin elektoral, sepse kanë turp nga vetja e tyre. Ndodhen në një stad të largët e primitiv, nuk kanë arritur në stadin e pendesës, por kanë mbetur në stadin e turpit, i cili është një stad shumë i hershëm në evolucionin e qenieve njerëzore”, tha më tej, kryeministri Berisha.