E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhvillimi i fshatit si në Afrikë

Autori i Lajmit: red.
Nënsekretari për Programin Politik në Partinë Socialiste, Ervin Bushati kritikon Qeverinë për nivelin e lartë të varfërisë në fshat. Sipas tij vendi ynë ka produktivitetin më të ulët në Evropë e madje të krahasueshëm edhe me vendet afrikane e shkak për këtë është mungesa e strategjisë nga ana e Qeverisë. Bushati nënvizoi se mungesa totale e politikave të zhvillimit dhe orientimit, ka lënë në udhëkryq njerëzit që punojnë dhe jetojnë në zonat rurale të vendit. “Shqipëria ka sot produktivitetin bujqësor më të ulët në Europë. Një studim i fundit i Bankës Botërore mbi bujqësinë në Shqipëri tregon se fshatari shqiptar është 3 herë më i varfër se fqinji i tij në Maqedoni”, - tha Bushati. Sipas tij mungesa e metodave dhe infrastrukturës moderne kanë bërë që të hasen probleme të rënda në burimet e prodhimit, ndërkohë që nuk po ofrohet asnjë strategji për ta nxjerrë nga gjendja e pashpresë në të cilën ndodhet. Nënsekretari për Programin Politik në PS tha se pasojat e funksionimit të mangët të strukturave shtetërore kanë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e sipërfaqes së kultivuar dhe prodhimtarisë, duke sjellë dështimin e pritshëm të një investimi të arritur me aq sakrificë. Investim që sipas tij, që në pjesën dërrmuese të rasteve është fryt i të ardhurave nga emigracioni. Bushati theksoi se
programi i ri i Partisë Socialiste, ka në qëndër të tij bujqësinë dhe përmirësimin e jetës në fshatin shqiptar.

Ky lajm është publikuar: 07/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›