Prokuroria nis hetimet për kreun e Akuzës së Durrësit
Tiranë - Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet lidhur me padinë penale të bërë ndaj kryeprokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja. Lajmi është bërë i ditur për gazetën “Albania” nga burime zyrtare të Prokurorisë, të cilat shtuan se kanë kërkuar dokumentet e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Gjithashtu është bërë e ditur se prokurorët e kryeqytetit do të bëjnë hetime dhe në terren, ku do të verifikojnë deklarimet që do të japë kryeprokurori i Durrësit. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka denoncuar kryetarin e Prokurorisë së Durrësit, të cilin e akuzon për fshehje të pasurisë. Arjan Ndoja ka deklaruar se brenda një periudhe të shkurtër ka fituar nga puna e tij si avokat 743 mijë euro. Por në deklarimin e pasurisë nuk ka mundur që tregojë burimin e të ardhurave, duke mbetur “mangët” 86 mijë euro.
Policia arreston një 56-vjeçar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor
TIRANË - Një 56-vjeçar nga qyteti i Tiranës, i dyshuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me rrezik jetën e një shtetasi, është arrestuar në kushtet e flagrancës gjatë ditës së djeshme. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bënë të ditur se në mesditën e së dielës, në bulevardin “Bajram Curri”, pranë restorant “LONDON”, shtetasi Mahmud Hasibra, teksa udhëtonte me automjetin e tij tip "AUDI", ka aksidentuar një këmbësor, i cili u dërgua në gjendje të rëndë shëndetësore në spital. Materialet në ngarkim të 56-vjeçarit iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Tiranë për hetime të mëtejshme.
Ndalohet i mituri, kishte realizuar një mori vjedhjesh në kryeqytet
Tiranë - Strukturat e Policisë së Komisariatit Nr. 3 në Tiranë arrestuan në kushtet e flagrancës një 13-vjeçar, me iniciale J. A., lindur në Mirditë dhe banues në Tiranë. Sipas burimeve, adoleshenti mendohet të jetë autor i vjedhjeve, më shumë se një herë, me shuma të konsiderueshme. Provat materiale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Tiranës për hetime të mëtejshme, ndërkohë që adoleshenti është lënë i lirë, për arsye të moshës.
Bllokohen dy vetura luksoze, rezultuan të vjedhura në Itali
Tiranë - Seksioni Kundër Trafiqeve ka realizuar sekuestrimin e dy mjeteve luksoze, të cilat, pas verifikimit rezultojnë të vjedhura jashtë kufijve të Shqipërisë. U kryen veprimet procedurale për automjetin tip “BMW X5”, me targë TR 1256 L, pasi rezulton i vjedhur në Itali. Gjatë momentit të bllokimit mjeti drejtohej nga një shtetas dhe rezultoi të ishte në pronësi të shtetasit Ilir D., 35 vjeç. E njëjta procedurë është ndjekur edhe për automjetin tip “Audi A 3”, me targë TR 9991 I, pasi rezulton i vjedhur jashtë shtetit. Gjatë momentit të bllokimit mjeti drejtohej nga shtetasi Ervin Sh., 20 vjeç. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprën penale të “trafikimit të mjeteve motorike”.
25 Nentor 2008