Intervista e Fratinit/“Të krijosh përshtypjen e një parlamenti që frekuentohet pjesërisht, do të thotë të japësh një imazh negativ për vendin”

Në një intervistë mediatike, shefi i diplomacisë italiane deklaron se tentativat e opozitës për të bllokuar punimet e parlamentit shqiptar, janë mirëfillti qëndrime për t’i përcjellë Brukselit një imazh negativ për Shqipërinë. Frattini thotë për zgjedhjet në Shqipëri ka folur arbitri vendas dhe ai ndërkombëtar, ndërsa konsideron të tepruar vazhdimin e këtij debati edhe pas 10 muajsh, pas zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit
Zoti Frattini mirëserdhët në Tiranë në këtë pranverë jo vetëm shqiptare, por edhe italiane këtë vit. Dy popuj, një det, një miqësi, një stinë e gjatë me aktivitete të shumëllojshme në një vend si Shqipëria ku Italia ka qenë gjithmonë një dritare komunikimi me perëndimin e ku shqiptarët njohin shumë për kulturën, politikën, sportin, gjuhën, apo jo?
Bëhet fjalë për një iniciative shumë të bukur, që unë kam dashur shume qe te zhvillohej, ashtu sikurse edhe autoritetet shqiptare, për të treguar se ekziston një miqësi e madhe jo vetëm mes qeverive tona, por edhe mes popujve tanë. Mjafton të kujtojmë sesa e njohur dhe e dashur është kultura italiane në Shqipëri. Gjuha italiane, të cilën e kuptojnë shumë njerëz. Mjafton të mendojmë se në Itali ka 20 mijë studentë shqiptarë, që studiojnë në universitetet tona. është popullata më e madhe e studentëve të huaj, që studiojnë në Itali. Pra, kjo pranverë italiane është vetëm konfirmimi i kësaj miqësie të madhe, që tashmë është historike dhe që do të vazhdojë.
Ju ndodheni në Tiranë vetëm tre ditë përpara një vendimi të rëndësishëm në Bruksel për liberalizimin e vizave. Ju keni qenë një ndër përkrahësit e hershëm të liberalizimit të vizave për Shqipërinë, mbaj mend qëndrimet dhe deklaratat tuaja që në vitin 2008. Por jemi në vitin 2010 dhe ky proces pritet ende të ndodhë. është folur për shumë afate që prej vitit 2008, afate që janë shtyrë deri tani për shumë arsye. Cilat kanë qenë këto arsye? çfarë e ka penguar atë dhe çfarë e rrezikon aktualisht?
Unë mendoj se jemi vërtetë në përfundim të këtij procesi, i cili sigurisht ishte i gjatë, por jo shumë i gjatë. Kam qenë unë që e kam hapur këtë proces, kur në cilësinë e komisionerit europian, vendosa që t’i propozoj Shqipërisë një dialog dhe më pas një negociatë për të mbërritur tek liberalizimi i vizave. Vendimi që Komisioni Europian duhet të marrë, është një vendim teknik dhe jo politik. Pra ky vendim do të varet nga rezultatet që do të jenë arritur nga autoritetet shqiptare. Unë jam i bindur se këto rezultate ekzistojnë dhe se propozimi i Komisionit mund të jetë një propozim pozitiv. Besoj se shtetet anëtare të Bashkimit Europian, me Italinë në radhë të parë, duhet të vendosin për liberalizimin e vizave para verës, pra pas pak muajsh, mes qershorit dhe korrikut, në mënyrë që shtetasit shqiptarë të mund të fillojnë të lëvizin lirisht menjëherë pas verës, në vjeshtë, pra në një kohë shumë të shkurtër. Unë besoj se këto rezultate janë arritur. Jam i sigurt, por gjithsesi do të punojmë për këtë, që procedura të kurohet në mënyrë absolutisht transparente dhe që t’u njihet shtetasve shqiptar ky rezultat, që nuk është një leje, por diçka që ata e kanë merituar.
Ka disa vende anëtare, që kanë pavendosmëri mbi liberalizimin e vizave në Shqipëri. Kriza politike e vendit, mund të ketë efekte negative mbi këtë çështje?
Unë besoj, siç ju thashë, që vendimi për vizat është një vendim teknik, pra nuk duhet të ketë një impakt të tipit politik. Por gjithsesi, politika e brendshme në Shqipëri, është në një situatë ku të gjitha partitë politike duhet të ndjejnë së tepërmi përgjegjësinë e përbashkët për të punuar për Shqipërinë në Europë, pra mbi të gjitha për një regjim pa viza. Ky është një apel që u duhet bërë të gjitha partive politike, sepse dihet, që t’i japësh përshtypjen Brukselit se këtu ka një parlament që nuk funksionon, një parlament të bllokuar, do të thotë që të japësh një imazh negativ për vendin. Dhe kjo është një përgjegjësi e rëndë, të cilën unë uroj, se asnjë parti politike, as opozita, do të dojë t’a marrë përsipër. Ne nga ana jonë, pra Italia, do të punojmë që vendimi të jetë pozitiv dhe që të vihet në zbatim së shpejti.
Zoti Frattini, ekziston më shumë se një mendim në Bruksel në Komisionin Europian apo mes vendeve anëtarë të BE-së, se Bosnja është më përpara me plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave, se sa Shqipëria. Ndërsa lidershipi shqiptar nga ana e tij, kërkon një trajtim të diferencuar nga Bosnja, duke mos dashur të krahasohet me një vend në krizë të thellë etnike dhe politike si Bosnja. Sa mendoni se do të ndikojnë këto qëndrime dhe a do të kemi sërish shtyrje të afateve?
Unë besoj se nuk është në interesin e Europës, që të japë një mesazh negativ, duke shtyrë më tej afatet. Unë mendoj se vendimi për liberalizimin e vizave duhet të merret tani, para verës, si për Shqipërinë, si për Bosnjën. Të dy shtetet e meritojnë këtë sinjal pozitiv. Sigurisht nuk do t’a konsideroja një përgjigje të drejtë dhe të barabartë, njohjen e këtij rezultati, për shembull vetëm për Bosnjën dhe jo edhe për Shqipërinë. është një çështje dinjiteti. është një çështje respekti për një vend, në këtë rast Shqipëria, e cila ka bërë progrese të mëdha. Ne do të punojmë që vendimi të jetë pozitiv për të dyja rastet.
Kur thoni në vjeshtë, në Tetor do të hiqen vizat, keni parasysh hyrjen në fuqi të vendimit për heqjen e vizave apo marrjen e vendimit nga këshilli i ministrave të brendshëm europiane?
Unë besoj se duhet të bëhet hyrja në fuqi e vendimit. Vendimi i ministrave duhet të merret para pushimeve verore, d.m.th ose në qershor, ose në korrik. Në vjeshtë unë besoj se duhet të bëhet aplikimi konkret, pra çdo shtetas shqiptar i lirë për të lëvizur në Europë.
Zoti Frattini, edhe Shqipëria po kalon një ngërç politik. Gati dhjetë muaj pas zgjedhjeve, ende kemi një situatë kritike, ku opozita dhe mazhoranca kanë qëndrime të kundërta për hetimin dhe transparencën e zgjedhjeve. Një ngërç që ka bllokuar reformat dhe po vë në rrezik integrimin europian të vendit. Nëse do t’i jepni një këshillë miqve tuaj në Tiranë, të dy palëve në pushtet dhe opozite çfarë do sugjeronit për të zgjidhur krizën?
Unë i sugjerova Qeverisë që të mbajë një qëndrim tërësisht të hapur ndaj opozitës, duke e ftuar këtë të fundit që të marrë pjesë në procesin e reformës. Për sa i përket Opozitës, ashtu sikurse dihet, ka një mision vëzhgues ndërkombëtar, që ka vendosur me qartësi, se zgjedhjet në Shqipëri ishin korrekte dhe transparente. Dhe Gjykata juaj Kushtetuese ka vendosur që Parlamenti nuk mund të numërojë një për një votat. Pra duke patur parasysh këto vendime, nuk mund të bëhet numërimi individual i votave. Unë uroj që partitë e opozitës, partia kryesore opozitare, të vendosë që t’i kthehet punimeve në rruge normale për të mirën e Shqipërisë në Europë.
Marrëdhëniet e Italisë me Shqipërinë kanë kaluar përmes ulje ngritjeve në periudha të caktuara. Italia është partneri i parë politik, ekonomik dhe tregtar i Shqipërisë, por në momente të caktuara, për çështje të rëndësishme politike apo kontrata të rëndësishme ekonomike Tirana ju ka tradhtuar nëse mund ta quajmë kështu, duke zgjedhur partnere të tjerë?
Ne nuk mund të mendojmë që Shqipëria të ketë raporte vetëm me Italinë. Pra, nuk e konsideroj si tradhti, por thjesht diversitet. Dua të ritheksoj rëndësinë, që Shqipëria t’a konsiderojë Italinë si partner parësor. Nuk është vetëm Italia, mua më intereson, që të jetë mbi të gjitha Italia dhe në këtë rast unë jam i kënaqur.
Italia ndodhet shumë pranë Shqipërisë, e megjithatë ndikimi politik në politikën e Tiranës është shumë më i vogël sesa ai i vendeve të tjera fqinje, mike apo aleate. Kemi parasysh Shtetet e Bashkuara të Amerikës kryesisht, por edhe Greqinë në shumë raste. Përse ky qëndrim i ndryshëm i Italisë në këtë aspekt?
është mënyra tradicionale sesi i krijon raportet Italia. Ne jemi të ndërtuar kështu dhe vazhdojmë të punojmë në mënyrë të tillë. Unë besoj se kjo sjellje e Italisë nuk influencon në vendimet e Shqipërisë. E bën në një mënyrë ndryshe. Ne jemi mësuar të japim këshilla dhe sugjerime kur na kërkohen. Në këtë rast Shqipëria na kërkon këshilla dhe sugjerime dhe ne i japim. është një mënyrë ndryshe e perceptimit të raporteve, gjithsecili i respektueshëm. Unë besoj se edhe në këtë mënyrë ne arrijmë që të kemi influencë mbi linjat e mëdha politike shqiptare. Morëm një kërkesë, pikërisht gjatë takimeve të mia, që Italia të garantojë përfaqësitë diplomatike në vendet ku Shqipëria nuk ka ambasadë të sajën. Në këtë rast, ambasada, apo konsullata italiane do të kryenin interesat diplomatike të qytetarëve shqiptarë. është një kërkesë që dëshmon sesa i rëndësishëm është raporti politik.